Ilir Daja fërkon duart: Peci, ‘bast’ i fituar
Ilir Daja është i kënaqur me fitoren dhe golat në Kupë. Por, trajneri kërkon që lojtarët të mos jenë euforikë, pasi kampionati është shumë ndryshe nga Kupa.
“E kishim vlerësuar këtë përballje, duke u nisur edhe nga rezultati i ndeshjes së parë. Ky takim na shërbeu edhe si test para Korabit. Janë disa lojtarë të rinj që kanë të ardhme. Ekipi ka gjendjen e duhur dhe kemi shumë alternativa për të hedhur në fushë. Lojtarët që do ta meritojnë, do të jenë në formacion.
Sopoti nuk është se kishte objektiv këtë kompeticion. Rezultati 7-0, të them të drejtën, nuk është real, sepse në Kupë vështirësia e ndeshjeve është më e ulët se në kampionat. Më pëlqeu që ka aksione të ndërtuara në sulm dhe finalizime. I dhamë minutazh në fushë edhe mesfushorit nga Gana, Akua. Është një alternativë e mirë në mesfushë, pikërisht në rolin e kontrollorit para mesfushës.
Edeh do të bëjë një kontroll tjetër të shtunën. Por, besoj se nuk do ta shmangë dot ndërhyrjen kirurgjikale. Peci është një lojtar me vlera, por duhet të rregullojë disi kondicionin fizik, sepse nuk është ende aty ku duhet. Nëse e e arrin një gjë të tillë do të ishte një ‘bast’ i fituar. Luftëtari është kundërshtari i radhës në Kupë, por ne për momentin po mendojmë për kampionatin. Pas kësaj fitoreje, lojtarët duhet të jenë me këmbë në tokë, pasi nuk kanë bërë asgjë të jashtëzakonshme”, u shpreh Daja.
Ndeshja
Loja nis me Tiranën në sulm, që zhbllokon rezultatin që në të 7-ën minutë. Moise kombinohet me Karabecin. Ky i fundit nxjerr të lirë Takun, i cili nuk e ka të vështirë të shënojë. Ky gol u jep sigurinë e munguar bardhebluve, por edhe Takut, i cili në të 16-ën minutë realizon golin e dytë personal dhe të pestin sezonal. Muça vertikalizon nga e majta dhe mesfushori i adaptuar si sulmues krahu dhuron spektakël në ekzekutim.
Pasi kontrollon topin me të djathtën, rrotullohet dhe pa rënë topi në tokë, e godet fuqishëm me të majtën dhe 2-0. Epërsia e Tiranës duket ndjeshëm, ndërsa përpjekjet e Sopoti janë të dëshpëruara. Në të 22-ën, Peci, pas një kombinimi mes Karabecit e Moises, trefishon shifrat për bardheblutë dhe i dërgon të qetë në dhomat e zhveshjes. Në pjesën e dytë, bardheblutë realizojnë edhe 4 gola.
Në të 78-ën, i sapofuturi Muzaka i jep një top të artë Pecit, por gjuajtja e tij grushtohet. Megjithatë, kur topi shkon sërish në këmbët e Pecit, këtë herë e dërgon në rrejtën e mbrojtur Beshiri dhe 4-0. Kur loja po shkonte drejt fundit, Sopoti ishte thuajse inekzistent në fushë. Në të 83-ën, Peci kombinohet me Muzakën, ky i fundit tregohet altruist dhe pason për Grent Halilin, që i vetëm përballë portierit nuk mund të gabonte dhe 6-0.
Pas 2 minutash, Peci futet bukur në zonë dhe pason për Halilin, sulmuesi i ri me lehtësi shënon dhe çon shifrat në 7-0. Ciklin e dopietave për këtë duel do ta “prishte” Peci, që pas një krosi perfekt të Deliajt i vendos “vulën” goleadës në të 88-ën.
ADELA MERKO
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"