Iljaz Çeço: Stema është e jona, ekipin e Dinamos duhet ta ringrejmë nga e para

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 22, 2012 | 15:01

Iljaz Çeço: Stema është e jona, ekipin e Dinamos duhet ta ringrejmë nga e para

“Panorama Sport” nis një cikël botimesh në lidhje me KF Dinamo. Ish-lojtari i këtij ekipi, Iljaz Çeço, aktualisht kryetari i shoqatës që ka edhe stemën e këtij klubi, rrëfen me detaje historinë e mitit “Dinamo”. Kësisoj në ditët në vazhdim do të lexoni pikë së pari një historik të klubit duke filluar që nga ndërtimi, përplasjet në derbi me Partizanin dhe deri tek e tashmja, me marrjen e klubit fillimisht nga Mihal Delijorgji dhe më pas nga Besnik Sulaj. Arsyet e vërteta të qëndrimit të Besnik Sulajt te Dinamo, si dhe përpjekjet e shoqatës për t’i dalë zot klubit në verën e 2011-ës, kur nisën edhe përplasjet me Agjencinë e Sporteve.

Iljaz Çeço nuk njeh kompromise kur flitet për Dinamon. Ai, sikundër edhe shumë të tjerë, kanë kaluar një jetë te ky klub, ndaj kur e shikon sot një kategori më poshtë nuk nguron të denoncojë shkatërrimtarët, të cilët, sipas tij, janë drejtuesit dhe njerëzit që i kanë mbështetur. Por më keq akoma, Çeço thekson se Dinamo është përdorur dhe në disa raste ka toleruar ndeshje. Si shembull ai analizon përballjet me Skënderbeun gjatë sezonit të shkuar. Ishshefi i klubit blu premton se ai dhe figura të tjera të futbollit dinamovit do ta ringrejnë nga e para skuadrën legjendë. “Stema është e jona, do të ndërhyjmë”, ka thënë ndër të tjera Çeço në pjesën e fundit të ciklit të intervistave për Dinamon, dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”.
Pak kohë më parë, klubi Dinamo i kaloi me një vendim qeverie nën administrim Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, përse sipas jush u bë kjo gjë?
Sepse u prishën pazaret mes PD-së e PS-së dhe për të gjetur një mënyrë tjetër për prishjen e kompleksit ia kaluan në pronësi MTKRS-së së Ylli Pangos. Ai ishte në atë kohë ministër dhe me një Vendim të Këshillit të Ministrave u arrit kalimi nga Ministria e Brendshme te MTKRS-ja. Madje ai (Pango) pat thënë disa herë në atë periudhë shumë i çuditur dhe me të drejtë se ministria që ai drejtonte nuk mund të mbante klube në pronësi. “Ore, unë investoj te sporti në zhvillimin e tij, por nuk mundet me ligj që të kem në varësi një klub, pasi është tërësisht konflikt interesi. Nuk ka sens ligjor që unë si ministri të zhvilloj sportin në tërësi, dhe nga ana tjetër të kem në varësi një klub. Nuk ka kuptim, nuk ndodh në asnjë vend të botës”, – pat deklaruar atëherë Pango. Po kush e dëgjoi thua ti, kurrkush, dhe vazhduan në rrugën e tyre, pasi kishin të njëjtin synim për të prishur klubin, ndaj duhet që të gjendet me patjetër një rrugë për të arritur te ky rezultat. Më pas edhe Pango u bë me këta dhe klubi i kaloi MTKRS- së dhe, siç e dini, verën e shkuar zbarkoi aty injoranca. Doli jashtë futbolli dhe ata për të cilët ishte ngritur realisht ai kompleks. Dhe aty kishte vend edhe për gara me kuaj, por për Dinamon jo. Dinamo duhet të paguante me qëllim që të stërvitej. Tani, ma thoni ju nëse kjo nuk është çmenduri. Është idiotizëm dhe nuk ka shanse të ndodhë në asnjë vend të botës së qytetëruar. Unë duhet të paguaj në shtëpinë time, imagjinoni pak se çfarë ndodh. Ose tjetra: ti më paske nën administrim, pra je pronari (MTKRS-ja), dhe nga ana tjetër më detyron që të paguaj thjesht sepse ekzistoj. Është njëlloj sikur unë ose ti të paguajmë në shtëpitë tona për ushqimin ose fjetjen.
Pse nuk reaguat kur patë gjithë këto padrejtësi?
Reaguam, sigurisht që kemi reaguar. Në verën e vitit të shkuar duke parë se si po shkonin gjërat ne si shoqatë legjitime mblodhëm asamblenë, bëmë rinovimin e anëtarëve, u shtuan të gjithë futbollistët dhe ish-futbollistët me kontribut në këtë skuadër, bëmë ndryshimet në statut dhe ia paraqitëm këto gjykatës. Stema ose emblema është e drejtë ekskluzive e shoqatës së futbollit “Dinamo” dhe nuk lejohet të përdoret nga asnjë grupim tjetër. Bëmë edhe shkresat dhe bashkangjitur vendimin e gjykatës ia nisëm atë ministrit të MTKRS-së, Aldo Bumçi; zv/ ministrit Dashnor Bajaziti; ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani. I kemi çuar letër edhe Bashkisë së Tiranës (e cila përgjigjet për lëvizjen fizkulturore në kryeqytet). I jemi drejtuar dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, së cilës i kërkonim që ne të njiheshim edhe nga këto institucione si drejtuesit e vetëm dhe legjitimë. Duke qenë se edhe presidenti i klubit kishte dhënë dorëheqjen, atëherë ne nuk mund ta linim Dinamon jetime, ndaj me të drejtë meqenëse kishim stemën bëmë të pamundurën për të mbajtur disa lojtarë që stërviteshin nga Milori dhe Daja. Mirëpo, menjëherë pas reagimit tonë, një javë para se të fillonte kampionati, drejtuesit shkuan në federatë dhe e regjistruan klubin sikur të mos kishte ndodhur asgjë, me ata lojtarë që i kishim mbajtur ne gjatë gjithë verës. Ndërsa ne nuk reaguam më, ngaqë menduam se do të ishte më mirë që të paktën skuadra të futej në kampionat dhe të mos shkrihej fare, përndryshe do binte në kategori të tretë.
Po pse nuk e regjistruat ju?
Jua thashë pra, që donim ta bënim dhe ishim legjitimët, por nuk morëm asnjë përgjigje nga kurrkush.
As nga federata?
As nga federata. Nuk morëm asnjë qëndrim të mirëqenë. Na priti një herë një sekretar aty sa për sy e faqe dhe kaq. Na tha që gjoja duhet të merrnim një herë urdhër nga ministria e gjëra të tilla, se ndryshe nuk na njihte. Imagjinoni pak: duhet të merrte urdhër nga ministria dhe nga ana tjetër nuk njihte vendimin e gjykatës. “Ore, – i thashë, – ju doni sportin apo saldatorin?! Një saldator keni aty që po drejton dhe jeni bërë njësh me të”. Nejse, më vonë morëm vesh edhe tjetrën, se drejtuesit e Dinamos, patën bërë edhe një pazar të tipit që të mos regjistroheshin fare në Superiore dhe t’i merrnin 100 milionë lekë Besëlidhjes së Lezhës. Nëse ne nuk futeshim, atëherë u takonte lezhjanëve që të futeshin në Superiore në vendin e Dinamos. Në këto kushte ishte Dinamo disa ditë para fillimit të sezonit të shkuar. Megjithatë, ne nuk u stepëm dhe vazhduam të kërkonim të drejtën tonë. Kemi pritur një përgjigje nga Aldo Bumçi, të cilën akoma nuk e kemi marrë. Kemi pyetur zv/ ministrin Dash Bajaziti dhe ai na ka thënë se nuk ka çfarë të bëjë. “Ore, – i thashë, – zbatoni vendimin e gjykatës! A njihni shtet e gjykatë juve apo jo?!” E tmerrshme që vetë shteti ose ata që mundohen të bëjnë shtetin nuk zbatojnë vendimet e tyre. Ti akuzohesh nga UEFA se ke shitur ndeshje. Akuzohesh nga gjithë publiku sportdashës dhe nga ikonat e Dinamos dhe mbetesh sërish në krye të këtij klubi. Kjo do të thotë që, e para këtu nuk ka shtet, nuk ka federatë, ose se si federata dhe shteti janë të implikuar me drejtuesit e saj. Sigurisht që unë jam i predispozuar të besoj këtë të dytën.
Dakord, po a është në gjendje shoqata juaj të gjejë sponsorë për Dinamon, përndryshe si do ta mbanit klubin?
Ne i gjejmë shumë shpejt sponsorët, por nuk vjen kush të merret me presidentin aktual. Ka njerëz që e duan Dinamon, por situata aktuale është jo e favorshme. Kemi presion nga sportdashësit që të bëhen lëvizje të shpejta për të mos degraduar më tej klubin. Ne patëm bërë një përçapje edhe në janar të këtij viti që të merrnim situatën në dorë, dhe besojeni se do të mund ta kishim shpëtuar Dinamon. Do merrnim një lojtar nga Tirana, një nga Teuta, një nga një skuadër tjetër dhe do arrinim që të shkonim të paktën në plej-aut. Jam i sigurt se me gjithë kuadrot që ka nxjerrë kjo skuadër dhe që aktualisht i janë pranë, sikundër ishte edhe Sejdini, do shpëtonte. Por është e pamundur kur shteti dhe federata bëhen njësh me njerëz që e përdorin këtë klub për interesa personale. Drejtuesit donin ta shisnin Dinamon. Madje nxorrën në shitje edhe stemën e klubit sikur ta kishin pronë të tyre dhe këta vazhdojnë akoma që të bashkëpunojnë me të. Fakt është se drejtuesit e klubit nuk ikën nga Dinamo edhe në këto kushte. Ata qëndruan aty me shpresën se gjërat do ndryshonin, e kam fjalën për politikën, dhe se si do arrinin që ose të realizojnë ëndrrën e tij për të ndërtuar pallate ose të marrë të paktën ato parà që harxhoi kur bënë marrëveshjet me ish-pronarët.
Dakord, por nga ana tjetër drejtuesit mund të kenë investuar te klubi Dinamo…
S’është e vërtetë. Ju siguroj se po të kishin bërë ndonjë investim te Dinamo do ta kishte mbajtur me shpirt klubin dhe skuadra nuk do ishte sot në Kategori të Parë. Drejtuesit kanë ardhur te Dinamo për të përfituar sa më shumë dhe që në nisje ka qenë i lidhur me politikanë, por jo për qëllime sportive.
Ju akuzoni për pazare, por fakt është se në këto vite presidenca e ka financuar atë klub apo jo?
Për çfarë parash e keni fjalën? Për ato të basteve? Dinamo ka shitur vazhdimisht ndeshje. Kontroll nuk ka pasur nga askush, ndaj edhe është bërë çfarë i ka dashur qejfi drejtuesve. Po pse sivjet filloi rënia e Dinamos nga kategoria? Nuk e mbani mend se çfarë ndodhi para dy vitesh kur u shitën të gjitha ndeshjet e fundit? Po vjet sa ndeshje i la Skënderbeut? Të gjitha. Normal, pastaj do vinte edhe kjo ditë që skuadra gradualisht do shkatërrohej dhe do binte një kategori më poshtë.
Deklarata të forta dhe akuza, a nuk duken paksa të tepruara?
Absolutisht jo. Kjo është e vërteta dhe nuk është se e them unë, por se të gjithë e dinë fare mirë se çfarë po ndodh me Dinamon dhe se ky klub po degradon dita-ditës, me bekimin e shtetit. Dinamo ngeli jashtë, për shkak se sponsori e degradoi ekipin e futbollit të Dinamos, për interesa të veta të biznesit në një kohë të shkurtër. E them të shkurtër, pasi Dinamo në sezonin 2009-2010 doli kampione dhe një sezon më pas ishte ndër skuadrat e kreut të klasifikimit deri në janar, më pas mori rrokullimën dhe u desh një fitore me Besëlidhjen që të shpëtonte nga rënia një kategori më poshtë. Mendoni pak, po shkrihen gjithmonë ekipe me emër. Nuk ka më Dinamo të volejbollit për meshkuj apo femra, apo peshëngritës. Shteti ka shkatërruar cilësinë. Pra, ndaj kemi një panoramë të zymtë për sportin. Kam lëvizur thuajse në të gjithë Shqipërinë dhe kam parë shumë pak ambiente sportive. Sporti nuk bëhet në ajër, ai do terrene të mira dhe të shumta. Dikur në Tiranë kanë qenë dhjetëra fusha, ndërsa tani ato janë zënë nga pallate, a thua se ky vend vetëm për ato paksa pasur nevojë. Natyrisht, kur kjo gjë ligjërohet edhe nga shteti, atëherë nuk ke se çfarë të kërkosh më. Le të bëjmë një krahasim të vogël sa për t’u bindur: koha më e mirë e sportit në Shqipëri ka qenë në vitet `80-`90, dhe a e dini përse? Sepse për herë të parë sporti kaloi direkt nën varësinë e kryeministrit. Pra, ishte si një ministri më vete dhe i kushtohej jashtëzakonisht shumë kohë dhe parà. Ndërsa sot jo vetëm që nuk ka shtet që interesohet për sportin, por edhe kur e bën një gjë të tillë, e vë atë në interesin e vet për qëllime elektorale.
Si mund të ngrihet sërish Dinamo?
Shoqata jonë, “Dinamo”, ka të drejtën e emrit, dhe këtë nuk e ka sponsori aktual. Të mos harrojmë, se këtë vit ai nuk ka harxhuar asnjë lek. Ne do të përpiqemi të marrim “Dinamon” edhe duke u njohur nga shteti nga MTKRS-ja, e cila çuditërisht, ua thashë edhe më lart, ose nuk ia ka haberin, ose është e implikuar në këtë aferë korruptive, pasi është e pamundur që vetë shteti të mos njohë vendimet e gjykatave. Sakaq dua ta theksoj se, me rënien e Dinamos humbën shumë, klubi, qyteti i Tiranës, sportdashësit e saj, futbolli shqiptar, por dhe sportistët të ardhmen e tyre.

“100 mln lekë që Dinamo të mos regjistrohej”
Dinamo pat dhënë spektakël në stadiumin “Besa” të Kavajës, në ndeshjen “play-out” në fund të sezonit të shkuar, teksa përmes një pokeri golash mbijetoi në Kategorinë Superiore. Sakaq pak minuta më vonë presidenti Besnik Sulaj dha dorëheqjen. Atëherë kur të gjithë menduan se kjo Dinamo u dorëzua përballë golit të Likës, në minutën e 36-të, blutë ndryshojnë faqe dhe më pas janë zotë të fushës. Besëlidhja pati dëshirën që t’u kundërvihej bluve, por e kishte të pamundur, sepse individët e saj ishin larg nivelit të dinamovitëve. Shkurt, nuk arriti të rivalizonte, ashtu siç pati parashikuar më parë trajneri i Besëlidhjes, Ridvan Kulli. Ndërkaq, disa minuta më vonë, Besnik Sulaj ka pohuar se nuk do të jetë më presidenti i Dinamos. “Nuk do të jem më presidenti i Dinamos. Më vjen mirë që skuadrën po e lë në Kategorinë Superiore, pikërisht atje ku e mora në vitin 1999. Por, po jap dorëheqjen, sepse jam i zënë me të tjera impenjime, që lidhen më tepër me biznesin tim. Që do të thotë se do t’i përkushtohem më shumë atij. Sigurisht nuk më vjen mirë që po largohem. Por, megjithatë, ka dhe një moment që duhet thënë mjaft, sepse unë nuk do të dilja në pension si financues i futbollit”, pat thënë Sulaj vjet. Por vetëm pak muaj më vonë ai u kthye sërish në krye të Dinamos, thjesht de jure, dhe një vit më vonë klubi ra për herë të parë një kategori më poshtë. Nisur nga kjo, Iljaz Çeço zbulon një tjetër detaj, i cili ka të bëjë me një pazar mes drejtuesve të Dinamos dhe të Lezhës. “U bë një pazar të tipit që të mos e regjistrohej fare klubi në Superiore dhe t’i merreshin 100 milionë lekë Besëlidhjes së Lezhës. Nëse ne nuk futeshim, atëherë u takonte lezhjanëve që të futeshin në Superiore në vendin e Dinamos. Në këto kushte ishte Dinamo disa ditë para fillimit të sezonit të shkuar”, ka pohuar Çeço.

Kur Luis Blanko akuzonte për shitje ndeshjesh
Drejtuesit e Dinamos janë akuzuar edhe më parë për shitje ose tolerime ndaj skuadrave të ndryshme në kampionat dhe në veçanti ndaj Skënderbeut. Një prej tyre ka qenë edhe ish-trajneri i kësaj skuadre, argjentinasi Luis Manuel Blanko, i cili pat ardhur te Dinamo në verën e 2010-ës dhe qëndroi deri në 31 dhjetor të po atij viti. Tekniku u largua me shumë hatërmbetje nga klubi blu për shkak të vonesave të shumta në pagesa, por “bomba” e vërtetë e tij erdhi disa muaj më vonë gjatë një interviste për të përditshmen argjentinase “Ole” (www.ole.com.ar/ fuera-de-juego/Renunciea c e p t e – s a l i r – perder_0_480552064.html). Ish-trajneri i bluve bëri një deklaratë tronditëse, ku akuzonte ashpër qeveritarë dhe gjithashtu presidentin e klubit, Besnik Sulaj. “Kishim rivale skuadrën e Ministrisë së Financave dhe presidenti i klubit tim më kërkoi që unë të lija ndeshjen, pra të humbnim. I thashë ‘Jo, nuk e bëj këtë’ dhe u largova”, tregon Blanko. Më pas ai ka thënë: “Presidenti i klubit, Besnik Sulaj, kishte shumë probleme me politikën dhe, ndërkohë, ishte shumë i lidhur me të. Skuadra që renditej e dyta në klasifikim quhej Skënderbeu, në pronësi të Ridvan Bodes, ministër i Financave në Shqipëri. Na u desh të luanim kundër tyre ditën që do të inauguronin dritat në stadium. U bë një festë e madhe, përfshirë këtu edhe arbitrin që ishte prezent. Në pushim të ndeshjes, presidenti i skuadrës sime hyri në dhomat e zhveshjes bashkë me përkthyesin tim dhe më tha se ministri u kishte thënë: ‘Nëse më shkatërroni festën, unë do t’ju shkatërroj juve’. Më kërkoi që kur të kthehesha në pjesën e dytë, skuadra jonë duhej të humbiste. Nuk po u besoja syve. Ishte e tmerrshme. I thashë presidentit: ‘Shko dhe fol ti me lojtarët. Thuajua ti që ta lënë ndeshjen. Unë nuk u kam thënë kurrë lojtarëve të mi të lënë një ndeshje dhe nuk do ta bëj as sot’. Më pas u largova. Presidenti im në një rast bleu arbitrat dhe hapi fjalë se do të na ndihmonin. Në fakt, ne humbëm 2-1 me dy penallti kundër. Më pas mora vesh se pas kësaj fshiheshin bastet dhe se presidenti ynë kishte luajtur kundër nesh, sepse e dinte që do të humbnim”, ka thënë Blanko ndër të tjera. Sakaq, për hir të së vërtetës, në deklaratat e Blankos ka disa pasaktësi që nuk mund të mos vihen re. Ai thotë në një moment se Skënderbeu ishte klubi në pronësi të Ministrisë së Financave, por në fakt gabohet në këtë rast, sepse u referohet vetëm fjalëve dhe thashethemeve që ka dëgjuar nga njerëz të afërt. Një tjetër pasaktësi në deklaratën e bërë nga Blanko është edhe fakti kur ai flet për ndeshjen Skënderbeu- Dinamo 3-2 në fund të fazës së parë. Blanko shprehet se skuadra e tij e mbylli pjesën e parë 2-0, por në fakt pjesa e parë mbaroi 0-0. Më pas, Dinamo kaloi në avantazh 1-0, Skënderbeu përmbysi 3-1 dhe në fund shënoi Bakaj, duke bërë që takimi të mbyllej 3-2.

Largimi i Blankos
Luis Manuel Blanko, së bashku me përgatitësin atletik Kolev, e kanë lënë Dinamon në ditën e fundit të vitit 2010. Atij iu desh të vërtitej për disa ditë në kryeqytet, derisa arriti të merrte edhe pagesat e fundit nga presidenti Sulaj. Me një marrëveshje xhentëlmenësh, ata janë ndarë në mënyrë konsensuale. Që pas ndeshjes me Laçin, të cilën e barazuan në kryeqytet 3-3, Dinamo mori tatëpjetën dhe me përjashtim të dy barazimeve, të tjerat i kishte humbje. Për rrjedhojë, duke e parë dhe situatën e vështirë ku ndodhej skuadra, Blanko pranoi largimin, duke ia lënë stafetën Ilir Dajës. Ky i fundit pas largimit lëshoi një sërë kritikash në adresë të drejtuesve të klubit.

Iljaz Çeço: Pazaret e Besnik Sulajt me Dinamon, shkatërroi klubin për pallate
Ai është i bindur se Dinamo ka shkuar drejt degradimit si klub vetëm për një arsye: për të pasur sa më lehtë më pas përvetësimin e kompleksit, “shtëpisë” së bluve të kryeqytetit. Që nga momenti i parë, sipas Iljaz Çeços, ardhja e Besnik Sulajt në krye të klubit ka pasur një skenar të mirëpërgatitur që vetëm me zhvillimin e sportit nuk përkonte. Ishshefi i klubit Dinamo në vitet 80 dhe aktualisht kryetar i shoqatës me të njëjtin emër, thekson se Sulaj, i ndihmuar edhe nga mbështetja e madhe e politikës në të dyja kahet, ka pasur si synim të qartë shndërrimin e kompleksit në një bllok të madh pallatesh. Pikërisht për këtë arsye sipas Çeços, Sulaj pat bërë edhe disa marrëveshje dhe kontrata me pronarët legjitimë të tokës ku është ndërtuar kompleksi, paçka se në Shqipëri ekziston një ligj, i cili ndalon kategorikisht tjetërsimin e ambienteve sportive. “E di që ekziston, por di edhe që shteti është i pari që e shkel. Ku është sot Partizani? Ku janë ambientet sportive që kishte ky klub?”, – thotë Iljaz Çeço në vazhdimin e ciklit të intervistave dhënë për “Panorama Sport”, për historinë e KS Dinamos.
Cili është vlerësimi juaj për Dinamon e dy dekadave të fundit?
Gjatë dy dekadave të fundit Dinamo ka pasur oshilacione të theksuara. Nuk ka pasur stabilitet, për shkak të mungesës financiare. Gjithashtu nuk ka pasur një bazë ligjore, ekonomike e financiare dhe për rrjedhojë është vërtitur sa në krye dhe në fund të tabelës së renditjes. Me pak fjalë, s’ka pasur kritere ligjore për një futboll profesionist. Ua kam thënë edhe më parë: vërtet atëherë, kur luanin ne futbolli quhej gjysmë profesionist, por ju siguroj se më profesionist ka qenë atëherë sesa tani dhe kjo nuk mund të thuhet vetëm për Dinamon, por për të gjitha klubet.
Si i keni parë zhvillimet te Dinamo dhe Partizani, vërejtur më së shumti në aspektin e drejtimit të klubit?
Si për njërin klub dhe për tjetrin problemi ka ardhur vetëm dhe ekskluzivisht nga shteti. Shikoni me kujdes: aty ku i ka interesuar këtij shteti që të investojë, gjërat kanë shkuar në drejtimin e duhur dhe aty ku nuk ka dashur t’ia dijë për asgjë, edhe pse si Partizani dhe Dinamon i ka pasur pronë të tyren, njëra e Ministrisë së Mbrojtjes dhe tjetra e Ministrisë së Brendshme, klubet kanë përfunduar siç janë sot, në dorë të disa matrapazëve që vetëm me futbollin nuk kanë lidhje. Fakti që si Partizani dhe Dinamo sot janë në kategoritë inferiore tregon se këto skuadra veçse një drejtim të shëndoshë nuk e kanë pasur. Por, në fund të fundit, ç’mund të presësh nga një mendje fshatari. Nëse në krye të klubit është një fshatar, e kam fjalën në mentalitet, një katundar, një gdhe, atëherë nuk ke sesi të bësh përpara. Nëse do që ta shkatërrosh një punë, një pasuri që ke vënë prej vitesh, jepja një fshatari dhe e ke të sigurt dështimin. Vihet drejtor teknik një saldator dhe largohen Mehdi Bushati, Mujo Targaj, Sulejman Demollari dhe shumë e shumë të tjerë që kanë bërë historinë e futbollit të Dinamos dhe ti pret që kjo skuadër të ecë përpara? Nuk ka asnjë shans dhe asnjë lidhje logjike. Besnik Sulaj, që në ditën e parë që erdhi te Dinamo, ishte me idenë që të pasurohej nga ai klub dhe jo të ndihmonte në zhvillimin e sportit. Dhe që të pasurohej, natyrisht i duheshin lidhjet me politikanët se bashkë me ata do t’i bënin pazaret.
Për çfarë pazare e keni fjalën?
Prisni se do të vij aty. Si fillim po ju tregoj sesi nisi epoka e Sulajt te Dinamo, sepse vetëm kështu gjithë sportdashësit, por edhe atyre shtetarëve që u ka mbetur ndonjë fije ndërgjegje dhe dashamirësie për sportin, nëse u ka mbetur, ta kuptojnë se çfarë gabimesh me dashje, e theksoj këtë, me dashje, se kanë qenë ata strumbullarët ose pjesë e shkatërrimit të klubit, kanë bërë jo vetëm me Dinamon, por edhe me Partizanin. Në vitin 2003, ai Besnik Sulaj më thërret mua dhe më kërkon që ta ndihmoja që të krijonim një shoqatë për Dinamon. Sipas tij, ishin rregulla të FSHF-së dhe UEFAs, ndaj edhe duhej krijuar sa më parë kjo shoqatë, me qëllim që klubi të ishte model për nga ana strukturore. Dhe natyrisht që duke qenë se Besnik Sulaj nuk kishte lidhje fare me futbollin, do përplasej te një ish-lojtar i Dinamos. Kështu që unë pranova në atë kohë dhe mblodha ikonat e Dinamos në vite. Thirra Zyber Konçin, Sabri Peqinin, Sul Demollarin, Mujo Targajn, Andrea Markon, Shyqyri Ballgjinin, Vasillaq Zërin, Mehdi Bushatin, pra gjithë parinë e Dinamos ndër vite. Krijuam edhe një grup pune me juristë për statutin dhe mblodhëm asamblenë. Sakaq, para asamblesë, Besnik Sulaj më thotë se president nuk donte që të ishte ai, por Mihal Delijorgji.
Përse Delijorgji dhe jo Sulaj?
Këtë nuk e di saktësisht dhe nuk tentova asnjëherë që ta mësoja se pak më ka interesuar, por kam përshtypjen se Sulaj në atë kohë kishte problemet e tij private me tregtinë e naftës se me atë merrej, ndaj nuk donte që të ekspozohej shumë. Nejse, ne e krijuam shoqatën, e cila funksionoi si e tillë realisht deri në vitin 2005, kur iku Delijorgji. Më vonë pashë pazarin që kishte bërë Sulaj, i cili gjatë asaj periudhe kishte krijuar një tjetër shoqatë paralele me emrin “SK Dinamo”, ku ishte vetë president dhe me anëtarë disa fshatarë nga Ballshi, që nuk kishin asnjë lidhje me Dinamon. Shikoni me vëmendje listën e emrave të asaj kryesie dhe vë bast me ju, nëse arrini të gjeni jo një ish-figurë të Dinamos që s’bëhet fjalë fare, por qoftë edhe një futbollist, një njeri që është marrë me sport. E kishin regjistruar në federatë dhe na kishin hequr ne nga kryesia e shoqatës. Por, gjithsesi, ky nuk ishte fundi i botës, pasi më e keqja për atë Dinamo tani e prapa do vinte.
Për çfarë bëhej fjalë?
Besnik Sulaj, pasi e kishte regjistruar klubin në emrin e tij, sesi një zot e di, e kishte nxjerrë në ankand. E tmerrshme, por besojeni se kjo është e vërteta. Kompleksi “Dinamo” kishte dalë në ankand nga Sulaj, i cili natyrisht që nuk do të kishte guximin ta bënte vetë pa mbështetjen edhe të politikanëve. Madje, ai “mister 20 përqindshi” që keni dëgjuar shpeshherë në media është pikërisht Dinamo. Aty ishin bashkë politikanë nga të dy kahet, te ai 20 përqindshi. Por çfarë u bë më konkretisht? Më 2005-ën nxjerr një urdhër Igli Toska (ministër i Brendshëm në atë periudhë në qeverinë socialiste), në të cilin thoshte që të niste privatizimi i kompleksit “Dinamo”. Nejse, të gjithë këtë procedurë më pas ia kishte kaluar Anastas Angjelit te Ministria e Ekonomisë. Megjithatë, në fillim duhet thënë se të dyja partitë ishin shprehur në heshtje, pro privatizimit të kompleksit ndaj edhe më pas ministri i PD-së, Bujar N i s h a n i , vazhdoi të njëjtën lojë, duke mbyllur sytë para maskaradës që po kurdisej për prishjen e një ambienti sportiv unik edhe në Ballkan, e jo më në Shqipëri, që nuk ekziston tjetër si ai.
Në ç’kuptim i mbylli sytë? Dinamo deri në 2010- ën ka qenë nën administrimin e Ministrisë së Brendshme…
Ai (ministri) nuk bëri që tjetër veçse shkriu shumësportshin te Dinamo, me qëllim që aty të ishte vetëm futbolli, pra vetëm Besnik Sulaj. Ky qëndron në mes të dyja partive pasi, deri në ato momente, e kishte rregulluar që secili do të merrte pjesën e vet. Në këtë kohë Besnik Sulaj shkon e takon pronarët legjitimë të tokës së kompleksit dhe nis të bëjë marrëveshje e kontrata me këta të fundit. Madje, edhe me një lloj fudullëku, duke u thënë: shikoni këtë tokë tani e kam unë dhe po të dua ua jap, po të duan nuk ua jap dhe nuk keni se çfarë të më bëni.
Toka aty kishte pronarë, nuk ishte e shtetit?
Jo, jo. Toka aty ka pronarë të ligjshëm, ish-pronarë. Dhe në këto kushte, ai bëri edhe pazar le të themi me pronarët e ligjshëm. Ra dakord me ata dhe bëri kontratat, me nga 200 euro metri katror, për shembull, shifra që realisht nuk i di, por po e marr si shembull. Kështu që u bë gati gjithçka që aty të prishej klubi dhe të bëheshin pallate. Vetëm se më vonë kur në lojë u futën edhe sekserë të ndryshëm u prish marrëveshja mes Sulajt dhe pronarëve, por edhe mes politikës, dhe aty nisën edhe ato deklaratat e Berishës për 20 përqindëshin dhe se gjoja Rama me njerëzit e tij aty donte të ngrinte pallate. Në një kohë kur deri në ato momente kishin qenë bashkë dakord për g j i t h ç k a , kështu që klubi do të prishej dhe aty do ngriheshin pallate.
Realisht mendoni se donin të prishnin kompleksin dhe të ndërtonin pallate?
Po, sigurisht që po. Madje, kjo ide vazhdon ende të qarkullojë. Edhe fakti që Dinamo është lënë në mëshirë të fatit për këto arsye bëhet. Shikoni, klubi nuk është prishur deri tani jo se nuk kanë dashur ta bëjnë një gjë të tillë ose u është dhimbsur shumë sporti. As që duan t’ia dinë për këtë, por thjesht se iu prish pazari i politikës mes njëri-tjetrit, ndaj dhe prishja e kompleksit nuk ndodhi. Por kësaj nuk i shpëtoi dot Partizani, të cilin e shkatërruan krejt. Ka pasur fusha dhe ambiente të jashtëzakonshme ai klub, po ja që ne nuk na duhet sporti, por pallatet. Hajt ta betonizojmë këtë vend, dhe kështu e shkatërruan Partizanin. Shkoni tani dhe shikoni e kërkoni se ku janë fushat sportive që i kishte ky klub. Dhe më e keqja është se ekziston gjoja ligji për mostjetërsim të objekteve sportive. Ekziston në letër, se vetë ky shtet bëhet nismëtar i shkeljes së ligjeve.
Kujt i përket stema e Dinamos aktualisht? Kush e ka këtë stemë?
Juridikisht klubi është i regjistruar në gjykatë nga shoqata jonë. Ne e kemi dërguar vendimin në ministri, pasi duhet që për këtë të shprehet edhe ministri Aldo Bumçi. I shkova në zyrë dhe ai ma ka shpjeguar në mënyrën më të thjeshtë të mundshme. Ministria është simbolikisht pronare e të gjitha stemave të klubeve në Shqipëri, por kjo nuk duhet ngatërruar me asetet, të cilat më pas u përkasin bashkive ose atyre që i kanë blerë, nëse ka të tillë. Kur privatizohet një klub, është MTKRS-ja që jep vlerësimin për sa i përket stemës. Këtë gjë i kërkuam ministrit, por ai për fat të keq nuk dha asnjë përgjigje. Mua m’u duk sikur nuk kishte haber fare se për çfarë po flitej.

‘Urdhri i ministrit, kompleksi do shitej për 30 mijë lekë m2”
Tridhjetë mijë lekë të vjetër për metër ka tror. Kjo është shifra për të cilën do të paguante ai person që do arrinte të privatizonte kompleksin “Dinamo” në vitin 2005. Dhe, natyrisht, në vijë të parë qëndronte Besnik Sulaj, i cili ishte edhe financuesi kryesor i klubit dhe njëkohësisht president i tij. Shifra e mësipërme, e deklaruar për herë të parë nga Iljaz Çeço, kishte dalë pas urdhrit që ministri i Brendshëm i asaj periudhe, Igli Toska (kujtojmë që në atë kohë KS Dinamo ishte në varësi të kësaj ministrie), kishte lëshuar për ndarjen e futbollit, pra ndarjen e KS Dinamos nga shumësportëshi. Menjëherë më pas ishte bërë nga ekspertë edhe vlerësimi i kompleksit nga kishte dalë vlera e mësipërme. “Më 2005- ën nxjerr një urdhër Igli Toska, i cili thoshte që të niste privatizimi i kompleksit ‘Dinamo’. Madje grupi i punës së ngritur në atë kohë e kishte vlerësuar as më shumë dhe as më pak se 30 mijë lekë të vjetër metrin katror te kompleksi. E merrni me mend tani se çfarë kanë pasur në mendje të bëjnë këta njerëz? Sigurisht, arsyet se përse kaq pak, i dinë vetë ata që e bënë këtë gjë. Nejse, tërë këtë procedurë më pas ia kishte kaluar Anastas Angjelit te Ministria e Ekonomisë dhe në fund do mbyllej gjithë cikli i privatizimit të klubit dhe kompleksit. Jo pa shkak, kur erdhi më vonë në pushtet, PD-ja e paditi në prokurori Igli Toskën, pikërisht për këtë gjë, pasi e konsideroi si një skandal. Megjithatë në fillim duhet thënë se të dyja partitë në heshtje ishin shprehur pro privatizimit të kompleksit, ndaj edhe më pas ministri i PD-së, Bujar Nishani, vazhdoi të njëjtën lojë, duke mbyllur sytë para maskaradës që po kurdisej për prishjen e një ambienti sportiv unik edhe në Ballkan, e jo më në Shqipëri, që nuk ekziston tjetër si ai”, konfirmon Çeço. Edhe pas atij urdhri, i cili daton më 19.05.2005 (urdhër numër 2107 – Për ndryshimin e mënyrës së funksionimit të klubeve sportive në varësi të Ministrisë së Rendit Publik), pra vetëm një muaj e disa ditë para zgjedhjeve të përgjithshme të zhvilluara në fillim të korrikut të atij viti, te kompleksi nuk ndodhi për fat të mirë asgjë. Kjo edhe për shkak të ndryshimit të pushtetit, nga e majta tek e djathta.

“Fatale që Dinamo paguan edhe për t’u stërvitur”
Ish-shefi i klubit Dinamo, Iljaz Çeço, prek një temë mjaft problematike për blutë gjatë sezonit të fundit: stërvitjen në kompleks. Sipas tij është e pamoralshme që klubi, megjithëse e ka shtëpinë e vet, duhet të paguajë për t’u stërvitur. Madje ai sjell në vëmendje edhe VKMnë, në të cilën nuk thuhet në asnjë rresht se Dinamo duhet të paguajë që të stërvitet te kompleksi me të njëjtin emër. “Më vjen keq që kompleksi ‘Dinamo’ është katandisur ashtu. Ka kaluar si pronë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Është për të ardhur turp që ekipi i Dinamos duhet të paguajë lekë që të stërvitet. Ky është një handikap dhe turp i madh. Të vjen keq kur aty janë stërvitur ekipe të tjera si Laçi, Kastrioti dhe Kamza, ndërkohë që vetë Dinamo duhet të paguajë. Të mos harrojmë se Dinamo, Partizani apo cilido ekip tjetër është pasuri kombëtare. Një klub duhet të ketë ekipe zinxhir, po ku do të stërviten ato. Tani është koha të ndërtojmë fusha. Dhe kjo duhet të bëhet urgjent. Shumë klube në Shqipëri nuk i plotësojnë kriteret që kërkon UEFA. Duhet të saktësojmë ndërkaq diçka që kryeministri Sali Berisha në vendimin e qeverisë ka thënë që klubi t’i kalojë si pronësi MTKRS-së, por aty nuk thuhet që duhet të paguajë për të bërë stërvitje ose për të përdorur hotelin. Ato kanë qenë dhe mbeten në funksion të Dinamos, në të kundërt ç’kuptim ka”, – thekson Çeço.

“Kemi mbështetjen e Bashës, por të reagojë MTKRS-ja”
Sipas Iljaz Çeços, i vetmi institucion në Shqipëri që i është përgjigjur me një lloj dashamirësie dhe jo vetëm ndaj shpëtimit dhe zhvillimit të KS Dinamos ka qenë Bashkia Tiranë. Çeço pohon se vetë kryebashkiaku Basha është treguar i gatshëm që ta ndihmojë klubin që në janarin e këtij viti, madje edhe me rikthimin e disa sporteve të harruara, por që kanë bërë historinë e sportit në Shqipëri, si volejbolli dhe basketbolli. “Duhet ta pranoj se Bashkia Tiranë na është përgjigjur pozitivisht. Kam takuar aty drejtorin për sportet, Artan Pogoni, dhe ai u tregua i gatshëm që t’ia transmetonte të gjithë problematikën kryebashkiakut Basha. ‘Ne do t’ju ndihmojmë me të gjitha mënyrat’, – na u tha nga bashkia, mjafton që ne, pra shoqata jonë, të jemi në krye të klubit dhe të njihemi si nga MTKRS-ja dhe nga federata. Madje, Basha ishte i interesuar që ta ngrinte në nivelet që ka pasur dikur edhe volejbollin. Kështu që unë besoj se nëse ministria dhe federata do kishin zbatuar thjesht vendimet e gjykatave si një e drejtë minimale e civile në këtë vend, ne do kishim shpëtuar këtë sezon, sepse e morëm bekimin e bashkisë që në muajin janar të këtij viti. Gjithsesi më mirë vonë se kurrë, ndaj presim që kjo gjë të ndodhë tani”, – shprehet Çeço.

Iljaz Çeço: Ja se si e krijoi Dinamon Mehmet Shehu për ‘inat’ të Partizanit
Dinamo është një emër i madh i futbollit shqiptar, kjo referuar më së shumti titujve që kjo skuadër ka fituar që nga 1950-ta kur u krijua. Ndaj, atij të parit, i cili jo vetëm e ka veshur fanellën e këtij ekipi, por edhe e ka drejtuar atë, i vjen keq kur e sheh për herë të parë një kategori më poshtë. Në këtë këndvështrim, duke dashur të japë një mesazh të qartë, jo vetëm publikut futbolldashës, por edhe drejtuesve (shtet dhe federatë), një prej legjendave të Dinamos, Iljaz Çeço, tregon historinë e këtij klubi, nisur më së shumti nga eksperienca personale, qoftë si futbollist, qoftë edhe si zyrtar i bluve të kryeqytetit. “Dinamo u krijua edhe si një antitezë e Partizanit, por kjo nuk bëri gjë tjetër veçse rriti konkurrencën në futbollin tonë, ndaj duhet parë si një vlerë që nuk duhet zhbërë”, – shprehet Çeço në pjesën e parë të intervistës dhënë “Panorama Sport”.
Dinamo është krijuar në 1950 nga disa prej pushtetarëve më të lartë të asaj periudhe ndaj, duke parë edhe sesi kanë shkuar gjërat në dy dekadat e fundit, duket sikur ka një lloj mospërfillje kundrejt ekipeve të ngritura nga strukturat komuniste, apo jo?
Është e vërtetë që klubi u ndërtua nga Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu dhe, për hir të së vërtetës, duhet thënë se që në fillim kishte të gjitha mundësitë për të konkurruar denjësisht në kampionat. Jo më kot fitoi edhe pesë tituj radhazi dhe kupa më pas. Por nuk jam aspak dakord me ju dhe idenë që ju thoni se çdo gjë e ndërtuar në atë kohë duhet të zhbëhet tani.
Në fakt nuk është diçka e konstatuar nga unë, por pak a shumë kjo gjë ka ndodhur…
OK, por duhet ta pranojmë ama se Dinamo, ashtu sikundër edhe Partizani, janë një vlerë e shtuar e futbollit dhe do të ishte fatale ta imagjinoje këtë sport kaq popullor pa këto dy skuadra. Unë nuk mund të pranoj logjikën se, ngaqë janë krijuar nga drejtuesit e asaj kohe, tani duhet t’i shkatërrojmë. Kjo është idiotësi dhe fatalitet sipas meje. Vetëm popuj pa pikë kulture arrijnë deri në meskinitete të tilla. Nga ana tjetër dua të konstatoj se Dinamo, për aq sa unë kam dijeni, u krijua më shumë si një antitezë e Partizanit, me qëllim që të kishte realisht rivalitet në futboll, ndryshe me atë lloj logjike do të kishte fituar vetëm Partizani në atë kohë.
Dakord, por nëse përdor pushtetin dhe me pahir lojtarët më të mirë, normal që edhe do fitosh, apo jo?
S’është tamam ashtu. Nuk besoj se te Dinamo vinte njeri me pahir, e kundërta është e vërtetë. Por normal që ishte një klub, që mbështetej nga pushtetarët e kohës, ashtu sikundër edhe Partizani. Në fund të fundit ishte klubi i Ministrisë së Brendshme, ndaj edhe shihej me një sy krejt tjetër. Sakaq, kishte absolutisht lojtarët më të mirë të kohës si Zigni Gjinali, Skënder Jareci, Sabri Peqini, Qamil Teliti, Bule Vathi, Bahri Kavaja, Qemal Vogli, e shumë e shumë të tjerë që kanë bërë historinë e futbollit shqiptar dhe jo vetëm të Dinamos.
Ndër këta që përmendët më lart ka edhe nga ata që u arratisën ose u dënuan nga pushteti ama…
Po, por kjo tregon në një farë mënyre se nuk kishim të bënim me familje të ndritura, ose që mbaheshin me hatër ose mbështeteshin nga regjimi. Pjesa më e madhe e lojtarëve të Dinamos kanë qenë më së pari të talentuar dhe më pas edhe të shkolluar. Nuk kishte lojtarë, e kam fjalën për ekipin e parë që nuk ishte i arsimuar. Për shembull Qemal Vogli, i cili edhe u dënuan në ’56-ën kishte gradën major, për të mos folur më pas për Skënder Jarecin, Zihni Gjinalin e shumë të tjerë që kishin personalitet si në fushën e lojës, por edhe jashtë saj.
Gjithsesi, duke qenë një skuadër e dalë nga Ministria e Brendshme afërmendsh që ishte edhe disi e privilegjuar në raport me të tjerat?
Po, në raport me skuadrat e rretheve dhe me Tiranën, nuk them se ishim të privilegjuar, por shiheshim me një sy tjetër. Ndërsa nuk ndryshonte asgjë në raport me Partizanin. Përkundrazi me Partizanin kishte më shumë inate, prandaj edhe derbi me këtë skuadër ishte shumë herë më i fortë sesa me Tiranën. Kur luhej derbi, para dhe pas vijonin telefonatat mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Brendshmes, e kam fjalën të drejtuesve që i nxirrnin inatin njëri-tjetrit. Pra derbi ishte i nxehtë dhe niste që në rangjet më të larta e deri te ne futbollistët e tifozët.
Thatë inat, për çfarë e keni fjalën?
Po, vetë Dinamo siç iu thashë është ngritur në 1950-ën për t’i bërë një lloj oponence Partizanit të Ministrisë së Mbrojtjes. Ishte koha kur ajo skuadër po fuqizohej shumë, pasi po merrte lojtarët më të mirë nga gjithë vendi, ndaj u hodh ideja e krijimit të një skuadre tjetër që kishte edhe një lloj rivaliteti. Pikërisht ky rivalitet solli normalisht edhe përplasjet dhe inatet mes pushtetarëve të asaj kohe, pasi disa mbronin Dinamon dhe disa Partizanin.
Kush e pati idenë e krijimit të Dinamos?
Të them të drejtën këtë nuk di ta them me siguri pasi, nuk kam qenë në atë periudhë. Megjithëse me atë që kam dëgjuar më pas kur luajta me Dinamon, iniciatori kryesor ka qenë Kadri Hazbiu. Ky ishte dhe tifozi më i zjarrtë i Dinamos.
Vinte gjithnjë në stadium?
Ah, nuk kishte shans të mungonte në një ndeshje. Po jo vetëm ai, edhe Mihallaq Ziçishti ishte një tifoz i çmendur i Dinamos. Siç e dini Kadri Hazbiu e mbante foton e Qemal Voglit në tavolinën e punës, aq i çmendur ishte pas atij dhe Dinamos në tërësi. Madje, një herë siç thuhet në ’54-ën, disa ditë para derbit Partizani- Dinamo, Qemal Vogli kishte qenë i sëmurë me tifo dhe për ta sjellë në vete me qëllim që të luante, Kadri Hazbiu kishte çuar posaçërisht njerëzit e tij me avion në Itali, ku i kishin marrë ilaçe, me qëllim që ai të shërohej sa më shpejt. Pra, ka pasur edhe gjëra të këtij tipi në atë kohë, pasi ata drejtues vërtet e donin dhe mbështesnin futbollin. Natyrisht, nuk ka të krahasuar me kohën e tanishme. Ata ishin njerëz të apasionuar pas futbollit dhe bënin të pamundurën për ta zhvilluar këtë si sport dhe jo vetëm futbollin. Ata ku të bënin fusha sportive jo ku të prishnin terrenet për të ndërtuar pallate sikundër sot, apo të shkrinin totalisht klube dhe groposur historinë e një klubi.
Gjithsesi duhet pranuar se në atë kohë futbolli ka qenë amator, ndërsa tani është profesionist?
Nuk është ashtu siç thoni ju. Më vjen keq t’ju kundërshtoj, por më thoni se kë quani ju profesionist dhe kë quani amator? Si mund të quhet amator një futbollist, merr një emër cilin të duash të atyre kohërave që bënte dy seanca të rregullta stërvitore në ditë. Që kishte në dispozicion fushën e stërvitjes, mensën, palestrën, hotelin dhe gjithçka tjetër që i nevojitej një sportisti. Merrte edhe një rrogë që, duhet thënë se, në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë ishte edhe më e lartë dhe sigurisht që për ta justifikuar këtë pagë viheshin epitete të tipit: oficer, major, jurist, etj. Realisht ai ka qenë futboll profesionist edhe për mënyrën sesi shteti dhe federata kishin rregulluar garën, masivitetin dhe përzgjedhjen që u bëhej sportistëve. Më thuaj tani se çfarë profesionistësh kemi kur një klub si Dinamo i volejbollit, një superskuadër nuk ekziston më.
Thatë masivitet, por edhe tani ka mjaft të rinj që merren me sport?
Por, jo si në atë kohë. Asokohe ishte vetë shteti që kishte organizuar në mënyrë të atillë që nga pionierët dhe deri te sportistët profesionistë. Unë për shembull jam zgjedhur nga spartakiada e pionierëve. Këto ngjarje shumë të dobishme, të cilat tani janë fshirë, bëheshin çdo vit nga data 1-21 gusht dhe ngjanin gati me Lojërat Olimpike. Po a di se çfarë do të thotë që të mblidhje për 21 ditë nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, nga të gjitha sportet dhe ta organizoje këtë aktivitet? Le ta bëjnë tani të njëjtën gjë, pse nuk e bëjnë. Dua të them se, ai shtet me një mijë e një të këqija që mund të ketë pasur, por të paktën sportin e mbronte dhe kultivonte, tregonte interes të veçantë dhe normal që më pas do të dilnin edhe kampionë. Mund të them me plot gojën se spartakiada ishte si një fidanishte, nga ku dilnin më pas të gjithë talentet e futbollit. Kishte specialistë që vlerësonin aftësitë e fëmijëve. Nga këto fidanishte kam dalë unë, por kanë dalë dhe emra të mëdhenj të kohës si Medin Zhega, Ali Mema, Sabah Bizi, Mexhit Haxhiu, Fatmir Frashëri, dhe shumë e shumë të tjerë.
Ju e keni nisur karrierën tuaj jo te Dinamo, por te Traktori i Lushnjës, mbani mend se si ju rekrutuan?
Nuk ka shanse ta harroj. Unë kam luajtur me ekipin e parë të Traktorit në moshën 14-vjeçare. Në të vërtetë me sport jam marrë që në moshën 10 vjeç, por për herë të parë me ekipin e parë lushnjar kam luajtur në vitin 1961. E para ndeshje e imja me skuadrën ishte një miqësore ndaj rezervave të Tiranës, të cilën e fituam 2-0. Pastaj ndeshjen e parë zyrtare me fanellën e Traktorit e kam luajtur ndaj Korabit më 13 janar 1962, në moshën 15- vjeçare. Por, para se të vijmë këtu, unë personalisht pata kaluar një traumë. Në vitin 1961 para se të nisja tamam futbollin më vdiq babai. Për fat të keq atë vit ra edhe një tërmet dhe shumë familje mbetën pa shtëpi. Ne jetonim në një çadër në atë periudhë në pritje që të rregulloheshin shtëpitë. Realisht ishin kohë të vështira. Ndaj dhe unë, si të thuash, gjeja vetveten te futbolli dhe gjithë ditën e kaloja duke luajtur. Madje mbaj mend që edhe këpucë nuk kisha, pasi më rrinin të mëdha, ndaj i fusja pambuk brenda që t’i mbushja. Traktori i Lushnjës në atë periudhë bëri goxha përparime, sepse në krye kishte një trajner si Roza Haxhiu dhe menjëherë sapo u ngjit në Kategori të Parë, shteti dërgoi në krye të ekipit Adem Karapicin. Lojtar i madh, por edhe një trajner i madh, i cili kishte drejtuar edhe Kombëtaren. Ai më zgjodhi si futbollist.
Si? A mund të na jepni më shumë detaje?
Ai më kishte parë krejt rastësish në një ndeshje në spartakiadë dhe më kishte pikasur, por duke qenë se unë isha i vogël nuk kishte mundur të më gjente. E kush i tregonte atij për mua, sepse në fakt edhe nuk më njihnin, ndaj u desh një orë mësimi fizkulture në shkollë kur Adem Karapici erdhi për të dhënë mësim dhe aty më kishte mbajtur mend dhe më tha që ditën tjetër të shkoja te skuadra e parë e Traktorit. Më pyeti se ç’njerëz kisha e ku jetoja, dhe unë normalisht i thashë të vërtetën që isha pa baba dhe jetoja në çadër. Ai u tromaks në fillim dhe më tha se ditën tjetër do shkonte bashkë me mua në Komitetin Qendror të rrethit.
Kush ishte drejtues në atë kohë në Lushnjë?
Qemal Myrseli, fatmirësisht një mik i babait tim, i cili më vonë më ndihmoi goxha. Demi (Karapici) iu fut në zyrë dhe i tha: “Kam zbuluar një talent, vetëm se është ende i vogël. Por ai duhet të hajë, të bëjë regjim dhe të ketë një strehë ku të fusë kokën”. Kaq u desh që Qemali të jepte urdhër që unë të regjistrohesha te klubi i Traktorit, ku më dhanë dhomë dhe u regjistrova në mensë. Më pas trajneri organizoi një ndeshje mes Traktorit dhe skuadrës së rezervave të Tiranës, rezerva i thënçin, se me ata luante Kazanxhi, Niko Xhaçka, Ali Mema dhe aty fituam 2-0 ne. Unë shënova njërin nga golat dhe aty nisi zyrtarisht, le të themi, karriera ime.
Ju ishit ende 15 vjeç, nuk ishte disi e vështirë për fizikun tuaj të luanit përballë emrave të mëdhenj të asaj kohe, madje shumë herë më të fortë sesa ju?
Jo, sepse trajneri më bënte stërvitje të diferencuar me qëllim që unë ta merrja avash-avash ngritjen fizike. Si fillim më fuste 10 minuta në lojë, më pas 20, 30 e derisa arrita që të luaja nga minuta e parë deri në fund. Një veçori e tija, të cilën nuk e harroj kurrë ishte kur më detyronte të ecja me topin në këmbë, por me kokën lart. Nëse e ulja kokën kishte problem me të, qortimet ishin më e pakta. Ishte i rreptë në stërvitje dhe e dinte se çfarë kërkonte. Tek unë shikonte stofin e një talenti, ndaj më thoshte: “Kokën lart dhe llogarite vetë se ku është topi”. Këto lloj seancash stërvitore më rritën realisht shumë dhe më bënë më pas lojtarin që isha deri në `78- ën kur e lashë futbollin. Që aty nisa të bëjë gola thuajse në çdo ndeshje, aq sa rashë në sy të trajnerëve të ekipeve kombëtare, ku edhe u grumbullova fillimisht me Kombëtaren C, më pas me B-në që ishin Shpresat dhe në fund me ekipin e parë.

Kush është ILJAZ ÇEÇO
SKEDA
Datëlindja: 03.01.1947
Vendlindja: Lushnjë
Vendbanimi: Tiranë
Pozicioni: Sulmues
Gjendja civile: I martuar, dy fëmijë
Karriera
Traktori: 1961-1963
Dinamo: 1964-1978
Me Kombëtaren: 11 ndeshje
Trofe me Dinamon: 5 tituj, 4 kupa, 2 spartakiada
Profesioni aktual: Jurist

Një shtet i tërë “më këmbë”, ja se si lindi klubi Dinamo

KRYESIA E PARË E KS DINAMO
Mehmet Shehu – kryetar nderi
Kadri Hazbiu – kryetar i kryesisë
Nexhdet Take – sekretar i kryesisë
Josif Pashko – anëtar
Mihallaq Ziçishti – anëtar
Andon Mazreku – anëtar
Vasil Prifti – anëtar
Isuf Pelingu – anëtar
Skënder Dedja – anëtar

KS Dinamo është krijuar në verën e 1950 me iniciativë të një grupi sportistësh, por të mbështetur natyrisht nga pushtetarët komunistë, të cilën donin që të krijonin edhe një skuadër tjetër, në oponencë të Partizanit (Ministria e Mbrojtjes). Këtë herë fillesa vinte nga Ministria e Brendshme. Nismat e para për krijimin e kolektivave fizkulturore vullnetare në strukturat e kësaj ministrie u shfaqën që në vitin 1948-1949, duke organizuar aktivitete në disa lloje sporti. Më pas u zgjodhën delegatë për në konferencat lokale, nga ku dolën shoqëritë sportive “DINAMO” nëpër rrethe të ndryshme të vendit, si në Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Berat, Korçë etj., të cilat zgjodhën përfaqësues për në Konferencën e Parë Nacionale të shoqërisë vullnetare “Dinamo”. Për organizimin e kësaj konference ishte urdhëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu, të merrej zv/ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, i cili krijoi një grup pune. Konferenca zgjodhi Këshillin Qendror të shoqërisë të përbërë prej 23 personash. Qëllimi i shoqërisë fizkulgrumbullimi rreth vetes i mijëra aktivistëve e sportistëve, të kontribuonin në zgjerimin e lëvizjes fizkulturore të vendit. Konferenca Nacionale aprovoi edhe rezolutën. Më pas u zgjodh edhe kryesia e parë e shoqërisë “Dinamo” me këtë përbërje: Mehmet Shehu, kryetar nderi; Kadri Hazbiu, kryetar i kryesisë; Nexhdet Take, sekretar i kryesisë; Josif Pashko, Mihallaq Ziçishti, Andon Mazreku, Vasil Prifti, Isuf Pelingu dhe Skënder Dedja, të gjithë anëtarë. Sekretarë apo shefa të klubit gjatë këtyre viteve kanë qenë: Nezhdet Take, Tahir Çobani, Rexhep Avdia, Vaske Afezolli, Petrit Arbana, Çlirim Hysi, Iljaz Çeço, Mehdi Bushati, Rauf Dimraj, Sokol Morina, Gjergji Ruli dhe Bujar Begeja. Nga dita e themelimit e deri në vitin 2010, KS Dinamo ka qenë në varësi të Ministrisë së Brendshme, ndërsa më pas, me një VKM të Këshillit të Ministrave, klubi kaloi në varësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS). (Pjesë të historikut të marra edhe nga faqja zyrtare e klubit).

“Si u birësova nga një kolonel që të luaja te Dinamo”
Fjala, se edhe Lush nja kishte nxjerrë një talent në futboll, kishte rënë në vesh të të gjithëve, por në rresht të parë ishte vënë natyrisht Partizani, skuadër kjo që për shkak edhe të mbështetjes së madhe politike kërkonte me çdo kusht që ta bënte të sajin Iljaz Çeçon. Ndërkaq, trajneri i Traktorit të Lushnjës, Adem Karapici (një emër i madh i trajningut shqiptar), po bënte të pamundurën që Çeçon ta sistemonte te 17 Nëntori (Tirana sot) ose te Dinamo. Këtu përqendrohet pjesa e dytë e intervistës së ish-legjendës së bluve të kryeqytetit dhënë “Panorama Sport”. Gjithashtu, Çeço tregon edhe incidentin e Shijakut ku i ra të fiktë pas shënimit të golit dhe tifozët uzurpuan fushën e lojës, aq sa u desh ndërhyrja e policisë për të shpërndarë turmën.
Sa vite luajtët me Traktorin e Lushnjës?
Me skuadrën e parë të Traktorit luajta dy vjet, 1961-1963. Ishin vitet e formimit tim cilësor si futbollist.
Si ndodhi që ju u shkëputët shpejt nga skuadra lushnjare dhe u bëtë pjesë e Dinamos?
Nuk fakt nuk qe aspak e lehtë, pasi me shumë gjasa mund të kisha përfunduar te Partizani dhe jo te Dinamo.
Deshët ju të shkonit te Partizani, apo ashtu ishin urdhrat?
Jo, jo, po ku kishte dëshirë atëherë… Bëhej ashtu siç vendosnin atë të parisë. Atë vit te Partizani kishte nisur një valë e madhe e mbledhjes së elementëve më të mirë, e në këtë listë isha përfshirë edhe unë. Ekipi do të shkonte për një turne në Vietnam më duket dhe drejtuesit e klubit po shikonin që të gjenin lojtarët më të mirë në të gjithë Shqipërinë. Një kombëtare e vogël me pak fjalë. Por para këtij rekrutimi unë kisha luajtur një ndeshje me Traktorin në Tiranë ndaj Dinamos ku shënova edhe golin dhe pata rënë shumë në sy të drejtuesve. Direkt pas ndeshjes, trajneri Adem Karapici më mori me vete te restorant “Vollga”, siç quhej asokohe, dhe aty takuam Selman Stërmasin. Ideja ishte që Demi (Karapici) të më çonte te Tirana, ndaj i tha Stërmasit për këtë gjë, por ky ia preu shkurt: “Në asnjë mënyrë jo! Aty luhet me fise ore Adem dhe e djeg kot këtë djalë. Kush e le atë që të luajë aty, aq shumë lojtarë të tjerë sa ka”. “Po sikur ta çoj te Partizani?”, – i thotë sërish Karapici. “As te Tirana dhe as te Partizani mos të të shkojë mendja ta çosh. Më mirë rregulloje po pate mundësi andej nga Dinamo, se ata (drejtuesit e kishte fjalën) përveç futbollit i fusin edhe në ndonjë shkollë, se ky qenka edhe fare i vogël”, – i kthen Stërmasi.
E më pas çfarë ndodhi?
Ndodhi që Adem Karapici dhe Roza Haxhiu më thanë që të mos shkoja në rekrutim me Partizanin se do gjenin një mënyrë për të më çuar te Dinamo. Nga ana tjetër, drejtuesit e Partizanit i kishin çuar fjalë Sekretarit të Parë të Lushnjës, Qemal Myselit, se më donin me patjetër në skuadër. Ky u kishte thënë: “Pa problem, jua jap”. Në fakt, Qemali më donte shumë dhe më trajtonte gati si djalin e tij, sepse kishte qenë shok me babanë. Madje kur luaja larg Lushnjës në atë kohë, për shembull në Korçë, ai më vinte makinën në dispozicion, makinën e tij, me qëllim që të mos kthehesha me skuadrën dhe të vonohesha, por të shkoja sa më shpejt në Lushnjë e të mos lija orën e mësimit për ditën tjetër. Realisht ishte njeri i mirë dhe më pat ndihmuar goxha. Madje pat dhënë urdhër në atë kohë që të më akordonin edhe një rrogë të vogël, rreth tre mijë lekë në muaj, si dhe më kishte futur në listën e atyre që do merrnin edhe shtëpi. Ndaj ai mendonte se shkuarja ime te Partizani do ishte gjëja më e mirë, kështu që u kishte dhënë fjalën drejtuesve të këtij klubi. Një ditë të bukur, Loro Boriçi, Besim Fagu, Muharrem Kokomani dhe shumë të tjerë, pra gjitha paria dhe gjeneralët e Partizanit, mbërritën në Lushnjë. Vetëm Petrit Dume dhe Beqir Balluku nuk kishin ardhur në atë takim.
Ideja ishte që t’ju merrnin te Partizani, apo jo?
Po, sigurisht, por para se të takohesha me ata, Roza Haxhiu dhe Dem Karapici më mësuan edhe se çfarë duhej të thosha. Që gjoja unë isha lojtari kryesor i Traktorit dhe skuadra ishte në play-out dhe në atë mënyrë nuk mund ta braktisja, pasi ishte ekipi i qytetit tim. Nuk mund të braktisja dhe të zhgënjeja tifozët, pra kësi gjërash, mjaft që ata të mos kishin mundësi të më merrnin në turneun në Vietnam. Vjen momenti dhe më thërrasin. I pari flet sekretari i Lushnjës, Qemali: “Ti tani je evidentuar dhe me një skuadër si Partizani mund të zhvillosh talentin tënd, ndaj duhet të shkosh ne Vietnam dhe më pas të bëhesh edhe pjesë e kësaj skuadre të madhe’.
Po ju si iu përgjigjët?
Normal, thashë ato çka më kishin mësuar Roza Haxhiu me Adem Karapicin. I mëshova faktit që nuk mund të shkoja e ta lija skuadrën në baltë në këtë moment, sepse nëse binte nga kategoria do zhgënjeja tifozerinë që më kishte respektuar aq shumë. “Hiç mos e vra mendjen, – ma ktheu, – se Lushnja do qëndrojë në Kategori të Parë, pasi e kanë rregulluar këta atë gjë”, e kishte fjalën për drejtuesit e Partizanit. “Po jo, – i thashë unë, – se edhe po shkova, për moshën që kam unë do digjem si lojtar, për arsye se Partizani ka shumë futbollistë të tjerë mjaft të mirë, ndaj do ishte më mirë që unë të rrija, të mos shkoja në Vietnam dhe më pas kur skuadra të kthehet të shikoj e të bëj. Atëherë mund të shkoj te Partizani”. Unë e kisha problemin sa të shkëputesha nga ai moment.
Po Boriçi e Fagu folën?
Jo, nuk është se folën, por e pashë që u mërzitën. U mërzit shumë edhe sekretari i Lushnjës. Madje, Loro Boriçi nga ai moment më mori shumë inat, gjë që ndikoi më vonë edhe në Kombëtare, sepse herë më grumbullonte e herë jo. Herë më fuste në lojë e herë jo, si t’i vinte. Nejse, iku ai moment, Partizani shkoi në Vietnam, kurse unë qëndrova te Lushnja për ndeshjen me Erzenin.
Edhe kjo ndeshje ka pasur një histori mjaft të diskutueshme në atë kohë, çfarë ndodhi realisht?
Në sezonin 1962-1963, domethënë vitin e fundit që qëndrova në Lushnjë, Traktorit iu larguan disa lojtarë cilësorë dhe në fund të ka mpionatit u rendit i parafundit. Kështu që i binte që të luhej një ndeshje shtesë me Erzenin e Shijakut, ku edhe do mësohej se cila skuadër do qëndronte dhe cila do binte nga kategoria. Në ndeshjen e parë në Lushnjë ne fituam 3-1 dhe më pas do luanim në Shijak. Atë ditë, si për dreq, unë nuk isha në gjendjen time më të mirë, për shkak të një tërheqjeje muskulore, por trajneri më tha që të futesha në fushë dhe vetëm të rrija te zona e tyre, se me hir a me pahir do t’i mbaja aty dy mbrojtës që do më ruanin mua. Mirëpo Erzeni shënoi golin e parë, shënoi edhe të dytin dhe gjithçka u komplikua. Në minutën e 20-të të pjesës së dytë mora një pasim dhe, ashtu siç isha me shpirt ndër dhëmbë, pasi kisha dhimbje, shmanga një mbrojtës, edhe të dytin përballë portierit dhe shënova. Topi hyri në rrjetë, ndërsa unë rashë në fushë pa ndjenja.
Ju ra të fikët prej dëmtimit?
Po, sigurisht. Vetëm kur u përmenda, pashë që kisha mbi kokë doktorët, një rrëmujë e madhe, pasi gjithë tifozët kishin zbritur në fushë. Pyeta se çfarë kishte ndodhur dhe më thanë se shijakasit kishin pretenduar për pozicion jashtë loje, por arbitri – ishte Ramiz Pregja – kishte dhënë gol të rregullt. Gol ky që eliminonte Erzenin, ndaj edhe kishin zbritur tifozët në fushë. Në një moment u dëgjuan edhe krisma pistolete. Policia ndërhyri me dhunë. Nga ai moment u dha urdhër nga federata që ndeshje të tilla të mos luheshin veçse në Tiranë. Kështu që u anuluan ato dy takime dhe u luajtën dy ndeshje të tjera në kryeqytet, ku ne fituam 3-0 ndeshjen e parë dhe 6-2 të dytën.
Ndodhnin të tilla incidente edhe në atë kohë?
Rrallë, po ja që ndodhnin. Për hir të së vërtetës, kishte një org a n i z i m shumë herë më të madh nga ana e shtetit dhe policisë sesa tani. Jo vetëm në atë rast që policia ndërhyri menjëherë dhe turma u shpërnda, e natyrisht më pas u bënë edhe verifikimet e rastit për atë incident, por edhe në takime të tjera në stadium ishte thuajse e pamundur që të dëgjoje një fjalor të tillë rrugaçërie sikundër tani. Po, bëje tifozllëk për skuadrën tënde, por nuk kishte shanse që ti të filloje e të shaje me libër shtëpia kundërshtarët në kor, pasi ndërhynte menjëherë policia dhe më e pakta të nxirrte jashtë stadiumit. Ndonëse, ka pasur mjaft raste kur përfundoje në Kërrabë që të vije në këmbë, pastaj në Tiranë ose në hetuesi, ku nuk mungonin dhe “formalitetet”. Nga kjo anë duhet ta pranojmë se ka pasur shumë herë më tepër rregull dhe futbolli ishte shumë herë më i pastër dhe i ndershëm, kjo në krahasim me kohën e tanishme.
Po pastaj si kaluat te Dinamo?
Nga aty nisën edhe tratativat e para që të kaloja te Dinamo. Po int e r e s o h e j vetë Kadri Hazbiu dhe Llambi Peçini, por duhej gjetur një sebep, një klauzolë, që unë të largohesha nga Lushnja për në Tiranë, se edhe këto ishin të sikletshme nuk të linte kush të bëje ç’të doje, duhej të jepje llogari për çdo veprim.
Edhe pse në lojë ishte futur edhe ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu?
Po, po, sepse një protestë e vogël ose ndonjë letër që mund t’i çonte populli i Lushnjës për shembull Partisë, drejtuesve, Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës, Kadri Hazbiu do ishte i detyruar që të jepte llogari. Pra, nuk ishte kaq e thjeshtë për t’u bërë. Mirëpo kur ne zhvilluam dy ndeshjet me Erzenin në Tiranë dhe i fituam, unë më pas qëndrova në kryeqytet te Dinamo që në atë moment, pavarësisht se letrat nuk i kisha marrë ende nga klubi i Lushnjës. Ndërkohë, populli atje kishte dalë përpara për të pritur skuadrën dhe kur nuk më kishin parë edhe mua me të tjerët, kishin filluar të shanin se pse më morën, pse ika, jo tradhtar etj, etj. Nejse, drejtuesve të Dinamos më shumë sesa këto, i shqetësonte fakti se si do ta argumentonin këtë gjë. Lushnja nuk po më jepte federimin nga njëra anë dhe drejtuesit e Dinamos kishin frikë të dilnin haptazi edhe sepse, siç ju thashë më lart, mund të kishin popullin e Lushnjës kundër ose edhe ndonjë ankesë nga Partizani, i cili më pat kërkuar para Dinamos dhe unë shkova. Normalisht Loro Boriçi, Besim Fagu dhe drejtuesit e tjerë nuk ta falnin kollaj një gjë të tillë, pasi ata donin që Partizani të ishte skuadra më e fortë dhe më e mirë e kampionatit.
Po atëherë si bënë? Si u zgjidh?
Gjetën në Ministri të Brendshme një person, një kolonel me origjinë nga Çamëria nga jam edhe unë, i cili ishte pa fëmijë. Ishte i martuar, por nuk bënin dot fëmijë. Dhe u gjet kjo mënyrë sikur ai do më mbante mua, pra një lloj birësimi, por që në realitet normalisht nuk ndodhi, ky ishte veç shkaku, sepse unë edhe kur kalova te Dinamo rrija, flija dhe haja në klub. Ai, koloneli, u paraqit një ditë në Ministri të Brendshme para se të ishin bërë të gjitha bisedat dhe tha se këtë djalë, pra mua, e kishte marrë ngaqë nuk kishte fëmijë. Kurse unë u thashë që (kolonelin) e konsideroja si dajë etj, etj, gjëra të këtij tipi. Kështu që u vendosa në Tiranë dhe u regjistrova te gjimnazi “Petro Nini”, ku edhe mbarova shkollën e mesme.
Kishte ndonjë arsye që ju çuan te gjimnazi “Petro Nini”?
Nuk e di realisht, por aty shkonin më së shumti fëmijët e parisë, le të themi. Madje, kur unë kam shkuar ditën e parë aty, jam ndier në një siklet të jashtëzakonshëm, sepse kur hyra në klasë isha i vetmi me tuta dhe atlete. Normalisht, gjithë të tjerët ishin të veshur si mos më mirë, ndaj kjo gjë ra në sy edhe të drejtorit të shkollës dhe të profesorëve të tjerë. Kështu që u desh që një ditë më vonë mua dhe Mehdin Zhegën, edhe ai sapo kishte ardhur te Dinamo, na çuan në një rrobaqepësi nga rruga e burgut ku punonin vetëm gratë e burgosura dhe na qepën dy kostume. Megjithatë, ndonëse u regjistrova në shkollë dhe figuroja sikur isha pjesë e familjes së kolonelit të Ministrisë së Brendshme, peripecitë nuk kishin të sosur, pasi de jure nuk isha ende pjesë e Dinamos për shkak se nuk kisha marrë dot federimin.

Luajti me Dinamon, por kulmin e pati ndaj Ajaksit me 17 Nëntorin
Iljaz Çeço ka luajtur gjatë gjithë karrierës së tij me Traktorin e Lushnjës dhe Dinamon. Por, si kulm të jetës së tij futbollistike ai mban mend dy përballjet me Ajaksin e Amsterdamit, i cili luajti në 1970-ën përballë 17 Nëntorit (sot Tirana). Faktikisht, pushteti i asaj kohe nuk lejonte merkato futbollistësh, por kur vinte puna për ndeshje ndërkombëtare, shumë lojtarë nga skuadra të tjera luanin për ekipin në fjalë me qëllim që klubet shqiptare të ishin sa më dinjitozë. Kështu ndodhi më 1970-ën, kur Tirana mori nga Dinamo Iljaz Çeçon, Gani Xhafën, Koço Dinellën dhe Mehdi Zhegën. “Kulmi i karrierës sime ishte përballja me Ajaksin, kur unë dhe disa lojtarë të Dinamos veshëm në atë periudhë fanellën e Tiranës. Myslim Alla ishte trajner dhe kishte respekt të madh për mua. Ai më tha të rrija rezervë për të qenë më pas i freskët në fushë, pasi holandezët ishin të përgatitur fizikisht. Ata shënuan dy gola të shpejtë. Bënë futboll total, gjë që ne nuk e njihnim. Unë u futa në fushë dhe luajta shumë mirë Dolëm 2-2. Në ndeshjen e kthimit luajtëm më mirë, pavarësisht se humbëm. Madje më thanë të qëndroja atje. Isha 23 vjeç. Mbaj mend që Dinella bëri pritje të papara. Pas pesë ditësh luajtëm kundër Rumanisë për Evropian. Bëra një ndeshje të madhe dhe më lavdëroi Lym Alla. Më tha se e kisha kthyer futbollin në art. Por me Kombëtaren nuk kisha shumë interes, pasi kisha provime. Për t’iu justifikuar Loros (Boriçit) i thosha se isha i dëmtuar. Ka pasur talent të madh futbolli ynë në ato vite, por mendoj se nuk është shfrytëzuar sa duhet”, tregon Çeço.

TIRANË 16.09.1970
17 NËNTORI-AJAKS 2-2
SHËNUES: Kazanxhi 60′, Çeço 85’/ Surbier 19′, 58′
17 NËNTORI: Mihallaq Konomi (Shpëtin Habibi 61′); Fatmir Frashëri, Gëzim Kasmi, Perikli Dhales, Skënder Hyka, Niko Xhaçka (Josif Kazanxhi 46′), Iljaz Çeço, Ali Mema, Gani Xhafa, Arben Çela, Mehdi Zhega. Trajner: Myslyn Alla
AJAKS: Heinz Stuj, Vim Surbier, Berri Hulshof, Velibor Vasoviç, Rud Krol, Niko Rijnders, Johan Neskens, Geri Muhren, Sjak Suart, Dik van Dijk, Piet Keizer. Trajner: Rinus Mishels

AMSTERDAM 30.09.1970
AJAKS-17 NËNTORI 2-0
SHËNUES: Keizer 7′, Suart 68′
AJAKS: Heinz Stuj, Vim Surbier, Beri Hulshof, Velibor Vasoviç, Rud Krol, Niko Rijnders, Johan Neskens; Sjak Suart, Rud Surendonk, Dik van Dijk, Piet Keizer. Trajner: Rinus Mishels
17 NËNTORI: Koço Dinella, Fatmir Frashëri (Bujar Tafaj 68′), Gëzim Kasmi, Perikli Dhales, Skënder Hyka, Ali Mema, Mehdi Zhega (Niko Xhaçka 46′), Arben Çela, Gani Xhafa, Josif Kazanxhi, Iljaz Çeço. Trajner: Myslym Alla

“Ankesat e tifozëve, ja si Hysni Kapo më ktheu në Lushnjë”
Nuk mund të ishte krejt i kollajtë kalimi i Iljaz Çeços nga Lushnja për te Dinamo. Edhe pse ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, i pat gjetur edhe një kolonel që ta birësonte vetëm me letra sa për justifikim, edhe pse talenti 17-vjeçar pat qëndruar te Dinamo dhe qe regjistruar te gjimnazi “Petro Nini”, përsëri do dilte diçka që të pengonte federimin e tij me blutë e kryeqytetit. Ishte Hysni Kapo ai që do bëhej pengesë për Çeçon. Ish-ministri i Bujqësisë në ato vite dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të diktatorit Enver Hoxha, gjatë një vizite rutinë në Myzeqe, kishte hasur në ankesat e lushnjarëve, të cilët i kishin kërkuar rikthimin e Iljaz Çeços. Këtë episod sa tragjik por edhe komik e tregon në vetë të parë ish-legjenda e Dinamos, në vazhdim të ciklit me intervista dhënë “Panorama Sport”.
Edhe pasi, le të themi “u birësuat” nga koloneli i Ministrisë së Brendshme, ju patët probleme me kalimin te Dinamo, përse?
Pata probleme, se në mes u fut edhe Hysni Kapo. Çne Hysni Kapo? Ai s’ka pasur lidhje me Lushnjën dhe futbollin… E vërtetë, por ja që një ditë të bukur në atë periudhë Hysni Kapo shkon në Lushnjë dhe atje i thonë (lushnjarët) që: “Shoku Hysni, Dinamo pa të drejtë na ka marrë një kuadro të lartë, ndaj do ishte mirë që ju të ndërhynit dhe të vinit në vend këtë padrejtësi që na është bërë.” Hysni Kapo kujtoi se bëhej fjalë për ndonjë agronom ose ndonjë specialist, pasi edhe vizita e tij kishte pasur këtë shkak, pra bujqësinë. Nuk e kishte pasur fare haberin se bëhej fjalë për një futbollist. Në atë moment, ai jep urdhër që unë të kthehesha menjëherë në Lushnjë. Me t’u kthyer në Tiranë, Hysni Kapo kishte LEONARD KARAJ takuar Kadri Hazbiun për këtë çështje, por Kadriu i kishte sqaruar se nuk bëhej fjalë për një agronom apo specialist, por për një sportist vetëm 15 vjeç. Dakord i kishte thënë Hysni Kapo, por unë u dhashë fjalën atyre në Lushnjë, ndaj bëj ç’të bësh, çoje në Lushnjë aq sa të dalë fjala ime dhe më pas gjej një mënyrë për ta marrë edhe një herë tjetër. Këto mua m’i tregonte Roza Haxhiu dhe Adem Karapici, të cilët kishin folur për këtë problem me Kadri Hazbiu dhe më pas më mësuan se çfarë do bëja dhe se si do flisja kur të shkoja sërish te sekretari i Partisë së Lushnjës, Qemal Myseli.
Domethënë u kthyet në Lushnjë?
Po, po, por “i armatosur” mendërisht, me ato që do thosha, sepse më mësuan Demi me Roza Haxhiun. Merr dajën (kolonelin) më thanë dhe me gazin (makina) e Ministrisë së Brendshme u nisa për në Lushnjë. Fati im ishte se Qemal Myseli, sekretari i Parë, kishte marrë në atë kohë urdhrin se do të ikte nga Lushnja dhe do vinte me punë në Tiranë. Unë këtë gjë e mësova nga Demi dhe pikërisht rreth kësaj gjëje do ta vërtisja edhe bisedën me atë. Do t’i thosha që nuk mund të rrija në një qytet ku nuk isha më asnjë përkrahje, nëse do ishte edhe ai dakord, mund të rrija, duke qenë se ishte mik i babait, etj. etj. Nejse, u nisëm për në Lushnjë bashkë me kolonelin (dajën) dhe ky më përsëriste gjatë gjithë rrugës që të mos harroja se çfarë do flisja dhe si do i thosha sekretarit, me qëllim që më pas të kisha mundësi që të vija sërish në Tiranë. Mbërritëm në Lushnjë dhe u futëm në zyrën e Qemal Myselit. Ashtu siç ishte zakoni në atë kohë, u bë përshëndetja ushtarake dhe “daja” i thotë Qemal Myselit: “Shoku sekretar, kam ardhur këtu me urdhër të Hysni Kapos dhe të Kadri Hazbiut për të sjellë Iljaz Çeçon. Siç e shihni, ai nuk është arratisur sikundër flitet në Lushnjë, por ka ardhur këtu, dhe jeni ju që do vendosni nëse do ta mbani apo jo. Unë uroj që të ma lini mua edhe për faktin se jam pa fëmijë, por urdhri i partisë para interesave të mi”, i thotë ky dhe largohet nga zyra. Unë pastaj nisa bisedën me Qemal Myselin dhe natyrisht i thashë të gjitha gjërat që më kishin mësuar Demi (Karapici) e daja. I thashë që, nëse do rrija aty ndërkohë që një ditë të bukur ai vetë s’do ishte (Qemali) atëherë askush nuk do interesohej më për mua, ndaj i thashë që të më linte të shkoja te Dinamo. “Ik, më tha. Ti nuk ke punë me mua, por me klubin e Traktorit. Shko merr leje atje dhe je i lirë për mua”. Dola dhe që atë ditë u ktheva sërish në Tiranë.
Në atë moment pastaj u bë edhe prezantimi me Dinamon, apo jo?
Jo tamam, pasi duke qenë moshë e vogël, kishte edhe ca probleme dokumentesh në federatë. Siç duket, në lojë kishin hyrë sërish drejtuesit e Partizanit, të cilët ishin ankuar për mua dhe kishin kërkuar që të mos federohesha me Dinamon. Si arsye kishin nxjerrë faktin që gjoja sezoni sapo kishte nisur. Por Vasil Konomi, i cili drejtonte në atë kohë federatën, gjeti një mundësi shumë të mirë. S’kemi pse shkelim rregullat dhe ligjin, u tha drejtuesve të Dinamos. Duke qenë se ky (Iljazi) është i vogël, e kalojmë njëherë te të rinjtë dhe më pas nga skuadra e të rinjve nuk ka asnjë problem aktivizimi edhe me të rriturit. Kështu u bë. Ai organizoi një ndeshje të skuadrave të të rinjve në mesjavë mes Dinamos dhe Tiranës sa për sy e faqe, ku luajta edhe unë e, atë të shtunë, kalova menjëherë te skuadra e parë dhe shkova në Shkodër ku bëra debutimin ndaj Vllaznisë. Më pas luajta edhe në ekipin përfaqësues. Ndeshjen e parë ndërkombëtare e kam luajtur me Dinamon kundër Levskit të Sofjes, ku zëvendësova Skënder Jarecin, që në atë ndeshje la futbollin. Me Kombëtaren kam zhvilluar ndeshjen e parë më 1964-ën ndaj Holandës. Trajner ishte Zyber Konçi dhe unë nuk isha veçse 17 vjeç.
Sa vite luajtët me Dinamon?
Plot 14 vjet, deri në vitin 1978, kur edhe hoqa dorë nga futbolli. Kam fituar 5 tituj kampion me Dinamon, katër Kupa të Republikës, dy spartakiada. Personalisht u shpalla dy herë lojtari më i mirë i Shqipërisë, më 1965- ën, kur isha 18 vjeç, dhe më 1967-ën, por këtë herë së bashku me Panajot Panon. Pra, ishte një çmim i dhënë për të dy njëherësh. Dinamo e atyre viteve dominoi shumë kampionatin tonë. Ishte një skuadër solide, e fortë dhe plot me kualitet. Më vjen mirë që me ekipin fituam shumë trofe, por mbi të gjitha përcollëm emocione te sportdashësit.
Kur e latë futbollin, ishit 31 vjeç? Pse hoqët dorë, kur mund të luanit ende?
Mund të kisha luajtur dhe për disa vite, por u largova me nder. Ndonjëherë më kujtohet Pano, që e la në një moshë më të madhe, por të jemi të sinqertë: sportdashësit gjithnjë duan lojtarë të rinj, që të vrapojnë e të bëjnë gjëra të reja. Pastaj mua më ndodhi që m’u larguan të gjithë shokët e mi dhe vinin breza të rinj. Ishte e udhës të hapnim krahun si i thonë dhe unë mendova të tërhiqem.
Pasi latë futbollin, erdhi një ftesë për të qenë drejtues klubi, si e pritët?
Sapo lashë futbollin, kalova në klub. Më 1981-shin u bëra shef klubi dhe e drejtova Dinamon deri më 1987-ën. Ndihem krenar pasi, në kohën që drejtova, afruam lojtarë të tillë si Demollari dhe Fortuzi, pavarësisht se ky i fundit u largua te Tirana në fillim të viteve 1990. Në këtë vit Dinamo numëronte 69 futbollistë, por më pas shumë lojtarë u larguan.
Nëse bëjmë një krahasim mes lojtarëve aktualë dhe kohës kur ju luanit futboll, cilat janë të metat dhe avantazhet si në njërën edhe në tjetrën?
Shiko, tani taktikat dhe metodat stërvitore kanë ndryshuar shumë në krahasim me kohën tonë. Futbolli është bërë më i shpejtë e më fizik dhe sigurisht që ka evoluar. Ajo që dallohet në ndryshimet e brezave tanë, ka të bëjë me preokupimin e lojtarëve për sa i përket dëshirës dhe sakrificave për stërvitje. Sot më duket se mungon ajo dëshirë për të luajtur futboll. Kjo vërtetohet edhe nga fakti se, nëse në atë kohë stadiumet mbusheshin plot, kur luhej një Dinamo- Partizani, Dinamo-Tirana apo Partizani-Dinamo, sot sheh moskokëçarje ose largim të tifozëve nga futbolli. Pavarësisht se cilës skuadre i përkisnin tifozët, pra qofshin ata edhe kundërshtarë, ne na motivonin dhe na mobilizonin. Krijuam një lidhje të madhe shpirtërore, ndaj sot e kësaj dite na respektojnë tifozët. Ndërsa sot, megjithëse këta lojtarë kanë metoda shkencore stërvitore, paguhen shumë mirë, nuk po japin atë që të gjithë presim prej tyre.
Dakord, por të mos harrojmë se në atë kohë futbolli ka qenë i izoluar si çdo fushë e jetës dhe nuk kishte kaq shumë larmi e ndeshje që jepen në televizion sikundër tani. A nuk mendoni se edhe këto mund të ndikojnë?
Jam dakord me idenë se lojtarë të mirë, më pak të mirë i shihje që të gjithë këtu se nuk kishim mundësi të shkonim jashtë sikundër tani, por unë e kam më shumë në mënyrën e trajtimit të sportit nga shteti, organizimit dhe sa shumë bëhej për futbollin në veçanti, dhe për shumë sporte të tjera në përgjithësi. Nuk jam dakord kur ju thoni se tifozët kanë mundësi të shikojnë ndeshje të kampionateve të huaja në televizion. Nëse ke të bësh me një futboll të ndershëm dhe jo të dhunshëm, të jeni të sigurt se tifozi nuk do mungonte në ndeshjet e skuadrës së tij dhe, ca më pak në përballjet derbi, të cilat në atë kohë ishin të jashtëzakonshme dhe të pakrahasueshme me këto të tanishmet. Aq tifozë sa shkojnë sot në një ndeshje normale kampionati, na vinin e shikonin ne kur bënim seancat stërvitore.

Rekordi i Çeços: Lojtari më i ri në Kombëtare
Iljaz Çeço është lojtari më i ri shqiptar që ka luajtur në një ndeshje zyrtare me ekipin tonë përfaqësues. Sulmuesi i datëlindjes 3 janar 1947 ishte 17 vjeç, 4 muaj e 20 ditë kur zbriti më 24 maj 1964 në fushën e lojës kundër Holandës, ndeshja e tij e parë me kuqezinjtë. Sakaq, për korrektesë, pas tij vjen Blendi Nallbani i cili ishte 17 vjeç, 11 muaj e 4 ditë kur luajti me Kombëtaren në “Uembli” më 26 prill 1989 ndaj Anglisë. Çeço ka zhvilluar shtatë ndeshje me ekipin Kombëtar në periudhën 1964-1971, pikërisht në ndeshjet kundër Algjerisë dhe Holandës në vitin 1964, Polonisë dhe Turqisë në vitin 1970, ndërsa në vitin 1971, kundër Gjermanisë Perëndimore, Polonisë dhe Turqisë. Ndeshja e parë e tij është ajo kundër Algjerisë, një miqësore e zhvilluar më 11 tetor 1964, në Tiranë, në një barazim 1-1, e ku Iljazi zëvendësoi Mehdi Bushatin. “Për herë të parë në një ndeshje zyrtare me Kombëtaren, – tregon Çeço, – kam luajtur në moshën 17-vjeçare. Më ka futur në lojë trajneri Zyber Konçi, pikërisht në ndeshjen e humbur 2-0 me Holandën, në vitin 1964. Kam luajtur përkrah Skënder Halilit, Panajot Panos, Robert Jasharit, Mehdi Bushatit. Isha më i vogli”. Në fakt, aktivizimi i tij në moshën 17- vjeçare, mbetet edhe një rekord unik! I pa thyer deri më sot!

“E vërteta e titullit të ’67-ës”
Ishte 24 qershori i vitit 1967. Luhej 17 Nëntori- Partizani. Bardheblutë fitonin 2-1 duke hedhur një hap deciziv në marrjen e titullit të tretë kampion pas Luftës së Dytë Botërore. Deri në kampionatin e vitit 1963- 64, përveç Vllazninë që kishte pasur mundësi ta fitonte dy herë radhazi titullin më 1945 dhe 1946, vetëm dy skuadra ishin shpallur kampione në vend: Partizani, klub i Ministrisë së Mbrojtjes (11 herë) dhe Dinamo, klub i Ministrisë së Brendshme (6 herë). Por në atë takim, përveç përplasjeve mes lojtarëve në fushën e lojës, u konsumua edhe një ngjarje e pazakontë për futbollin shqiptar, të cilën e tregon në vetë të parë Iljaz Çeço. Ky i fundit nuk pranon asessi që 17 Nëntori dhe Partizani u dënuan vetëm e vetëm që titulli t’i kalonte Dinamos. “Në fakt historia nis që një sezon më parë dhe jo në momentin kur u dënua Partizani dhe Tirana. Një sezon më parë, me urdhër të Komitetit Qendror, në Lojërat Ballkanike nuk do luanim ne (Dinamo), por Tirana. U ngrit dikush nga Komiteti në atë kohë dhe tha se Dinamo dilte për kastile e dyta në kampionat, me qëllim që të luante në Kupën Ballkanike dhe jo në Ligën e Evropës kjo, pasi lojtarët e Dinamos donin të bënin më shumë udhëtime jashtë shtetit. Sigurisht, po të luaje në Ligën e Evropës mund të eliminoheshe që në turin e parë, kurse Kupa Ballkanike ishte krejt tjetër. Kështu që u vendos të shkonte Tirana. Madje, urdhrin e dha pikërisht Kadri Hazbiu, një njeri që dihej se ishte haptazi tifoz i Dinamos. Pas këtij urdhri Tiranës i erdhën përforcime me qëllim, ndaj i shkuan Kazanxhiu, Ali Mema, iu kthye Fatmir Frashëri, pra u bë një skuadër shumë e mirë me lojtarë që mund të kishin dalë nga klubi i Tiranës por, në ato vite, kishin luajtur për Dinamon ose Partizanin. Kështu që inati u bë më i madh në sezonin ’66-67 pasi edhe Tirana ishte mjaft kompetitive dhe shkoi deri në ndeshjen derbi duke kryesuar”, – rrëfen Çeço. Ndërkohë, ish-legjenda e Dinamos, thekson se ngjarja që vendosi dënimin e dy skuadrave nuk kishte të bënte shumë me lojën e fortë në fushë mes lojtarëve, por me shembjen e një pjese të stadiumit. “Në ndeshjen Partizani- Tirana është shembur stadiumi, për karshia dhe u bë një rrëmujë e madhe. Pak kohë më parë, duke qenë se kishte shumë tifozë që e ndiqnin derbin, deri në 15-20 mijë tifozë u vendos që te për karshia të bëhej një tribunë me dërrasa ku të uleshin njerëzit. Por gjatë takimit, nga kapaciteti i madh, u thyen dërrasat dhe tifozët nga paniku hynë në fushë. Ata që ishin në radhët e para e patën më keq, pasi u shtynë nga pjesa që vinte prapa. Ndërsa fusha nga stadiumi ishte i rrethuar me tel. Aq sa mbaj mend, nga ajo që u tha më vonë, ishte se për fat të mirë qe plagosur vetëm një fëmijë dhe një plak. Sigurisht, më pas u bënë hetime dhe u bë shumë gjullurdi e madhe si në federatë dhe qeveri, dhe si arsye gjetën që t’i dënonin të dyja skuadrat, edhe për faktin se gjatë ndeshjes kishte pasur shumë ndërhyrje të rënda. Aty përfitoi Dinamo dhe iu dha ai titull. I merituar apo jo? Këtë, nuk mund ta gjykoj unë. Ju thashë si ishte e vërteta dhe përse u dënuan Tirana e Partizani, pjesa tjetër nuk më takon shumë mua”, – përfundon Çeço.

17 NËNTORI-PARTIZANI 2-1
SHËNUES: Ishka, Bukoviku/ Jashari
17 NËTORI: Tafaj, Elini, Frashëri, Dhales, Gjoni, Bytyçi, O.Mema, Xhaçka (Icka), Bukoviku, Hyka, Kazanxhi Trajner: Myslym Alla dhe Enver Shehu
PARTIZANI: Janku, Jozja, M.Gjika, S.Gjika, Dingu (A.Dizdari), Rragami, Shule (Shaqiri), Karriqi (Dani), Shllaku, Pano, Jashari Trajner: Refik Resmja dhe Miço Ndini

Federata anashkaloi shembjen e stadiumit
Në gazetën “Sporti Popullor”, të datës 27 qershor të vitit 1967, u botua vendimi i Federatës Shqiptare të Futbollit, sipas të cilit: të dyja skuadrat, si 17 Nëntori dhe Partizani, përjashtoheshin nga kampionati i vitit 1966-67 për shfaqje të theksuara antisportive. Me “shfaqje antisportive” kuptoheshin ndërhyrje të rënda sipas byroistëve nga ana e futbollistëve të dyja skuadrave ndaj njëri-tjetrit në fushën e lojës, por që realisht gjyqtari nuk pati përjashtuar asnjë lojtar me karton të kuq. Sakaq, në asnjë moment nuk u fol për shembje të stadiumit, kjo edhe për ta kamufluar sa më shumë këtë histori.

Edhe kinezët, shkaktarë për përjashtimin e dy ekipeve
Duket e çuditshme, por kinezët kanë pasur rolin e tyre, ndonëse indirekt në përjashtimin e 17 Nëntorit dhe Partizanit nga sezoni 1966-1967. Në tribunë e stadiumit “Qemal Stafa”, veç gjeneralëve dhe gjithë kastës së kuqe të asaj kohe, ishte edhe një grup i “gardës së kuqe kineze”, të cilët kishin përfituar nga rasti për të parë një ndeshje futbolli, teksa ndodheshin në Shqipëri për një vizitë pune. Pikërisht, prania e këtyre të fundit i patën vënë jo pak në siklet drejtuesit shqiptarë, të cilët nuk pritën shumë, deri ditën tjetër për t’i ndëshkuar skuadrat duke u treguar edhe “miqve” të tyre se si dënoheshin ata që shkaktonin incidente. Komiteti Qendror përjashtoi edhe futbollistin bardheblu, Osman Mema, me 6 muaj. Ky incident banal i kaloi në fakt parashikimet, teksa vetë lojtari rrezikoi edhe burgun. Osman Mema, në atë kohë, u mor në pyetje në hetuesi për të sqaruar gjithçka.

Çeço: Autobusi i Kombëtares shtypi një fëmijë në Egjipt
Ndonëse konsiderohej si një talent në atë kohë, karriera e Iljaz Çeços nuk ka qenë pa probleme edhe kur vjen puna te Kombëtarja. Ish-sulmuesi i Dinamos tregon përplasjet që pati asokohe me trajnerin kuqezi, Loro Boriçi, vetëm për faktin se ky i fundit e mbante inat që Çeço pat zgjedhur Dinamon dhe jo Partizanin. Përveç kësaj, ish-sulmuesi tregon edhe inatet dhe përçarjet që ekzistonin në atë kohë ndërmjet të kuqezinjve, si dhe aksidentin që bëri autobusi i skuadrës në Egjipt gjatë një faze përgatitore ku humbi jetën edhe një fëmijë.
Në kohën që luanit në Kombëtare keni pasur trajner Loro Boriçin, a keni pasur ndonjë përplasje me atë për faktin se nuk shkuat te Partizani?
Shikoni, Loro Boriçi ishte një emër i madh në atë kohë. Kishte autoritet të padiskutueshëm. Personalisht do kisha dashur shumë që trajner në atë periudhë të ishte Skënder Jareci, një teknik i shkëlqyer. Ishte trajneri më modern për kohën dhe po ta kishte drejtuar ai Kombëtaren, jo Loro, me siguri që rezultatet do të ishin më të larta. Sa i takon raporteve të mia me trajnerin Boriçi, ato kanë qenë korrekte, por ai më mbante inat për faktin që nuk kisha shkuar te Partizani. Gjithnjë ma kujtonte këtë fakt, aq sa në mjaft raste jam ndier disi edhe i anashkaluar ose herë më fuste në lojë e herë jo, edhe pse isha ndër lojtarët më të mirë të asaj periudhe. Në këtë këndvështrim edhe Kombëtarja e asaj periudhe, ndonëse mund t’ju duket e çuditshme, kishte problemet e veta. Edhe atëherë kishte përplasje, qejfmbetje, jo vetëm mes drejtuesve me njëritjetrin, po edhe ndërmjet lojtarëve. Unë, siç jua thashë edhe më parë, kam ndier në njëfarë mënyre zemërimin në thonjëza të Loro Boriçit, për faktin se nuk shkova te Partizani, por te Dinamo. Më shikonte dhe më thoshte gjithnjë: “Hë, ça më ke ba ti mu, ça më ke ba! Më ike nga Partizani për me shku te Dinamo”.
Po ju si reaguat, apo ishte e vështirë të kundërshtoje një si Loro Boriçi?
Jo. Edhe unë me aq sa kisha mundësi reagoja, natyrisht duke ruajtur një fare etike. Ia dridhja bisedën në mënyrë tjetër. “Po pse mo presor, – i thosha unë, – të gjithë nuk do luajmë te Partizani. Duhet që të luajë ndonjë edhe te Dinamo e Tirana që të ketë më shumë konkurrencë. “Jo ore jo, ti ma ke ba me hile atëherë kur erdha në Lushnjë. Mos kujto se ta kam harruar”. Normalisht ai kujtonte ditën kur kishte ardhur në Lushnjë me Muharrem Kokomanin dhe Besim Fagun për të më marrë te Partizani në grumbullimin në Vietnam, por unë siç edhe jua tregova gjeta një mënyrë për të mos shkuar.
Kur e luajtët ndeshjen e parë me Kombëtaren?
Për herë të parë në një ndeshje zyrtare me Kombëtaren kam luajtur në moshën 17-vjeçare. Më ka futur në lojë trajneri Zyber Konçi, pikërisht në ndeshjen e humbur 2-0 me Holandën, në vitin 1964. Kam luajtur përkrah Skënder Halilit, Panajot Panos, Robert Jasharit etj. Jam ndier vërtet shumë mirë, pasi përkrah kisha yje të futbollit shqiptar. Hera-herës ndihesha në siklet dhe shpeshherë edhe si i privilegjuar.
Sa ndeshje keni luajtur me kuqezinjtë?
Shtatë ndeshje nga periudha 1964 deri më 1971, kundër Algjerisë, Holandës në `64-ën, Polonisë dhe Turqisë në vitin 1970, ndërsa në vitin 1971 kundër Gjermanisë Perëndimore, Polonisë dhe Turqisë. Sigurisht, kam marrë pjesë edhe në shumë turne si me përfaqësuesen dhe me ekipin Shpresa, si në Kinë në `66-ën dhe në Egjipt para ndeshjes me Gjermaninë.
Në Egjipt?
Po, po. Bëmë një grumbullim në Egjipt ku luajtëm disa miqësore me Zamalekun, Nacionalin dhe Damanurin (skuadra në kampionatin egjiptian). Ideja ishte që skuadra të përgatitej para ndeshjes së parë me Gjermaninë, por që fatkeqësisht e humbëm 6-0.
Çfarë problemesh?
Po përpara se të niseshim drejt Egjiptit nuk merrej vesh se kush do ta drejtonte ekipin, pasi në krye ishin Loro Boriçi, Lym Alla dhe Zyber Konçi, që të tre tipa të ndryshëm që s’para e kishin fort qejf njëritjetrin. Pati hatërmbetje që në përpilim të listës, ku fillimisht më lanë si mua dhe Lin Shllakun jashtë grumbullimit dhe, vetëm më pas, me ndërhyrje nga lart: puna shkoi deri te Manush Myftiu dhe Adil Çarçani, shkuam në këtë fazë përgatitore le ta quajmë.
Si ndërhyri Adil Çarçani?
Po si duket, atij i shkoi në vesh fakti se në skuadër kishte shumë probleme dhe, me sa kam dijeni, një gjë të tillë ia kishte raportuar edhe Lin Shllaku, të cilin edhe atë e kishin lënë jashtë skuadre. Lini kishte kaluar një problem shëndetësor dhe sapo ishte kthyer në stërvitje. Me këtë pretekst, Lym Alla më duket, nuk donte ta merrte në skuadër. Pak a shumë të tilla probleme pata edhe unë dhe së bashku me Lin Shllakun kemi qenë të fundit që iu bashkëngjitëm skuadrës në Rinas drejt Egjiptit. Por edhe atje, në ndeshjet që zhvilluam, duke qartë që në skuadër nuk kishte qetësi. Secili prej trajnerëve, Lym Alla, Boriçi dhe Zyber Konçi rrinte për hesap të vet dhe grupi nuk ishte i bashkuar. Madje atje, si për ters, patëm edhe një aksident me autobusin e skuadrës.
Aksident në Egjipt? Për çfarë bëhet fjalë?
Autobusi ynë aksidentoi për vdekje një fëmijë të vogël. Ne zakonisht i zhvillonin seancat stërvitore jashtë qytetit dhe për t’u kthyer në hotel kalonim një urë mbi lumin Nil. Aty, para se të kalonim urën, një fëmijë duke tentuar që të kalonte rrugën para autobusit e kap goma e parë dhe vdes në vend. Mbaj mend që e kanë mbledhur me gazetë nga ajo çka mbeti. Ishte e tmerrshme, por ja që na ndodhi edhe kjo.
Çfarë ndodhi më pas, iu bllokoi policia menjëherë besoj, apo jo?
Po, sigurisht, erdhi policia dhe nisën menjëherë hetime për rastin. Por, duke qenë se ne ishim ekip kombëtar, nuk është se na mbajtën shumë aty dhe na sollën një autobus tjetër për të na larguar nga vendi i aksidentit.
Nuk pati asnjë të arrestuar?
Jo, jo, madje as shoferi nuk u mbajt në polici. Në fakt, ajo ishte zonë e ndaluar për këmbësorët, ndaj nuk u konsiderua si fajtor shoferi ynë dhe u la i lirë. Gjithsesi, ishte një ngjarje që na mbeti në mendje. Pastaj u kthyem në Shqipëri dhe në gjykimin tim besoj se problematika që kishte grupi ndikoi edhe te ndeshja me gjermanët. Na mundën 6-0 dhe, për më tepër, zhvilluam një lojë shumë të dobët.
Gjithsesi trumbetohet me të madhe se Kombëtarja e atyre kohërave, të paktën në emra, ishte më e mirë sesa kjo e tanishmja, por rezultatet kanë qenë tepër zhgënjyese…
Që ekipi i atyre kohërave ka qenë më i mirë, këtë nuk e diskuton kurrkush. Ka pasur më shumë dëshirë, përkushtim, grintë ndaj fanellës kuqezi, por ne kemi pasur probleme më tepër mental, psikologjik. Ne hynim në lojë, për shembull kundër gjermanëve, me një frikë dhe adhurim nga ana tjetër ndaj tyre, pasi Shqipëria ishte e gjitha e mbyllur dhe ne i shikonim ata si “zot”. Tjetër gjë sot, ku pjesa dërrmuese e lojtarëve luajnë jashtë Shqipërisë. Gjithsesi, për mua ishte një skuadër vërtet e mirë.

Betimi mbi flamur dhe zhgënjimi ndaj RFGJ-së
Grumbullimi i ekipit tonë përfaqësues në Egjipt, para ndeshjes së parë me Gjermaninë për kualifikimet e Evropianit të ’68-ës, kishte si synim kryesor forcimin e skuadrës sonë dhe përballjen me dinjitet ndaj gjermanëve. Në fakt, sikundër konfirmon edhe vetë Iljaz Çeço, skuadra kombëtare kishte shumë përçarje në drejtim, paçka se mendohej se me lojtarët cilësorë që kishte mund ta ndalte skuadrën gjermane. “Siç u thashë edhe më lart, në Egjipt shkuam vetëm për t’u përgatitur sa më mirë ndaj Gjermanisë. Ekzistonte ideja se ne mund ta ndalim atë superfuqi në futboll pasi, realisht në ato vite, skuadra gjermane ishte më e dobët se kurrë ndonjëherë. Unë personalisht, pasi u kthyem nga Egjipti, nuk pranova të shkoja me ekipin në Gjermani dhe nxora një pretekst sikur isha i zënë me shumë provime dhe se nuk mund ta lija shkollën vetëm për këtë ndeshje. Faktikisht e pashë se në skuadër kishte shumë bërryla, ndaj edhe mendova se ishte më mirë që të mos shkoja. Dhe nga njëra anë bëra mirë, pasi skuadra jo vetëm që humbi, por kur u kthye u bë edhe shumë problem. Para se ekipi të zbriste në fushë ndaj Gjermanisë, që të gjithë kishin vënë duart mbi flamur dhe ishin betuar se do ta ndalin atë skuadër, por në fakt humbën 6-0”, – tregon Çeço. Sakaq, duhet thënë se Iljaz Çeço është lojtari më i ri shqiptar që ka luajtur në një ndeshje zyrtare me ekipin tonë përfaqësues. Sulmuesi i datëlindjes 3 janar 1947 ishte 17 vjeç, 4 muaj e 20 ditë kur zbriti më 24 maj 1964 në fushën e lojës kundër Holandës, ndeshja e tij e parë me kuqezinjtë. Sakaq, për korrektesë, pas tij vjen Blendi Nallbani, i cili ishte 17 vjeç, 11 muaj e 4 ditë kur luajti me Kombëtaren në “Uembli” më 26 prill 1989 ndaj Anglisë. Çeço ka zhvilluar shtatë ndeshje me ekipin Kombëtar në periudhën 1964-1971, pikërisht në ndeshjet kundër Algjerisë dhe Holandës në vitin 1964, Polonisë dhe Turqisë në vitin 1970, ndërsa në vitin 1971, kundër Gjermanisë Perëndimore, Polonisë dhe Turqisë.

Çeço: Si u ndërtua nga të burgosurit kompleksi “Dinamo”
U ndërtua për të qenë në dispozicion të klubit shumësportësh Dinamo. Ideja, në fakt, ishte për krijimin e një lloj fshati olimpik në pjesën më të bukur dhe të shëndetshme të Tiranës. Ashtu u bë. Ndërtuesit më të mirë të kohës morën një projekt nga Franca, si kompleksi sportiv i Paris Saint Germanin, dhe e adaptuan në mënyrën më të mirë duke ndërtuar një perlë për sportin shqiptar. Pavarësisht se nuk u vu në punë krejtësisht dhe sipas parashikimeve, kompleksi i famshëm sportiv “Dinamo” ishte më i kompletuari në vend, më i madhi, i cili përballonte gamën e të gjitha disiplinave sportive dhe nga çdo pikëpamje ishte një arritje për kohën. Por, si u ndërtua ky objekt unikal për sportin në Shqipëri? Më mirë se cilido e shpjegon Iljaz Çeço, i cili ka qenë edhe drejtues te klubi Dinamo në momentin e ndërtimit.
Projekti – “Si fillim bisedova me Hekuran Isain (ishministri i Brendshëm) dhe zv/ministrit Hysen Shahu, të cilët morën vendim për ngritjen e kompleksit. Unë isha shef klubi në atë kohë dhe po bëja të pamundurën që të gjeja një sistemim për Dinamon, pasi herë shkonim te Pallati i Kongreseve, herë te shkallët e ‘Qemal Stafa’-s, apo te rruga e Kavajës. Gjithsesi, Dinamo në atë kohë kishte thuajse të gjitha disiplinat duke filluar që nga futbolli, volejbolli, basketbolli, çiklizmi, në ngritje peshash e në shumë disiplina të tjera. Pasi e diskutuam gjatë u mor vendimi për ta ndërtuar. Duhet thënë se si Hekuran Isai, por më shumë Hysen Shahu, bënë të pamundurën që ky kompleks të ngrihej, paçka se në atë kohë shihej si një objekt me kosto të madhe. Hysen Shahu ishte një person që e donte sportin, çka zor se e gjej sot te persona të tjera në shtet që t’i përafrohen. Puna për ndërtimin e kompleksit është bërë nga të burgosurit në një hark kohor rekord prej 5- 6 muajsh. Ndërmjet tyre kishte natyrisht edhe specialistë të fushave që dhanë kontribut të çmuar. Mbaj mend një Miço Veshi, i cili ndihmoi shumë në bërjen e fushave. Ai kishte mbaruar shkollën në Bashkimin Sovjetik dhe ishte nga më të mirët specialistë të asaj periudhe. Në atë periudhë ndryshuam edhe tubacionet e liqenit. Ishin 200-she, i bëmë 500-she, madje bëmë kanalizime që të vaditnim dhe fushat. Ishte një shtet i tërë që u vu në lëvizje në pak fjalë dhe natyrisht, gjithkush ishte i interesuar që të bëhej një vepër e dobishme për sportin”, – tregon ish-shefi i klubit Dinamo, Iljaz Çeço.
Përplasjet – Sigurisht që, para se të nisnin punimet, kishte edhe nga ata shtetarë që ishin kundër ngritjes së një kompleksi sportiv në atë zonë dhe një prej tyre ishte edhe ministria e bujqësisë, Themie Thomai. Siç tregohet tashmë nga ata që u morën me ndërtimin e kompleksit, por edhe nga ish-drejtori Iljaz Çeço, ajo pati vënë veton pasi, sipas saj, ishte tokë bujqësore dhe nuk duhej shkatërruar. Por, në lojë kishte hyrë sërish Hekuran Isai, asokohe ministër i Punëve të Brendshme, i cili pasi firmosi dokumentet dhe hasi në kundërshtimin e ministres Themie Thomai u detyrua që të kërkonte ndërhyrjen e Adil Çarçanit për zgjidhjen e problematikës dhe nisjen e punimeve. “Themie Thomai kundërshtonte dhe nuk pranonte t’i firmoste dokumentet, pasi duhej dhe firma e saj. Atëherë puna shkoi deri te kryeministria Adil Çarçani, i cili dha menjëherë urdhër për nisjen e punimeve. Aty bëmë një palestër gjigante prej 90m x 45m, me të cilën u mor personalisht Hekuran Isai. Kjo, pasi në këto përmasa nuk gjendeshin elementët që ta mbulonin. Fusha 90 m e gjatë u bë kështu, sepse ideja ishte që ekipi të stërvitej edhe me sallë të mbyllur në kohë të ftohtë dhe me shi. Mbaj mend se kryeinxhinieri Dine Fratari i drejtoi punimet dhe në fund u liruan 30 të burgosur, pasi kishin bërë punë shumë të mirë në ndërtimin e këtij kompleksi. Madje, ndoshta ju duket e çuditshme, por nga zelli i madh për atë që po shikonin në ndërtimi e sipër ministria shtoi edhe normën e ushqimit për të burgosurit. Organizimi ishte i jashtëzakonshëm dhe puna shkoi shumë mirë. Sa në fund shumë të burgosur më thoshin, pse nuk e zgjatëm afatin e punimeve se aty ishin shumë mirë. Në inaugurim, normal që nuk kishte sesi të m u n g o n t e Ramiz Alia”, – kujton Çeço.
Akuza – Por, me gjithë madhështinë e tij, ky kompleks pakësh qenë i destinuar “të vdesë”. Kjo, pasi nga viti në vit, nga territori i tij shkëputen pjesë toke duke ndërtuar rrugë që u shërbejnë vilave të pushtetarëve pranë kopshtit botanik. Këtë gjë denoncon Çeço, me shpresën se ky lloj uzurpimi do të ndalë ndaj një objekti sportiv, unikal jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. “Kompleksi ishte madhështor, por u degradua me qëllim për ta shkatërruar dhe për ta bërë shesh ndërtimi. Goditja e parë filloi kur u ndërtua mbi një pjesë të tij një rrugë qorre që nuk i shërben askujt dhe që i mori kompleksit një sipërfaqe prej 20 mijë metra katrorë. Rruga u dha tokë vilave që janë ngjitur. Aty, në projektin fillestar, ishte planifikuar një fushë për të rinjtë, pra që të bënin stërvitje. Ndërsa në krah të fushës aktuale ishte planifikuar të ndërtonim një shkallë, duke projektuar të bënim edhe ndeshje zyrtare, kur të kishte pak tifozë. Kjo ishte dhe një mënyrë për vetëfinancim, pasi kishte të ardhura nga biletat”, – vijon Iljaz Çeço.
E tashmja – Sakaq, duhet thënë se nga momenti i ndryshimit të varësisë, pra kur kaloi nga Ministria e Brendshme në varësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve, kompleksi humbi “statusin” e tij dhe arsyen për të cilin ishte ndërtuar. Njëra nga tri fushat e futbollit, pothuajse është shk a t ë r r u a r , ndërsa terrenet e tjera të lojërave me dorë dhe shumësportëshit janë dëmtuar thuajs e t o – talisht. Drejtoria e Agjencisë së Shërbimit të Sportit, pavarësisht se trumbeton me të madhe se kompleksit nuk do t’i ndryshojë destinacioni, vetë sportistët, trajnerët dhe dashamirësit e sportit të Dinamos janë skeptikë për këtë. Në godinën qendrore të kompleksit, që shërbente dikur për dinamovitët, sot janë vendosur federatat shumësportëshe dhe aty tashmë është krijuar një kaos i vërtetë.

Shteti, 1.5 mln $ për kompleksin “Dinamo”
Kompleksi u ndërtua në kohë rekord dhe, pas inaugurimit, u vu menjëherë në punë. Për kohën, në vitin 1987, ai ishte më i madhi në Ballkan, me plot 82 mijë metra katrorë. Madje, thuhet se në atë kohë Shqipëria ka pasur kërkesa edhe nga skuadra të ndryshme që merrnin pjesë në Kupën e Botës “Italia 90” që të vinin dhe të bënin fazën përgatitore në ambientet e tij. Sipas të dhënave, ai ka kushtuar 1.5 milionë dollarë, një shifër e vogël kjo për kohën e tanishme, por jo për Shqipërinë e viteve 80, ku me 2 mijë lekë të vjetër mund të ushqeheshe gjithë muajin. Sakaq, nuk duhet harruar edhe puna e të burgosurve, apo ajo vullnetare në përgjithësi, çka e dyfishon koston e këtij kompleksi. Ndërkohë, pas viteve 90, si çdo gjë që vinte nga koha e komunizmit edhe ai nisi të degradohej. Në vitet 97-98 u thyen pajisjet dhe u dëmtuan shumë gjëra në palestër dhe hotel. Ndërsa, pas viteve 2005, ai është bërë “mollë sherri” mes të djathtës dhe të majtës, të cilat shpeshherë e kanë akuzuar njëra-tjetrën se duan ta shkatërrojnë atë, por çudia qëndron në faktin se edhe qeveria aktuale nuk ka bërë asgjë (në mos më keq) për mbrojtjen e tij, që nga dita në ditë ndihet i rrezikuar nga ideja e betonizimit edhe të kësaj pjese të kryeqytetit.
LEONARD KARAJ

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"