Incidenti, Gerc dy muaj jashtë. Vrapi: Tirana është sfida ime, ja pse ika nga Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2013 | 13:20

Incidenti, Gerc dy muaj jashtë. Vrapi: Tirana është sfida ime, ja pse ika nga Skënderbeu

Lilaj dhe VrapiNuk bëhet aspak pishman që është larguar nga ekipi kampion, madje pohon se te Tirana do arrijë të fitojë sfidën me vetveten. Bëhet fjalë për Endri Vrapin, i cili thekson gjithashtu se bardheblutë do të ringrihen në nivelin e emrit që mbartin.
Një fitore e vuajtur ndaj Bylisit….
E dinim që do ishte e tillë, pasi Bylisi është një skuadër e fortë, me lojtarë që luajnë së bashku prej më shumë se dy-tre vitesh. Gjithsesi për ne ishte tejet e rëndësishme që të fitonim, pasi më shumë sesa loja na duheshin pikët. Shënuam dhe më pas e patëm më të lehtë që të administronim takimin.
Tirana po merr pikët me gati një gjysmë goli. A nuk mendoni se një gjë e tillë mund të jetë e rrezikshme?
Normal, por në gjykimin tim më mirë kështu sesa të bëjmë një lojë të mirë dhe të mos mund të marrim pikët që meritojmë. Unë gjykoj se ne funksionojmë si skuadër: kur pësojmë, pësojmë si ekip, dhe kur shënojmë e fitojmë e bëjmë si ekip.
Këtë mesjavë luhet raundi i kupës. Mendoni se ndeshje të tilla janë mundësi për ta qetësuar paksa ambientin?
Sigurisht, por kjo nuk do të thotë se Tirana do të neglizhojë. Siç e keni parë gjatë këtyre javëve, këtu të gjithë e kanë pasur mundësinë për të luajtur dhe për të treguar vlerat e tyre, ndaj edhe ata që do luajnë në kupë, mendoj se duhet të ndihen të rëndësishëm për këtë skuadër. Sakaq, në asnjë moment nuk do të ulim tempin e përgatitjeve dhe të lojës sonë, pavarësisht se çfarë kundërshtari kemi përballë.
Jeni penduar tani që jeni larguar nga Skënderbeu?
Absolutisht jo. Unë i uroj më të mirat skuadrës korçare, pasi aty kam kaluar momente të bukura, por e ndjeja veten se mund të jepja ende shumë në futboll dhe, duke qenë se atje nuk kisha një vend të sigurt në formacion, mendova se zgjidhja më e mirë për mua ishte një klub me histori sikundër është Tirana.
Klub me histori, por me mjaft probleme ama…
Mua më pëlqejnë sfidat dhe e konsiderova këtë gjë si të tillë. Jam i bindur se do dal i fituar.
Referuar renditjes, a mendoni se Tirana mund të rrezikojë rënien këtë sezon, kjo nisur nga fakti se bien direkt 4 skuadra?

Sipas meje, llogaritë nuk mund të bëhen tani, pasi është tepër herët. Mendoj se që të gjitha skuadrat mund të pretendojnë dhe të gjitha mund të rrezikojnë, pasi renditja është realisht e ngjeshur. Tirana e sivjetme bën llogari ndeshje pas ndeshje, duke kërkuar gjithnjë maksimumin.

Iniciativa “Tirona”, Dede “kundër” Alimehmetit
Pak ditë më parë, “Supersport” ndërmori një iniciativë për të ndryshuar emrin e klubit bardheblu nga “KF Tirana” në KF Tirona”, ashtu sikundër e thërrasin në dialektin e Shqipërisë së Mesme të gjithë tifozët e kësaj skuadre. Në këtë debat u përfshi edhe administratori i klubit, Krenar Alimehmeti, si dhe trajneri Nevil Dede. “Unë kam qenë gjithë jetën ‘tirons’ dhe kështu e them gjithnjë këtë fjalë, ndaj nuk më bën shumë përshtypje. Gjithsesi, nuk është një pyetje që mund të ma bëni mua, pasi sigurisht që nuk do të isha kundër. Nëse është e munduar që të realizohet, atëherë lë të bëhet”, – ka pohuar administratori i klubit. Ndërsa tekniku Dede, edhe ky një bardheblu që në lindje, nuk ka lënë pas edhe batutat. “Nuk shoh ndonjë problematikë në këtë këndvështrim. Gjithsesi, do doja të dija sesi do t’i thërriste skuadrës sonë për shembull një shkodran… nuk e di se çfarë të them. Gjykoj se është më shumë problem gjuhësor sesa futbollistik. Kur isha më i ri, në vitet ’90, krahas Institutit të Fizkulturës pata nisur me korrespondencë edhe Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë, por e lashë përgjysmë se kisha shumë impenjime”, – përgjigjet Dede duke qeshur.

vedrangerc_novilistIncidenti, Gerc dy muaj jashtë
Vedran Gerc do të mungojë të paktën dy muaj. Lajmi konfirmohet jo vetëm nga sulmuesi kroat, por edhe nga administratori i Tiranës, Krenar Alimehmeti. Gerc ka lënë dje spitalin, pas operacionit që bëri pasditen e së dielës dhe ka nisur një kurë aftësimi, fillimisht me medikamente dhe më pas me fizioterapi. Lojtari çau damarin e dorës gjatë pushimit të ndeshjes Tirana-Bylisi, në gjaknxehtësi e sipër, teksa qëllonte xhamat e një porte në dhomat e zhveshjes. Paraqitja e tij e dobët gjatë 45 minutave të para, bëri që donatori Babasi t’ia vinte në dukje gjatë një minimbledhje në pushim të takimit. Por kroati nuk i ka kapërdirë dot këto kritika dhe në nervozizëm e sipër e ka shfryrë dufin te xhamat e dhomave të zhveshjes, duke çarë për pasojë damarët. Ai u dërgua menjëherë me ambulancë në spital dhe pasdite vonë u fut në sallën e operacionit, për shkak të hemorragjisë së madhe.
Gerc – I kontaktuar dje nga Panorama Sport, sulmuesi ka kërkuar falje dhe ka pohuar se në disa raste karakteri i tij prej gjaknxehti i ka sjellë goxha probleme (kujto përplasjen me Rajoviçin në Vllaznia-Tirana). “Sapo kam dalë nga spitali dhe mund të them se ndiej më pak dhimbje sesa dje, por gjithsesi nuk mund të them se jam qetësuar. Mjekët ma operuan dorën, si dhe më kanë dhënë disa medikamente që duhet t’i përdor gjatë kësaj kohe. Më vjen realisht keq që sapo u ktheva në skuadër, ta lë sërish. Jam penduar për atë që bëra, por si tip jam gjaknxehtë. Uroj që drejtuesit të më mirëkuptojnë dhe shpresoj që kur të kthehem t’ua shpërblej në fushën e lojës”, – ka thënë dje sulmuesi kroat. Alimehmeti – Ndërkohë, administratori Krenar Alimehmeti ka sqaruar edhe kohën e rikuperimit të lojtarit. “Në radhë të parë i urojmë një shërim sa më të shpejtë, pasi përtej incidentit duhet parë ana njerëzore. Së dyti, sipas asaj që kam biseduar edhe me doktorët, Gerc do të mungojë deri nga fundi i dhjetorit. Ai do duhet që të rrijë në qetësi për një muaj të tërë dhe më pas, sipas programit, do duhet të bëjë rreth dy javë fizioterapi. Vetëm pas kësaj të fundit do të rikthehet në stërvitje, por sigurisht, nuk do jetë menjëherë i gatshëm për lojë, sepse do duhet njëfarë periudhe që të riambientohet me skuadrën. Gjobë? Jo, nuk mendoj se është momenti të bisedohet për të tilla gjëra. Janë momente në nerva e sipër që mund t’i kishin ndodhur gjithkujt. Ai ka një kontratë me klubin dhe do ta respektojmë deri në fund”, – është shprehur Alimehmeti.
LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"