Interi ka nisur përgatitjet për finalen e madhe/ Inzagi, plan special për Halandin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2023 | 23:59

Interi ka nisur përgatitjet për finalen e madhe/ Inzagi, plan special për Halandin

Interi i është rikthyer stërvitjes të mërkurën dhe ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet e fundit të sezonit. Nesër zikaltrit do të përballen me Torinon në javën e fundit të Serisë A, por me sigurimin e kualifikimit për në edicionin e ardhshëm të Champions League tashmë padyshim që vëmendja është zhvendosur te finalja ndaj Mançester Sitit.

0_Untitled-1

Pas stërvitjes së djeshme skuadra zikaltër ka përgatitur skarën dhe kanë drekuar në qendrën stërvitore të klubit me Lautaron si protagonist të këtyre rasteve, që konsiderohet si eksperti i barbekjusë në Milano. Pavarësisht kësaj, Simone Inzagi dhe stafi i tij mendojnë vazhdimisht për duelin ndaj skuadrës së Guardiolës.

Siç ka zbuluar “La Gazzetta dello Sport”, trajneri po i kushton një rëndësi të veçantë Erling Halandit, për të cilin ka caktuar seanca speciale me video për të përgatitur gjithë ekipin për ta ndalur bomberin norvegjez. Qëllimi është që bateritë të jenë të karikuara në maksimum për përballjen e madhe, ku shumë do të vendoset nga ana fizike e psikologjike, por edhe nga eksperienca e organika.

PËRGATITJA FIZIKE – Interi është në maksimumin e tij nga pikëpamja atletike. Stërvitjet e personalizuara për çdo lojtar kanë dhënë frytet e tyre, me skuadrën që prej një muaji po dikton ritmin e saj ndaj kundërshtarëve me kundërsulme, mbyllje të shpejta në fazë mosposedimi, dublime të rivalëve dhe alternime të vazhdueshme në role.

PSIKOLOGJIA – Gjendja mendore duket edhe më e mirë se ajo fizike. Kupa e Italisë e fituar konfirmoi paraqitjen e shkëlqyer të zikaltërve në ndeshjet teke, ndërkohë që jo pak ka ndikuar edhe fitorja në euroderbi dhe muajt e mirë në kampionat.

Besimi është kryefjalë në ambientet e Interit, diçka që po theksohet me të madhe edhe para kamerave. Nga ana tjetër, fakti që nuk nisen favoritë mund të jetë një ndihmesë e madhe psikologjike për të luajtur lirshëm, pa pasur asgjë për të humbur.

EKSPERIENCA – E vetmja pikëpyetje mund të jetë përvoja, pasi asnjë prej stafit apo lojtarëve nuk ka luajtur ndonjëherë një finale të Champions League. Do të jetë një thikë me dy tehe për Interin, që gjithsesi do të udhëhiqen nga kampionët e Europës, Açerbi, Barela dhe Bastoni, një fitues i Ligës së Europës dhe Konferencës si Mikhitarian, por mbi të gjitha nga një kampion bote si Lautaro.

ORGANIKA – Shkriniari dhe Korrea po rikuperohen, ashtu si Mikhitariani që po punon për të qenë në maksimum, me Inzagin që do të ketë në dispozicion të gjithë skuadrën në Stamboll.

PËRGATITI: NILSI GJINI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"