Inzagi shtyn firmën tek Interi, kërkon rritje rroge nga zikaltrit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2024 | 19:42

Inzagi shtyn firmën tek Interi, kërkon rritje rroge nga zikaltrit

Kjo është një tratativë që nuk shqetëson asnjë, për aq kohë sa dëshira është për të vazhduar bashkë, por është një tratativë dhe normalisht që ka problematika që duhen zgjidhur patjetër. Në situata të tilla flitet dhe diskutohet, bëhen oferta dhe kërkesa. Lajmi është që Simone Inzagi dhe Interi nuk kanë ende një akord përfundimtar. Nuk ndryshon asgjë, në kuptimin që sigurisht do të arrihet gjuha e përbashkët, por sot për sot kjo është situata.

inzagi marota

Trajneri kampion i Italisë ka shtuar kërkesat dhe pretendimet e tij për të firmosur një kontratë të re me rrogë 7 ose 7 milionë e gjysmë. Klubi zikaltër s’ka ndërmend që të shkojë mbi 6,5 milionë euro. Rrezikohet që gjithçka të shkatërrohet? Absolutisht jo. Por është një çështje që në fakt dukej praktikisht e përfunduar mes buzëqeshjeve dhe përqafimeve në festën e yllit të dytë. Për momentin nuk është hedhur e zeza mbi të bardhë. Inzagi do të firmosë një kontratë deri në vitin 2026, por kur dhe si nuk është ende e qartë. Interi nuk ka dëshirë që ta nisë sezonin e ri me një trajner që i skadon kontrata në fundin e sezonit të ardhshëm. Përpara gushtit, marrëveshja duhet arritur patjetër dhe ndoshta mund të bëhet me përfshirjen e bonuseve. Baza në fakt nuk mund të ndryshojë dhe do të jetë 6,5 milionë euro. Nuk do të thotë që s’duan t’i japin rëndësi trajnerit, përkundrazi. Ai është në qendër të projektit të Marotës. Problemi i Interit është që duhet të rregullojë bilancet dhe të mos fryjë shifrat që nuk mund t’i përballojë dot. Nga ana tjetër, Inzagi është ai që nuk ka asnjë dëshirë për të braktisur anijen.

Kërkon që të jetë në drejtimin e skuadrës kampione për sezonin e ri. Ai tani ka hipur në një “Ferrari” që për hir të së vërtetës është duke i dhënë shumë mirë. Për më tepër do të ketë përmirësime në organikë për të qenë një Inter më konkurrues. Pa asnjë ankth dhe nxitimin, javën e ardhshme do të ketë takime të tjera, pastaj do të shohim. Në fund të fundit kemi mbetur tek përqafimet dhe buzëqeshjet e yllit të dytë. E pamundur që harrohen. Gjithçka do të vazhdojë dhe për të synuar objektiva të tjera.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"