Ish-kapiteni Çela: Të mos vendosin për Lushnjën ata që nuk dinë çfarë forme ka topi
Gentian Çela, një nga simbolet e futbollit verdhejeshil, jep opinionin e tij për situatën aktuale të futbollit lushnjar. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-kapiteni pohon se klubet e tjera me fondet që ka në dispozicion Lushnja shpëtojnë Superioren.
Çela pohon se disa lojtarë nuk e kanë merituar fanellën në sezonin e fundit, si dhe mendon se në klub janë të vonuar për të synuar ngjitjen në elitën e futbollit
Si ishte sezoni i Lushnjës në këndvështrimin e ish-kapitenit Çela?
Sezoni i kaluar mund të quhet me plot gojën i dështuar. Të tjera objektiva u shpalosën në fillim të sezonit, por për të dytin vit radhazi u desh ndeshja e “play out”-it për mbijetesën në kategori.
Çfarë do të thoshit për nivelin e lojërave që përfaqësuan ekipin?
Të paktën për këtë vit, lojtarët dukeshin të stërvitur mirë dhe me gjendje fizike. Mbase, aq është dhe niveli i tyre, ose përzgjedhja e tyre ka lënë për të dëshiruar.
U vu re një numër i madh i golave të pësuar…
Për të luajtur me Lushnjën duhet përqendrim maksimal. Si duket lojtarët nuk e kanë merituar fanellën verdhejeshile.
Për herë të dytë radhazi, skuadra shkoi në “play out”. Pse Lushnja nuk po e merr veten?
Në dijeninë time, Bashkia Lushnjë në dy vitet e fundit ka miratuar për futbollin fondet më të mëdha ndonjëherë. Mbase nuk ka bërë përzgjedhjen e duhur në administrimin e këtyre fondeve. Ka ekipe që me këto fonde shpëtojnë sezonin në Superiore.
Ka një mungesë të madhe të elementit vendës. Si e gjykoni këtë situatë?
Duhet të rritet më shumë kërkesa e llogarisë te moshat. Tani edhe terrenet sportive janë të mira, prandaj duhet vetëm organizim optimal. Në historinë e Lushnjës, gjithmonë baza ka qenë vendëse, ndërsa tani kemi lojtarë mbi 30 vjeç në ekipin e parë.
Lushnja, si bashki, investon shumë për futbollin, por rezultatet po mungojnë. Sipas jush, pse ndodh kjo?
Përveç investimit nevojitet edhe organizimi. Mos t’i lihet vendimmarrja njerëzve që nuk e dinë ende çfarë forme ka topi. Në Lushnjë ka njerëz të kualifikuar, të arsimuar dhe që i djeg kjo fanellë. Mund ta bëjnë shumë më mirë këtë punë.
Ndërkohë, Këshilli Bashkiak ka hedhur hapat e para të privatizimit të klubit. Si e shikoni këtë nismë?
Më mirë vonë se kurrë. E vonuar, por e mirëpritur. Sa do të jetë përkushtimi i këshilltarëve të bashkisë? Qyteti ka halle më të mëdha se topi i futbollit.
Çfarë sugjeroni për Lushnjën në sezonin e ardhshëm?
E shoh të vonuar për të synuar Superioren. Të shpresojmë të mos na duhet sërish ndeshje shtesë për të qëndruar në Kategorinë e Parë. Shpresoj të gabohem dhe do Zoti të më përgënjeshtrojnë dhe në 2025-ën ta kemi Lushnjën në Superiore.
ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"