Ish-kapiteni kuqezi akord me bavarezët, Lala: Ja projekti im te Bajerni i Mynihut
Altin Lala pritet ta mbyllë karrierën futbollistike te Bajerni i Mynihut. Ish-kapiteni i Shqipërisë ka arritur një marrëveshje me gjigantët gjermanë për të luajtur vitin e ardhshëm me skuadrën e dytë. Plani është i qartë: në fillim lojtar, më pas, nëse gjërat shkojnë mirë, mund t’i besohet një rol drejtuesi. Ish-kapiteni i Shqipërisë ka sqaruar për “Panorama Sport” gjithë situatën që ka të bëjë me të ardhmen e tij. “Më bindën Mehmet Sholli me Mikael Tarnatin që të luaja edhe një vit”, rrëfen mesfushori i Hanoverit. Ai ka shfrytëzuar dje ndeshjen mes dy skuadrave në Bundelsigë (ishte i grumbulluar, por nuk luajti) që të mbyllte marrëveshjen me klubin bavarez.
Altin, përveç ndeshjes sot kishit edhe një takim me drejtuesit e Bajernit. A u mor ndonjë vendim?
OK, mund të them se praktikisht gjithçka është e mbyllur. Nuk kam firmosur ende zyrtarisht, por besoj se vitin tjetër do të luaj te skuadra e dytë e Bajernit.
Nga Bundesliga në ligën e katërt…
E di, në pamje të parë nuk tingëllon si ndonjë arritje e madhe, por ju siguroj se për mua është një arritje e madhe.
Pse?
Sepse, së pari do të vazhdoj të luaj futboll. Ky sport është jeta ime dhe jam i lumtur që nuk do t’i var këpucët në gozhdë në maj, pasi kisha filluar të stresohesha që tani… (qesh). Së dyti, do bëhem pjesë e klubit më të organizuar në Evropë.
Është e vërtetë që keni një plan sekret për te Bajerni?
S’e kuptova mirë. Ku doni të dilni?
Media gjermane bën të ditur se pas kontratës si lojtar, fshihet një plan që ju të merrni një rol drejtuesi?
Atëherë po tregohem i sinqertë. Unë kam pasur një bisedë me Mikael Tarnatin dhe ai më bindi që ta pranoja këtë ofertë, pra të luaj me skuadrën e dytë të Bajernit. Gjatë bisedës ia bëra të qartë se te Hanoveri e kam gati një rol drejtuesi, por ai më tha se kam mundësi të mira që të bëhem edhe te Bajerni pjesë e stafit, nëse gjërat shkojnë mirë. Megjithatë, unë këtë bisedë nuk e kam bërë me drejtuesit, thjesht me miqtë e mi Tarnat dhe Sholl.
E keni fjalën për Mehmet Shollin?
Po, për atë. Sezonin tjetër ai do të jetë trajneri i skuadrës U-23 (ekipi i dytë i Bajernit) dhe kemi biseduar shpesh bashkë. Njihemi prej vitesh dhe ai më ka bërë të qartë se do të jem një bashkëpunëtor i afërt i tiji, pra më shumë si një gjysmëtrajner. Kjo është edhe një arsye më shumë se përse më pëlqen kaq shumë të shkoj te Bajerni.
Aty do luani me lojtarë shumë më të rinj në moshë….
Edhe te Hanoveri janë thuajse të gjithë të rinj. Kjo nuk është problem për mua, përkundrazi, mendoj se do të mësoj shumë gjëra. Qëllimi është që të marr eksperiencën e duhur në një klub kaq të madh. Nuk është e lehtë të bëhesh pjesë e Bajernit, më besoni.
Për sa kohë është kontrata si futbollist?
Menaxheri më tha se po punon për një kontratë 1+1. Të shohim! Kjo do të thotë se edhe vitin tjetër do të jeni në aktivitet.
Nëse ju bën ftesë De Biazi do riktheheni në Kombëtare?
Nuk mendoj se do rikthehem. Disa gjëra janë me moshë. Unë dua të luaj edhe një ndeshje të fundit, pra ndeshjen e lamtumirës. Do të doja shumë që ta luaja kundër Spanjës. Vetëm kaq. Nuk dua të bëhem pengesë për të rinjtë. Gjithsesi, të shohim se si do shkojnë gjërat, nuk mund të them më tepër.
Familja juaj si e priti fatin që do të largoheni nga Hanoveri pas një kohe të gjatë?
Jo edhe aq mirë, pasi të gjithë po bënim plane që unë t’i jepja fund me futbollin e luajtur, por në fund iu dorëzova institutit. Të gjithë shokët e mi që e kanë lënë futbollin, apo edhe lojtarë të tjerë të kalibrit botëror, i kam dëgjuar të thonë pasi i varin këpucët në gozhdë: luaj për aq kohë sa ke mundësi, se nuk do të të jepet më shansi. E mendova gjatë dhe vendosa që të vazhdoj të luaj.
Problemet te Hanoveri
Drejtuesit e Hanoverit nuk e kanë pritur edhe aq mirë marrëveshjen e Lalës me Bajernin e Mynihut. Krerët e klubit ia kanë thënë në sy futbollistit se ai është një investim i tyri dhe se do të donin që të punonte për këtë klub në të ardhmen. “Sigurisht që drejtuesit e Hanoverit duan që unë të punoj këtu dhe më kanë ofruar një vend në staf, por u thashë se me eksperiencën që mund të marr te Bajerni, mund të rikthehem dhe mund të marr më shumë përgjegjësi. Megjithatë, ata ma kanë lënë derën të hapur në çdo moment”, – është shprehur mesfushori.
Batuta për Riberinë
Tri vite më parë, në një ndeshje Bajern-Hanover, krerët e klubit bavarez e kritikuan ashpër Lalën për ndërhyrjet e rënda ndaj yllit francez. “Sot (dje) e kisha shumë pranë stolit Riberinë kur po ekzekutonte një goditje dënimi. Mezi u përmbajta se doja t’i bëja një sparkatë…”, – ka thënë “xhuxhi” luftarak.
JETMIR HALILAJ