Ish-presidenti, Artur Çobani: Privatizimi si shpëtim, Lushnja duhet të ndjekë shembullin e Egnatias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2024 | 13:52

Ish-presidenti, Artur Çobani: Privatizimi si shpëtim, Lushnja duhet të ndjekë shembullin e Egnatias

Ish-presidenti i Lushnjës, Artur Çobani, në një prononcim për gazetën “Panorama Sport” u shpreh me optimizëm sa i përket të ardhmes së futbollit verdhejeshil. Lushnja i mungon elitës prej shtatë edicionesh dhe privatizimi shihet si shpëtimi i madh i futbollit lushnjar.

artur cobani

DEKLARATA – “Këshilli Bashkiak ka marrë një vendim shumë të rëndësishëm, atë që ka të bëjë me privatizimin e ekipit të futbollit të Lushnjës. Të gjithë e kemi pritur me padurim këtë gjë, pasi është një veprim, që i hap rrugë privatizimit të ekipit të futbollit. Unë uroj, që ky hap i ndërmarrë nga këshilli bashkiak dhe vlerësimi të bëhet sa më shpejt nga grupi i ekspertëve kontabël, në mënyrë që të dalë e të hidhet në treg vlera e aksioneve. Bashkia, që kishte për ta shitur, e kalon për privatizim. Mirëpresim ofertat që do të vijnë nga persona të interesuar për të bërë privatizimin e klubit të futbollit. Unë e shikoj si një hap shumë pozitiv. Duhet të ishte bërë edhe më parë, sepse ligji i sporteve ka 2-3 vjet që ka hyrë në fuqi. Bashkia, që nga viti 2022-2023 nuk duhet të vazhdonte më me sponsorizimin e ekipit të futbollit.

Por, këtë e ka bërë për shkaqe dashamirëse, që të mos mbetet në mes të rrugës skuadra e futbollit. Ky hap i ndërmarrë tani, uroj që të mbyllet shpejt dhe të mos ketë vonesa në lidhje veprimet që duhet të kryen dhe sezoni i ardhshëm ta gjejë Lushnjën me një president të ri. Këtij të fundit do t’i krijohet mundësia të formojë një skuadër shumë të fortë. Të ndjekim shembullin e Egnatias. Asgjë më shumë nuk ka Rrogozhina se Lushnja. Lushnja ka shumë e shumë gjëra, ka asete, ka fusha futbolli, ka emrin, ka fanellën. Jam shumë optimist, që ky hap i ndërmarrë nga bashkia do të finalizohet shumë shpejt. Investitorët do të vijnë në Lushnjë, pasi qyteti dhe klubi ofron infrastrukturë, përveç stemës, emrit, traditës, tifozëve, që i ka të shumtë. Bëni një krahasim, sa tifozë ishin në ndeshjen e “play out”-it që Lushnja luajti me Ilirinë, nuk ishin në ndeshjet e luajtura për “play off”- in”. Imagjinoni se ç‘ndodh të ishte Lushnja në nivelet që ishte Egnatia këtë vit. Plus infrastrukturës, fushave, stadiumit dhe gjithçka të mirë, që ofron qyteti i Lushnjës për futbollin. Situata është optimiste”, deklaroi ish-futbollisti dhe ish-presidenti i Lushnjës Artur Çobani.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"