Ish-sulmuesi analizon sezonin e dështuar, Gjata: Bashkia gaboi me Tomorin, turp që faji po mbetet jetim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2024 | 20:35

Ish-sulmuesi analizon sezonin e dështuar, Gjata: Bashkia gaboi me Tomorin, turp që faji po mbetet jetim

Ashtu siç ka ndodh zakonisht në Berat, pas një sezoni të dështuar dhe rënies nga kategoria, askush nga strukturat përgjegjëse të futbollit nuk reagon.

tomorii

Dhe jo vetëm kaq, por as nuk marrin mundimin, që minimalisht të zhvillojnë një analizë gjithëpërfshirëse për të nxjerrë jo vetëm përgjegjësitë, por më së shumti për të hedhur ide dhe të hartojnë projekte për të ringjitur ekipin. Momentalisht, gjithçka është në heshtje dhe kjo ka nxitur opinionin futbolldashës beratas, por edhe disa prej figurave dhe ikonave të njohura të futbollit beratas, të reagojnë ashpër dhe të drejtojnë gishtin drejt strukturës përgjegjëse të klubit.

ISH-SULMUESI EDMOND GJATA

Një nga ata që ka reaguar për situatën ku ndodhet futbolli beratas është ish-sulmuesi Edmond Gjata. “Është sa e dhimbshme dhe po kaq e turpshme, që dështimi i Tomorit në sezonin e fundit dhe rënia në të Dytën, po kalohet në heshtje. Për mua, ashtu sikur komentohet gjerësisht në qytet, i gjithë dështimi dhe përgjegjësia është e klubit dhe ca më shumë e bashkisë, që është edhe pronarja “de facto” e futbollit. Ata nuk duhet të heshtin, por në respekt të historisë dhe brezave të nderuar të futbollit beratas, duhet të dalin para qytetarëve të Beratit dhe të pranojnë dështimin me Tomorin, sepse kanë eksperimentuar pa fund me skuadrën gjatë kampionatit që u mbyll. Le t’u dhimbsen të paktën lekët e taksapaguesve beratas dhe të kryejnë analizën, duke i shpjeguar tifozërisë se si do ta nxjerrin Tomorin nga kriza. Mos të kujtohen për Tomorin vetëm atëherë kur ka fushata elektorale. Klubi dhe bashkia duhet të flasin dhe jo të heshtin duke e lënë fajin jetim, sepse kjo është një heshtje që vret dhe jo të sillen sikur s’ka ndodhur asgjë”, u shpreh Gjata për “Panorama Sport”.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"