Ish-sulmuesi i Vllaznisë, Vioresin Sinani: E kalojmë Valurin, besoj shumë te kualifikimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 29, 2024 | 12:31

Ish-sulmuesi i Vllaznisë, Vioresin Sinani: E kalojmë Valurin, besoj shumë te kualifikimi

Ish-sulmuesi i shquar shkodran, Vioresin Sinani, aktualisht pjesë e stafit të trajnerit Tomas Brdariç, ka folur nga Medjugorje, ku shkodranët po zhvillojnë fazën përgatitore, për gjendjen e skuadrës dhe për sfidën me Valurin në turin e parë eliminator të Ligës së Konferencës.

SINANI1

Ai është shprehur me nota mjaft optimiste, duke theksuar se Vllaznia ka gjendje të mirë dhe do të kualifikohet. “Përgatitjet e Vllaznisë deri tani kanë shkuar shumë mirë, pavarësisht ngarkesave të larta fizike. Lojtarët deri tani i kanë përballuar ato dhe uroj që të shërbejnë sa më shumë në vazhdim. Stërvitja ka qenë e fortë, por lojtarët janë në gjendje mjaft të mirë. Miqësoret na vlejnë shumë, pasi çdo ekip në fazë përgatitore ka nevojë që të shohë gjendjen e futbollistëve.

Jo më kot edhe trajneri Brdariç këto miqësore i vlerëson shumë. Pas kësaj pune intensive, ke nevojë ta shohësh ekipin se ku është. Kundërshtarët në këto miqësore janë të fortë dhe kjo është pozitive, sepse shihet edhe gjendja reale. Kualifikimi në Ligën e Konferencës? Besoj shumë, patjetër. Për vetë kushtet e mirë ku është akomoduar dhe po stërvitet skuadra, gjendja e saj. Pavarësisht se kundërshtari është një ekip i fortë, besoj shumë se Vllaznia do të kualifikohet kundër Valurit”, ka thënë Vioresin Sinani, krahu i djathtë i trajnerit Brdariç.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"