Ish-trajneri analizon sfidën “play-out”-it, Bano: Lushnja ia del, por kujdes Ilirinë e trajnerit Canaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2024 | 16:10

Ish-trajneri analizon sfidën “play-out”-it, Bano: Lushnja ia del, por kujdes Ilirinë e trajnerit Canaj

Artan Bano, ish-futbollisti dhe ish-trajneri i njohur lushnjar, në një intervistë për “Panorama Sport” tha se ka shumë besim te trajneri Magani dhe futbollistët lushnjarë. Ai beson se ata do ta kalojnë me sukses ndeshjen e “play-out”-it me Ilirinë.

BANO 1

Bano pohon se Lushnja është një nga ekipet më të financuara të Kategorisë së Parë dhe duhet të tregojë vlerat e saj në këtë ndeshje finale.

Lushnja do të luajë për herë të dytë radhazi një ndeshje shtesë për të siguruar mbijetesën në të Parën. Si e gjykoni?

Ndeshjet shtesë janë delikate. Gjithsesi, ato zgjidhen nga aftësitë individuale të futbollistëve me përvojë. Do të jetë një sfidë shumë e fortë dhe e luftuar. Vitin e kaluar në ekip kishte më tepër futbollistë me eksperiencë dhe me cilësi të mira, si dyshja Pepa-Canka që të jepnin garanci për të zgjidhur ndeshjen. Edhe ky grup lojtarësh që ka Lushnja, aktualisht është shumë cilësor.

Tashmë është mësuar edhe kundërshtari, Iliria e Fushë-Krujës. Cili është opinion juaj?

Do të jetë një ndeshje e luftuar nga të dyja ekipet. Iliria ka shumë uri për t’u kualifikuar. Me shumë investime, me futbollistë cilësorë dhe shumë mirë e organizuar. Ai ekip drejtohet nga trajneri i njohur Agim Canaj, që ka udhëhequr Lushnjën në dy periudha të ndryshme. Ka një trajner me përvojë. Unë mendoj që Lushnja dhe trajneri Magani janë të favorizuar për ta fituar takimin.

Ku i shikoni avantazhet e Lushnjës?

Është një ekip që ka kryer fazë përgatitore që në korrik. Ka një trajner me shumë eksperiencë siç është Gugash Magani, që ka marrë të gjitha përgjegjësitë për renditjen e ekipit në tabelë. Tani është radha e lojtarëve, që të japim më të mirën e mundshme për qëndrimin e Lushnjës në këtë kategori. Lushnja ka lojtarë të mirë dhe nëse ata japin maksimumin, kjo ndeshje do të kalojë me sukses. Janë lojtarë të mirë për këtë kategori. Nuk u ka munguar asgjë, si nga ana financiare dhe baza materiale. Ndoshta një nga ekipet e shumë paguara në këtë kategori. Ka mbështetjen e madhe të publikut lushnjar. Është një ekip që ndiqet. I gjithë qyteti i Lushnjës tani është me sytë nga ekipi.

Thatë, që është një ndeshje delikate…

Është një ndeshje shumë delikate për Lushnjën. Duhet të jemi të gjithë bashkë për ta kaluar me sukses. Në ndeshje të tilla duhet zgjidhje profesionale. Duhet të luhet për të fituar. Jemi të favorizuar, sepse ndeshjen Iliria-Sopoti e ka vëzhguar trajneri Magani dhe me imtësi. Ku janë pikët e dobëta dhe pikat e forta të kundërshtarit. Një ndeshje mund të fitohet edhe me një standard. Prandaj duhet shumë përqendrim nga futbollistët.

A keni besim te trajneri Magani dhe te kjo skuadër?

Unë kam shumë besim te trajneri Magani, te futbollistët e Lushnjës dhe te tifozëria e zjarrtë lushnjare, që nuk e ka lënë asnjëherë ekipin pa e mbështetur edhe kur nuk ka pasur rezultate të mira. Trajneri Magani është treguar shumë profesionist, është treguar intelektual. I mori të gjitha përgjegjësitë vetë për rezultatet e dobëta. Tani unë besoj që futbollistët e Lushnjës do të tregojnë veten në ndeshjen me Ilirinë, për t’i siguruar Lushnjës qëndrimin në Kategorinë e Parë.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"