Ish-trajneri Baballëku: Lushnja pa analizë dhe kërkesë llogarie, po harrohet fjala… Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2024 | 16:25

Ish-trajneri Baballëku: Lushnja pa analizë dhe kërkesë llogarie, po harrohet fjala… Superiore

Lushnjarët nuk kanë startuar ende nga puna dhe përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Futbolli lushnjar do të përfaqësohet për të shtatën herë radhazi në Kategorinë e Parë.

ramadan baballeku majtas

Përpjekjet për t’u ngjitur në Superiore kanë rënë ndjeshëm, sidomos në 2-3 vitet e fundit, ku skuadra ka vuajtur për të siguruar qëndrimin edhe në nivelin e dytë futbollistik, për nga rëndësia në vendin tonë. Në një opinion për gazetën “Panorama Sport”, ish-trajneri i verdhejeshilëve, Ramadan Baballëku, shprehet me pesimizëm. “Nuk mund të flasësh për një sezon të ri premtues, pa u analizuar sezoni i kaluar. Te Lushnja është bërë refren, që premtohet shumë në fillim të sezonit dhe në fund të tij nuk realizohet asgjë. Nuk ka rëndësi se çfarë thuhet në fillim, por se çfarë realizohet në fund.

Është fshirë fjala Superiore dhe skuadra jonë po luan ndeshje shtesë për të qëndruar në Kategorinë e Parë. Bëhet fjalë për një nga skuadrat më të mirëpaguara të Kategorisë së Parë, që ka të gjitha kushtet dhe që nuk i mungon asgjë. Por te Lushnja mungon kërkesa e llogarisë, mungon analiza sportive. Duhen nxjerrë shkaqet e dështimit nga e shkuara, çfarë kemi në të tashmen dhe çfarë mund të bëjmë në të ardhmen”, deklaroi ish-trajneri Ramadan Baballëku.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"