Ish-trajneri, Mariol Miho: Apolonia gaboi në strategji, ja çfarë i duhet ekipit për elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2024 | 18:36

Ish-trajneri, Mariol Miho: Apolonia gaboi në strategji, ja çfarë i duhet ekipit për elitën

Ëndrra e shumëdëshiruar e fierakëve për t’u ngjitur në elitë, pas tri sezonesh radhazi në Kategorinë e Parë u shua pasditen e 15 majit, kur Apolonia u eliminua me penallti nga Flamurtari në “play off”. Ish-trajneri i Apolonisë, Marjol Miho, në një intervistë për “Panorama Sport” skanon ecurinë sezonale të fierakëve. Ai shprehet se klubi duhet të afrojë lojtarë që bëjnë diferencën edhe pse ata kanë kosto.

apolonia

Miho, si e keni parë rrugëtimin e Apolonisë në sezonin e fundit?

Mund të them se ishte me luhatje të vazhdueshme dhe e ndaj në dy pjesë, kampionatin e rregullt dhe “play off”-in. Një nisje shumë e mirë me në krye trajnerin spanjoll Jerai Rodriges dhe me ngjitje të ekipit në klasifikim. Nga muaj dhjetor e në vazhdim, skuadra pati luhatje të frikshme që çuan në largimin e trajnerit dhe ardhjen e të mirënjohurit, Artan Mërgjyshi, që për kohën që kishte në dispozicion nuk kishte çfarë të ndryshonte. Me pak fjalë dhe shkurtimisht, Apolonia korri atë që mbolli.

Mosarritja e Superiores mund të quhet dështim për Apoloninë?

Varet nga objektivi që ka shpallur klubi dhe presidenca në fillim të sezonit. Asnjëherë nuk është bërë i ditur dhe nuk është thënë kurrë me zë të lartë që në fillim të sezonit, që ky është objektivi madhor. Për mendimin tim, Apolonia, me kontingjentin që kishte, nuk duhej të mjaftohej me një vend në “play off”. Mundësitë ishin për më shumë.

Ku mendoni se gaboi Apolonia?

Sinqerisht, Apolonia gaboi kudo e kurdoherë gjatë gjithë sezonit, pasi nuk pati stabilitet, por vetëm luhatje pikësh dhe loje. Ekip i paqëndrueshëm dhe nuk dëshmoi kurrë fytyrë pretendenti. Apolonia gaboi në strategji në fund të sezonit. Duhet që të kishte bërë më shumë që të arrinte vendin e katërt dhe të ishte më e çliruar. Megjithatë, i qëndroj fort mendimit që kjo Apoloni, me atë kontingjent cilësor lojtarësh, e kishte vendin në Superiore dhe jo sërish në të Parën.

Po në “play off”-in kundër Flamurtarit, çfarë duhej bërë më tepër?

Pikësëpari, ishte një ndeshje finale ku luhej gjithçka për gjithçka. Kaq mjafton që Apolonia të tentonte vazhdimisht për rezultatin pozitiv dhe njëkohësisht kualifikimin. Apolonia i kishte të gjitha mundësitë për të mos e çuar ndeshjen te 11-metërshat, veçanërisht pas daljes me karton të kuq të mbrojtësit të Flamurtarit. Ishte mbizotëruese në çdo aspekt dhe isha i bindur që ndeshjen do ta mbyllte me sukses. Nuk e kuptova pse pati frikë dhe u mbyll në prapavijë, pse nuk besoi që ta fitonte finalen. Rrjedhimisht, mendoj se e humbi finalen sepse u tregua frikacake. Pastaj te penalltitë dihej kush do të fitonte, sepse aty hyn në punë eksperienca dhe Flamurtari ka më shumë eksperiencë.

Nga ana tjetër, drejtuesit fierakë çfarë duhet të bëjnë më mirë për sezonin e ri që të rikthehen në Superiore?

Ata duhet ta dinë më mirë se ku u pikon çatia për të sjellë ndryshimin e shumëdëshiruar dhe sigurisht ngjitjen në elitë. Për mendimin tim modest dhe duke e parë situatën nga larg, grupi i lojtarëve duhet të ruhet i plotë dhe thjesht të përforcohet më shumë, aty ku ka nevojë. Apolonia ka lojtarë cilësorë, por edhe shumë të rinj të perspektivës që duhet t’u jepet edhe më shumë besim, që secili prej tyre të rritet dhe të ketë personalitet në fushë.

E ardhmja e Mërgjyshit është e paqartë. Si duhet të veprohet?

Jo vetëm se kam konsideratë për të, por Mërgjyshi është një trajner i zoti. Mendoj se ai duhet të vazhdojë. Le të nisë kështu puna për sezonin e ri, me rikonfirmimin e trajnerit Artan Mërgjyshi. E shihni teknikun si pikënisjen e gjithçkaje për sezonin e ri? Patjetër, madje e shoh Mërgjyshin si një trajner që sjellë harmoni në ekip, sepse e njeh shumë mirë ambientin dhe grupin e lojtarëve. Ai ka dëshmuar që di të punojë shkëlqyeshëm dhe t’i rrisë lojtarët e rinj.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"