Ish-trajneri Xhavit Sefa vlerëson nismën e Këshillit Bashkiak: Lushnja në vështirësi, shpresat te privatizimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2024 | 14:05

Ish-trajneri Xhavit Sefa vlerëson nismën e Këshillit Bashkiak: Lushnja në vështirësi, shpresat te privatizimi

Lushnja do të luajë sezonin e shtatë radhazi në nivelin e dytë futbollistik, për nga rëndësia, në vendin tonë. Futbolli verdhejeshil ka humbur dukshëm raportet me elitën e futbollit shqiptar duke munguar në Superiore nga sezoni 2017-2018.

GTREY

Në dy dekadat e fundit, Lushnja vetëm katër herë ka qenë pjesë në Superiore dhe plot 16 të tjera në Kategorinë e Parë. Ndërsa në dy sezonet e fundit qëndrimin në të Parën e kanë realizuar përmes ndeshjes shtesë në fazën “play out”.

DEKLARATA – Në një deklaratë për gazetën “Panorama Sport”, një nga ikonat e futbollit verdhejeshil, ish-trajneri Xhavit Sefa, pohon se futbolli lushnjar po kalon një situatë të vështirë. Ai vlerëson lëvizjen e fundit të Këshillit Bashkiak, që i hap rrugën privatizimit të klubit, me shpresën që biznesi privat do ia ndryshojë fytyrën futbollit të Lushnjës. “Futbolli i Lushnjës po kalon një moment të vështirë sepse u bënë shumë vite që i mungojnë rezultatet. Jo vetëm që është larg Superiores, por në dy-tre sezonet e fundit me shumë vështirësi ka realizuar edhe qëndrimin në Kategorinë e Parë.

Dy herë radhazi ia ka dalë në ndeshjet shtesë. Rezultatet mungojnë edhe pse jo përpjekjet. Kështu që, do ta quaja shumë pozitive dhe shumë të rëndësishëm hapin e marrë nga Këshilli Bashkiak i qytetit për privatizimin e klubit. Shpresoj që të vazhdohet me hapat e tjerë deri na finalizim. Kjo nismë u prit shumë pozitivisht dhe me entuziazëm nga tifozët e shumtë që ka Lushnja. Duke pasur një president privat, padyshim që do të ketë kërkesë llogarie më të madhe për marrjen e rezultatit sportiv”, deklaroi ish-trajneri Xhavit Sefa.

6 vite

ka Lushnja larg elitës së futbollit shqiptar. Për herë të fundit lushnjarët kanë milituar në Kategorinë Superiore në sezonin 2017-2018. Në dy vitet e fundit Lushnja e ka siguruar mbijetesën në të Parën me ndeshje shtesë.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"