Itali-Shqipëri/ Kuqezinjtë ndahen në “paqe” me “axurrët”
UPDATE/ Kuqezinjtë e ekipit Shpresa (U-21) e mbyllën në barazim miqësoren ndaj “axurrëve” të drejtuar nga Di Biaxho. Ndeshja e luajtur mbrëmjen e së mërkurës në San Benedeto u mbyll me rezultatin 0-0.
Pjesa e parë u karakterizua nga një lojë e kujdesshme nga të dyja skuadrat. Kuqezinjtë rritën presionin e lojës në pjesën e dytë duke rrezikuar në disa raste portën e kundërshtarëve me anë të Manajt dhe Latifit.
Djemtë e drejtuar nga Redi Jupi patën një rastë të mirë për realizimin e golit të avantazhit në minutën e 27′ të pjesës së dytë. Një top i harkuar nga goditja e këndit shkoi pranë Manajt i cili ishte fare pranë portës, por sulmuesi nuk arrinë ta shtyjë topin në rrjetë.
Më herët Latifi rrezikoi golin në minutën e 62′ të lojës, pas eksekutimit të një goditje dënimi, por portieri italian ndërhyri duke shpëtuar golin e disavantazhit.
Një tjetër protagonist në këtë sfidë ishte edhe portieri Strakosha, i cili kreu disa ndërhyrje vendimtare.
Në këtë ndeshje mungoi treshja e Lokomotivës së Zagrebit: Herdi Prenga, Endri Çekiçi dhe Eros Grezda. Klubi kroat pengoi kuqezinjtë për shkak të angazhimeve të tyre. E njëjta situatë ndodhi edhe me Milot Rashicën, i cili nuk u la nga Viteshe me argumentin e nisjes së kampionatit holandez.
Miqësorja u luajt në kuadër të dy ndeshjeve zyrtare që Kombëtarja U-21 do të luajë më 2 shtator dhe 10 tetor, respektivisht ndaj Greqisë dhe Izraelit.
Rezultati final:
Itali – Shqipëri 0 – 0
Formacionet:
Italia: Donaruma (46’ Kranjo), Konti, Biraski (61’ Kalabresi), Kaldara, Murru, Berardi (60’ Riçi), Verre (46’ Grasi), Kataldi (89’ Kapezi), Garritano (75’ Galjardini), Çerri (46’ Monakelo), Roseti (Parixhini).
Trajner: Xh. Di Biaxhio
Shqipëria: Strakosha, Hoxhallari, Shkalla (72’ Karriqi), Lulaj, Gurishta, Gjini, Latifi, Laçi, Bare, Fili (56’ Uzuni), Manaj.
Trajner: R. Jupi
Gjyqtar: Xh. Kazanova (San Marino)
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"