Izrael, mediat “kryqëzojnë” Salihin: 540 minuta pa gol
Nga i përkëdheluri i tifozëve dhe i drejtuesve të klubit, në “gijotinën” e analistëve dhe medias. Kështu mund të konsiderohen dy muajt e fundit të Hamdi Salihit në Izrael. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, i cili luan për Hapoel Akre, është vënë nën akuzë për shterpësinë në lojën e tij në gjashtë ndeshjet e fundit. Edhe pse ka luajtur si titullar në takimet: Ashdod-Hapoel Akre (1-0), Hapoel Akre-Bnei Jehuda (1- 1), Makabi Petah Tikva-Hapoel Akre (0-0), Hapoel Akre- Hapoel Ra’anana (1-1), Hapoel Akre-Ashdod (1-1) dhe Ironi Kirjat Shmona-Hapoel Akre (2-0), Salihi nuk ka shënuar asnjë gol, duke marrë tashmë kritikat e para nga mediat. Në një analizë të vetën, uebsajti sportiv (një nga më të njohurit në Izrael), “sport5.co.il/ articles.aspx?FolderID=64&docI D=167444&lang=HE”, vë edhe pikëpyetje në lidhje me aftësitë për të cilat u fol në fillim të shkurtit kur Salihi shkoi te kjo skuadër. “Grupi i trajnerit Juval Naim po shkon keq e më keq. Akre ka 540 minuta që nuk njeh një fitore, kjo për shkak se nuk po arrin të gjejë një siguri në repartin e sulmit. Hamdi Salihi, i cili erdhi te kjo skuadër si një hero, nuk ka treguar asgjë nga repertori për të cilin u fol, aq sa duket se paratë e harxhuara nuk e justifikojnë gjithë këtë investim”, – thuhet në shkrim. Salihi ka shënuar vetëm tre gola me këtë skuadër, në ndeshjet Hapoel Akre-Makabi Haifa (1-1), i luajtur më 1 mars, dhe Hapoel Akre-Ironi Ramat HaSharon (4-3), ku ka realizuar dopietë, takim ky i luajtur më 15 shkurt. Sakaq, duhet thënë se e njëjta gjë i ndodhi Salihit edhe kur shkoi te DC Junajtid në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 2012-ën, si dhe te Jiangsu Sainti në Kinë. Sulmuesi u prit me shumë bujë, në fillim shënoi katër-pesë gola dhe më pas u përhumb. Shpresohet që e njëjta gjë të mos ndodhë edhe në Izrael te kjo skuadër, pavarësisht se duhet thënë se klubi Hapoel Akre futet te më inferiorët si në histori dhe porsa i përket anës financiare në kampionatin e këtij vendi.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"