Ja si do të jetë Dinamo e re
Dinamo e pjesës së dytë të kampionatit do të ndryshojë jo pak nga ajo e pjesës së parë. Gjithçka nis nga porta e deri në sulm. Pranë skuadrës janë afruar pesë futbollistë gjatë merkatos së janarit. Në portë pritet që të luajë si titullar Elvis Kotorri, ndërsa Daniel Lamellari do të jetë zgjedhja e dytë. Në mbrojtje do të vendosen Muça në të djathtë e Shazivari në të majtë, në një kohë që Turtulli dhe Rexhepi do të luajnë në qendër. Në mesfushë do të jenë sërish katër lojtarë. Allmuça në të djathtë, Imami në të majtë dhe Capa me Arifajn do të përbëjnë dyshen e qendrës. Ndërkaq, dyshja e sulmit do të jetë Turdiu-Xhafaj. Gjatë miqësoreve të fundit, trajneri Dritan Mehmeti ka aplikuar disa skema të ndryshme, por pritet që ai të luajë me skemën 4-4-2 dhe me këtë formacion në pjesën e dytë të kampionatit.
Turtulli Mbrojtësi 21-vjeçar Marvin Turtulli është edhe lojtari më i fundit që ka firmosur për blutë dy ditë më parë. Ai rikthehet në klubin ku u lind dhe u formua si lojtar. Në një prononcim për gazetën, ai u shpreh: “Firmosa kontratën me Dinamon për një vit. Jam shumë i kënaqur sepse po kthehem në shtëpi, ku po rigjej shokët e mi, me disa prej të cilëve kam luajtur që fëmijë, pasi kemi dalë nga ekipet zinxhirë të Dinamos. Shpresoj dhe besoj shumë që ne do të ngjitemi në Superiore, pasi skuadra, me këtë organikë që ka, bën diferencën. Ka ndërthurje brezash, çka është shumë e mirë sepse ndërthuret forca fizike me atë teknike dhe taktike. Me këtë miks ne do të arrijmë të jemi të suksesshëm”, përfundon prononcimin Turtulli.