Ja si ndryshon Elbasani për fazën e dytë
Elbasani i fazës së dytë ka marrë përfundimisht formë në mbylljen e merkatos. Tri afrimet e reja, siç janë mbrojtësi Elton Basriu, mesfushori Elio Shazivari dhe sulmuesi Ermir Rezi, që vijnë nga elita e futbollit shqiptar, pritet të hidhen menjëherë në fushë në takimin e parë që verdheblutë do të kenë, atë me Tërbunin në transfertë. Mund të thuhet se skuadra është plotësisht e kompletuar, ndonëse “qershia mbi tortë” që pritej të ndodhte në minutat e fundit të merkatos, siç do të ishte afrimi i ndonjë sulmuesi potent, nuk ndodhi. Gjithsesi, sërish ekipi duket OK.
Ndryshimet – Te Elbasani pritet të ndryshojë formacioni, ku do të ketë lëvizje në të tri repartet, përveç portës që do të mbetet “bastion” i Elvis Kotorrit. Në mbrojtje, dyshja e qendrës do të përbëhet përfundimisht nga Arjan Pisha dhe Elton Basriu, ndërsa krahët do të mbulohen nga Kaçuli në të majtë, që ruan pozicionin e fazës së parë, dhe kapiteni Merxha, i cili spostohet nga mesfushor i djathtë në mbrojtës të po këtij krahu. Kjo për shkak të “dyndjes” që ka në mesfushë. Gjithashtu ndryshon edhe skema në këtë fazë të dytë. File do të hedhë 5 mesfushorë, dy të tërhequr dhe tre të avancuar. Pra, Elbasani tani pritet të luajë me skemën 4-2-3-1, që është provuar edhe në fazën e parë. Kështu, Gava me Hilën janë të tërhequr në qendër të saj, ndërsa Shazivari në të majtë dhe Bylykbashi në të djathtë, duke shtyrë shumë përpara. Dalipi do të jetë në ndihmë të sulmuesit të vetëm që do të jetë më i avancuar përpara. Ndërkaq, në ofensivë janë praktikisht tre futbollistë me karakteristika të njëjta, siç janë Lamçja, Tafani dhe i afruari në merkato, Rezi. Megjithatë, sot verdheblutë do të kenë një test miqësor me Naftëtarin, ku pritet të zgjidhen shumë prej dilemave që ka tekniku File sa i përket formacionit.
VLADIMIR MEMA