Jakin i sfidon të gjithë: Rivalizuam Gjermaninë dhe mundëm Italinë, pse të kemi frikë Anglinë?

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 3, 2024 | 11:58

Jakin i sfidon të gjithë: Rivalizuam Gjermaninë dhe mundëm Italinë, pse të kemi frikë Anglinë?

Trajneri i Zvicrës, Murat Jakin, nuk i trembet Anglisë dhe e thotë hapur: “Nuk më takon mua të gjykoj se si kanë luajtur anglezët. Unë jam i përqendruar te ne. Megjithatë, ne i dimë pikat e forta dhe të dobëta të tyre. Po përpiqem ta përgatis ekipin tonë për ta sa më mirë që mundem”.

jakin

Në intervistën për sajtin e UEFA-s, tekniku zbulon recetën sesi ka gjetur ekuilibrin në skuadrën që po befason në Gjermani.

Sa shanse shikoni për skuadrën tuaj për të kaluar Anglinë?
Ne ishim në gjendje të konkurronim me Gjermaninë dhe mundëm Italinë. Pse nuk duhet të kemi tani atë që duhet për të mundur Anglinë? Jemi në formë të mirë. Ekipi im është i gatshëm të bëjë një luftë të fortë. Ne jemi në gjendje të përqendrohemi plotësisht në ndeshjen e futbollit dhe nuk duhet të përballemi me ndonjë shpërqendrim nga jashtë.

Sa e rëndësishme është të kesh lojtarë që vijnë pas sezoneve të shkëlqyera në nivel klubesh?
Ishte e rëndësishme që lojtarët erdhën me vetëbesim. Jan (Zomer), Manu (Akanzhi) dhe Granit (Xhaka) të gjithë fituan tituj këtë sezon, ndërsa lojtarët tanë të Bolonjës shijuan një sezon të mrekullueshëm. E gjithë kjo ishte shumë e rëndësishme.

Një ndikim gjithnjë e më të madh ka edhe Manuel Akanzhi…
Kam qenë për ta parë Manuelin disa herë në muajt e fundit dhe shpesh kemi shkëmbyer ide. Ne folëm për situatën e tij personale dhe se si i pëlqen të luajë. Më bëri përshtypje sesi trajneri i tij (Pep Guardiola) e përdor atë te Siti. Ne gjithashtu folëm për rolin e tij në ekipin kombëtar dhe se ai duhet të mbështesë më shumë Xhakën dhe ata e zbatuan atë që unë prisja prej tyre.

Stafit tuaj i është bashkuar edhe Xhorxho Kontini në shkurt…
Ai ka sjellë ajër të pastër. Ishte e rëndësishme për mua të sillja dikë në ekip, të cilit i besoj verbërisht. Unë nuk e shoh atë si asistentin tim, por si partnerin tim. Ai bën pikërisht atë që unë kisha shpresuar se do të bënte. Një goditje fati absolute për ne.

Si ia bëni që e mbani skuadrën kaq të bashkuar?
Është ndoshta një nga gjërat më të vështira për mua. Është e rëndësishme për mua që lojtarët të ndihen sikur janë pjesë e ekipit. Ne kemi lojtarë që e dinë rolin e tyre dhe çfarë duhet të bëjnë. Ata duhet të jenë gati, të stërviten mirë dhe të jenë të gatshëm kur të krijohet mundësia. Jemi me fat që nuk kemi asnjë lëndim, por kjo padyshim e bën këtë të vështirë për këta lojtarë që të luajnë.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"