“Jam i hapur për Elbasanin dhe Flamurtarin”, Devolli: Gati për një projekt serioz, te Kukësi ishim pa fat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2024 | 12:08

“Jam i hapur për Elbasanin dhe Flamurtarin”, Devolli: Gati për një projekt serioz, te Kukësi ishim pa fat

Bledar Devolli ndau rrugët me Kukësin, edhe pse në vetëm 3 muaj nën drejtimin e skuadrës arriti në finalen e Kupës së Shqipërisë dhe për pak sa nuk fitoi këtë trofe. Ndërkohë tani, trajneri i njohur është në kërkim të një aventure të re.

devolli kukesi

Ashtu siç shprehet në një intervistë për “Panorama Sport”, Devolli është në pritje të një projekti serioz, si edhe ndërtimin e një ekipi nga fillimi për sezonin e ri.

Devolli, si po shkon kjo verë deri tani?

Po shkon mirë, duke ndjekur ndeshjet e Europianit. Pamë ndeshjet e Shqipërisë. Na erdhi keq që dolëm kaq shpejt, megjithëse kemi bërë performancë të mirë. Shpresoj që kjo eksperiencë të na shërbejë për nesër, ndaç në Ligën e Kombeve apo eliminatoret e Botërorit. Besoj se kemi një grup të mirë, me lojtarë të rinj dhe me perspektivë për të ardhmen.

Me aq sa keni parë, cili mendoni se është favoriti kryesor për ta fituar këtë Europian?

Me thënë të drejtën, ajo që më ka bindur më shumë nga të gjitha është Spanja. Në çdo ndeshje ka treguar futboll, edhe pse këtë Europian ka ndryshuar disi filozofi. Shkon shumë shpejt te porta dhe nuk është më ajo Spanja që bën shumë stacione. Kjo është një risi në këtë kombëtare dhe është meritë e këtij trajneri që e ka treguar veten, si tek U-19 apo U-21. Edhe pse pësuan gol me Gjeorgjinë, sërish reaguan dhe kjo i duhet një ekipi. Mendoj se Spanja është ekipi për tu mundur.

Po ajo skuadra surprizë e këtij Europiani?

Për mua është Zvicra. Të gjitha ndeshjet në grup apo edhe përballjen me Italinë, tregoi futbollin e saj. Kanë një filozofi loje dhe uri për të shkuar sa më lart. Besoj se ata do të befasojnë edhe më shumë.

Kthehemi pak te futbolli jonë, mbyllët aventurën me Kukësin. Mund të na thoni, pse vendosët të largoheni?

Besoj se ishte një aventurë e suksesshme. Më shërbeu edhe mua, edhe atyre lojtarëve që u stërvitën për 3 muaj me mua. Besoj se kemi bërë një punë shumë të mirë, si në kampionat, edhe pse kishim pak fat dhe shumë episode i kishim kundër. Ndërsa në Kupë kemi treguar veten dhe sa vlejmë. Pavarësisht finales, mendoj se jemi paraqitur mirë, përjashto këtu një episod që ishte rasti i golit. Por, në përgjithësi jam I kënaqur sepse e kam parë disa herë ndeshjen më vonë dhe kemi luajtur mirë ndaj një rivali që duhet respektuar dhe jo më kot u shpall edhe kampion i kampionatit tonë.

Ju trajnerët keni ndoshta më shumë pengje sesa lojtarët, por a mendoni se nëse do ta kishit marrë drejtimin e Kukësit më shpejt, mund ta kishit shmangur atë që ndodhi?

E mira për trajnerin është që ta marrë ekipin nga fillimi, ose minimum në janar, pasi mund të ketë ndonjë mundësi për të ndërhyrë edhe në merkato. Edhe dëshira ime do të ishte ta merrja Kukësin që në janar sepse ke kohë për të zhvilluar një minifazë, luan disa miqësore dhe e njeh më mirë ekipin nga afër. Por, sërish e thashë që jam i kënaqur me atë punë që kemi bërë ato tre muaj dhe më vjen mirë që të gjithë çunave u është rritur vlera në treg. Përveç rezultateve, punës apo filozofisë së lojës, për mua një trajner duhet të kënaqet edhe me rritjen e lojtarëve në treg. Lojtarët e Kukësit e kanë arritur një gjë të tillë dhe shumë shpejt do t’i shohim në skuadra të tjera.

A jeni gati për një rikthim në stol?

Puna jonë kështu është. Jemi gjithmonë gati. E mira do të ishte që të merrja një ekip nga fillimi, të cilin mund ta krijosh në bashkëpunim me drejtuesit. Ke mundësi të zhvillosh fazën përgatitore dhe të luash disa miqësore në mënyrë që të shohësh punën dhe forcën e skuadrës. Do të doja një ekip me objektiva madhorë, por shpresojmë sepse unë i lirë jam. Po pres të bjerë telefoni.

Aktualisht Elbasani dhe Flamurtari nuk e kanë konfirmuar trajnerin, do të kishit dëshirë të drejtonit një prej tyre, duke qenë se kemi luajtur me të dyja ekipet?

Unë kam pasur fatin që të luaj për të dyja këto skuadra kur kam qenë futbollist. Të dyja kanë emër shumë të madh, tifozëri të zjarrtë në stadium. E mira është që të jetë një projekt që edhe mua të më ketë duk puna, pse jo do të isha shumë i hapur dhe i nderuar për të qenë pjesë e një prej këtyre ekipeve.

KRISTI SEJATLLARI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"