“Japim gjithçka për të mos pasur pengje”, Silva: Finalen do ta shijojmë, luajmë për trofeun numër 1
Bernardo Silva thotë se duke i shijuar ndeshjet e mëdha në karrierë, të shtohen shanset për të qenë i suksesshëm në to, ndërsa ai përgatitet për finalen e nesërme të Champions-it.
Siti do të përballet me Interin në Stamboll të shtunën dhe portugezi beson se lojtarët duhet të shijojnë shansin, sepse ai nuk të vjen kaq shpesh. 28-vjeçari thotë gjatë një interviste për sajtin e klubit se duke luajtur me një buzëqeshje në fytyrë kjo të rrit nivelet e lojës. Këtë ka bërë ai gjatë 6 viteve me trajnerin Pep Guardiola në “Etihad” dhe në ndeshjen e fundit në gjysmëfinale kundër Realit.
Duke folur për qasjen e trajnerit katalanas ndaj Realit, pengesës së fundit përpara finales, Silva tha: “Mesazhi kryesor që ai na përcjell në këto ndeshje, jo vetëm kundër Realit, por në veçanti në këtë ndeshje, sepse ishte një gjysmëfinale Champions-i, ishte se sezonin e shkuar ata na eliminuan në mënyrë të çuditshme. Ishte e vështirë për ne që ta pranonim atë, kështu që duhet të kuptojmë se mund të humbasim, sepse po luanim kundër një prej ekipeve më të mira në botë.
Por ne duhet të kualifikoheshim në fund dhe të mos kishim pengje. Duhet të mbërrijmë në fund të ndeshjes pa pengje, duke ditur se dhamë gjithçka që mundeshim për të arritur në finale. Ne duhet të jemi vetvetja, të zotërojmë topin, aplikojmë presingun lart, kontrollojmë ndeshjen dhe krijojmë më shumë raste për të shënuar. Dhe nëse e bënim këtë, ne e dinim që do të ishim pak më pranë objektivit tonë final, duke ditur se do të luanim kundër një skuadre të shkëlqyer, por gjithashtu duke shijuar momentin, sepse të luash në një gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve është speciale. Të arrish në këto momente është gjithnjë shumë e vështirë, kështu që nëse nuk i përqafon dhe shijon ato, ti nuk e di nëse do të jesh përsëri atje. Dhe unë mendoj se ti do të shkosh pak përtej objektivit tënd, sepse kur i bën gjërat me kënaqësi, ti i bën më mirë ato”.
SEZON I VËSHTIRË – Duke luajtur edhe finalen e Champions-it, Siti mbyll një sezon të shkëlqyer 2022-‘23, ku ata kanë ngritur trofeun e Premier Ligës dhe të Kupës FA dhe mund ta ulin siparin duke fituar tripletën. Bernardo pranon se ka qenë një sezon i vështirë për shkak të garës për titull me Arsenalin. Organizatori thotë se dy fitoret ndaj “topçinjve”, ajo në shtëpi që erdhi menjëherë pas eliminimit të Bajernit në çerekfinale, ishin çelësi për një tripletë të mundshme.
“Ky ka qenë një sezon i vështirë, sepse 90% e tij ne kemi qenë pas Arsenalit dhe nuk mund të fitonim katër apo pesë ndeshje radhazi. Dhe kështu e patëm të vështirë për të arritur atë momentin e vetëbesimit duke menduar: ‘OK, tani jemi të pandalshëm’. Sepse kur ti nis dhe fiton 5-6 apo 7 ndeshje radhazi, të krijohet ajo ndjesia e pathyeshmërisë. Dhe është e vështirë ta ndalësh një skuadër kur ka këtë ndjesi. Për çdo skuadër, jo vetëm për ne. Dhe vitin e shkuar pas dytri ndeshjesh ne bënim një barazim ose humbje. Kjo përfundoi duke krijuar ndjesinë e humbjes së besimit brenda ekipit. Mendoj se veçanërisht pas Kupës së Botës, kishte një moment reflektimi dhe ndeshjet e para nuk ishin të lehta. Por fitorja në transfertë me Arsenalin ishte shumë e rëndësishme. Na bëri që të besonim përsëri se mund të fitonim ndeshje të rëndësishme. Dhe në atë moment fituam ndaj Arsenalit në shtëpi, ishte pothuajse në të njëjtën kohë kur eliminuam Bajernin nga Champions-i dhe rezultoi një moment shumë i rëndësishëm.
Sepse ne morëm vendin e parë në kampionat dhe shkuam në gjysmëfinale pasi mundëm një prej ekipeve më të mira në botë. Dhe në muajin e fundit shkuam duke ditur se do të ishte shumë i vështirë, por ne menduam: ‘Po luftojmë për të gjithë këta trofe, përveç Kupës së Ligës, kështu që le të shkojmë dhe japim më të mirën tonë’. Dhe këtë bëmë, duke fituar Premier Ligën dhe shkuar në dy finalet që donim. Dhe tani do të japim gjithçka për t’i fituar ato dhe shkruar historinë duke fituar tripletën. Dhe Champions-i është trofeu më i rëndësishëm, sepse nuk e kemi fituar ende”. Bernardo ka vënë në shënjestër trofeun dhe Champions-i do të ishte një trofe special për këdo te Mançester Siti. Ai e di që do të ishte një arritje e rëndësishme për skuadrën dhe këmbëngul se ai shkon për të gjithë, stafi, te bordi dhe tifozët.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"