Kryevepra e Gilman Likës gjunjëzon Skënderbeun. Tirana bën kampionen përballë korçarëve, duke i mposhtur 1-0 në “Qemal Stafa”. Supersfida e javës së 21-të ka folur vetëm për bardheblutë, të cilët për 90 minuta lojë u dhanë leksion kryesuesve. Një “baby” Tirana u bëri ballë bardhekuqve, të cilët, përpos mungesave, nuk krijuan kurrfarë rrezikshmërie në fushë. Një sukses jo vetëm i lojtarëve në fushë, por mbi të gjitha i trajnerit Nevil Dede, i cili edhe këtë herë guxoi dhe besoi tek të rinjtë. Tepër pragmatistë, me një pjesë të parë mjaft të hapur, por tejet efektive në të dytën, kryeqytetasit arritën që të shënonin dhe merrnin tri pikë me vlera, që ua shtojnë edhe më shumë shpresat për të zënë një vend në Europë.
TIRANA-SKËNDERBEU 1-0
GOLAT: G.Lika 65′
TIRANA: Çaka, Pigoni, Pashaj, Ahmataj, Taku, Muça, Peposhi, Pema (Sina 54′), Hysenbelliu (Limani 61′), G.Lika, Morina (Dushku 92′); Trajner: N.Dede
SKËNDERBEU: Shehi, Bicaj, Radas, Gvozdenoviç, Souza, Orelesi, Kërçiku (Fagu 84′), Lilaj, Dimo (Nimanga 77′), Pejiç (Tahirllari 58′), Plaku; Trajner: M.Josa
KARTONË TË VERDHË: Hysenbelliu 20′, Pema 48′, Sina 86’/ Souza 80′
VËZHGUES: Besnik Kaimi (Tiranë)
DELEGAT: Besnik Çela (Tiranë)
GJYQTARET: E.Jorgji, R.Preca, E.Gançi (Elbasan)
MINUTAT
8′ G.Lika tenton nga distanca, por nuk gjen kuadratin.
12′ Peposhi bën gjithçka mirë, merr krahun dhe parakalon Souzën, kroson në zonë për G.Likën, i cili tenton me kokë, por topi shkon mbi tra.
15′ Pejiç kombinohet më së miri me Plakun, sulmuesi del vetëm me portierin vendës, godet fort, por Çaka befason me një pritje të mrekullueshme.
17′ Tenton Lilaj nga jashtë zone, por topi neutralizohet nga mbrojtja vendëse.
30′ Hysenbelliu merr bukur topin në mesfushë, pason për te Taku, i cili rrezikon portën e Shehit me një goditje nga distanca.
32′ Top i kthyer në zonë, Orelesi vë në provë portierin Çaka, por i riu pret pa problem.
35′ G.Lika mban topin duke lënë pas dy kundërshtarë, kroson në zonë, por as Morina e Pema nuk arrijnë të shtyjnë.
51′ Radas rrezikon me një goditje nga krahët, Çaka pret në dy kohë.
56′ Sina rrezikon nga larg, por topi shkon vetëm mbi tra.
59′ Goditje dënimi, gjuan Radas, por Çaka grushton.
65′ Supergol i Gilman Likës. Goditje dënimi nga 26 metra, kapiteni ekzekuton mrekullisht, duke e dërguar topin aty ku Shehi nuk kishte çfarë të bënte dhe 1-0.
69′ Goditje dënimi, Bici me kokë, por nuk gjen portën.
70′ Radas godet nga larg, por e dërgon mbi traversë topin.
73′ G.Lika merr një top nga krahët, kroson në zonë, Taku tenton të godasë me gjysmë kthesë, por vetëm jashtë.
77′ Rast i artë për Tiranën. Morina fiton duelin me Gvozdenoviç, i jep një top G.Likës, i cili gjuan, por pret Shehi.
84′ Radas rrezikon sërish, por Çaka grushton.
87′ I riu Çaka befason sërish, duke grushtuar një tjetër goditje të Radasit.
88′ Tjetër goditje dënimi për korçarët dhe e njëjta skemë nga ana e Radasit, por edhe këtë herë e dërgon topin mbi tra.
94′ Radas tenton me kokë, por Çaka shpëton Tiranën në limit duke grushtuar.
Pjesa e parë Ndeshja nis e balancuar me raste të pakta. Me kalimin e minutave Tirana u shfaq më këmbëngulëse dhe me një dëshirë të madhe për ta fituar këtë takim, ndërsa krijuan raste të pastër për shënim. Në të 8-ën minutë G.Lika tenton nga distanca, por nuk gjen kuadratin. Pas katër minutash Peposhi bën gjithçka mirë, merr krahun dhe parakalon Souzën, kroson në zonë për G.Likën, i cili tenton me kokë, por topi shkon mbi tra. Korçarët mundohen të reagojnë në të 15-ën minutë. Pejiç kombinohet më së miri me Plakun, sulmuesi del vetëm me portierin vendës, godet fort, por Çaka befason me një pritje të mrekullueshme. Dy minuta më vonë tenton edhe Lilaj nga jashtë zone, por pa rrezik. Tirana rimerr kontrollin, teksa në të 30-ën minutë Hysenbelliu merr bukur topin në mesfushë, pason për te Taku, i cili rrezikon portën e Shehit me një goditje nga distanca. Rastet nuk mungojnë, por pjesa e parë mbyllet me rrejta të paprekura.
Pjesa e dytë Në fillimin e fraksionit të dytë një konfrontim i forcave të rendit me tifozët bardheblu vonoi me 5 minuta lojën. Sportdashësit kërkonin që ekipi të largohej nga fusha, për shkak të dhunës që policia pati ndaj tyre. Por Tirana, për të mos rrezikuar humbjen e ndeshjes në tavolinë, u premtoi se si dhuratë do t’u jepnin fitoren dhe kështu ndodhi. Loja nis me vrull dhe grinta në radhët e vendësve pas këtij incidenti shtohet. Në të 51-ën minutë është Radas, që rrezikon me një goditje nga krahët, por Çaka pret në dy kohë. Reagojnë bardheblutë me të sapofuturin Sina, i cili tenton nga distanca, por topi shkon vetëm mbi tra. Portieri i ri i bardhebluve vihet sërish në provë nga Radas, por ai e fiton edhe këtë herë duelin me mesfushorin. Minuta e 65-të ngre peshë stadiumin. Supergol i Gilman Likës që rikthen qetësinë për bardheblutë. Goditje dënimi nga 26 metra, kapiteni ekzekuton mrekullisht duke e dërguar topin aty ku Shehi nuk kishte çfarë të bënte dhe 1-0. Loja vazhdon dhe Tirana nuk tërhiqet për të ruajtur rezultatin, përkundrazi, shton presionin në portën e Shehit. Në të 73-ën minutë G.Lika merr një top nga krahët, kroson në zonë, Taku tenton të godasë me gjysmë kthesë, por vetëm jashtë. Rast më i mirë për bardheblutë ishte ai i të 77- ës, teksa Morina fiton duelin me mbrojtësin Gvozdenoviç, i jep një top perfekt G.Likës, i cili gjuan, por pret Shehi. Mundohen edhe djemtë e Josës të gjejnë portën, por më kot, pasi katërkëndori i bardhebluve është i blinduar.
MË I MIRI
Gilman Lika meriton notën maksimale në këtë takim, jo vetëm për golin e shënuar, i cili ishte një kryevepër, por edhe për atë çka dha në fushë. Gjithçka merr jetë nga këmbët e tij, duke krijuar pështjellim në prapavijën kundërshtare. Por në këtë takim spikati sërish portieri 18-vjeçar, Marsel Çaka, i cili konfirmoi edhe një herë se ka cilësi të mira. Pas nuk mbetën as Peposhi me Muçën, të cilët bënë maksimumin në mesfushë.MË PAK AKTIVI
Sulmi i Skënderbeut ishte në një ditë të keqe edhe dje. Ky repart vazhdon të mos shënojë dhe të mos krijojë rrezikshmëri para portave kundërshtare. Kështu edhe dje, si Pejiç edhe Plaku ishin në hije. I pari prej javësh nuk gjen rrugën e golit, ndonëse dje doli pak më herët nga fusha, për shkak të një dëmtimi që pësoi. Madje rastet më të rrezikshme për korçarët vinin nga këmbët e Radasit, me goditje standarde.
Dede: Ishte një fitore e madhe
Nevil Dede u gëzohet pikëve dhe lojës. Për të, tashmë fitorja më e madhe është që ai ka fituar të rinjtë, të cilët befasojnë nga ndeshja në ndeshje. Gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport” në fund të sfidës, trajneri u tregua i matur për zonën “Euro”, duke thënë se gjithçka vendoset në vazhdim dhe për ekipin e tij asgjë nuk do të jetë e lehtë.
Një fitore e bukur dhe e luftuar, si e përjetuat këtë ndeshje?
E rëndësishme është që ne luftojmë dhe mundohemi të luajmë futboll, e njëherësh të tregojmë një imazh që u pëlqen tifozëve. Sepse ne për ata luajmë, pa ata nuk jemi askush.
Meqenëse prekët tifozët, çfarë ndodhi në pushim?
Ndihemi shumë keq për atë që u ndodhi, por këto janë probleme që nuk na takojnë. Ndaj i kërkova kapitenit dhe ekipit që të shkonin e t’u thoshin tifozëve se nuk mund të rrezikonim ta humbnim ndeshjen në tavolinë, prandaj ne do të fitonim për ata, dhe fituam.
Si e patë këtë ndeshje në total?
Kishim përballë një kundërshtar të fortë, por mendoj se e dominuam. Ishte një takim ku lojtarët dhanë mbi 100 për qind në fushë, mirëpo sikundër pritej takime të tilla vendosen gjithnjë nga episode të veçanta.
Çaka në ndeshjen e parë dha efektin e surprizës, sot mund të konsiderohet paraqitja e tij një konfirmim?
E pata thënë dhe do vazhdoj ta them, nga ai pres shumë. Fillimisht sikundër e thatë surprizoi këdo, por në vazhdim do dëshmojë cilësitë e tij. Jam i bindur se ai lojtar ka të ardhme.
E njëjta skuadër edhe sot në fushë, a është kjo Tirana juaj?
Një ekip që fiton nuk gjykohet kurrë. Fatmirësisht në gjirin tonë kemi kualitete që ta bëjnë punën të lehtë, por edhe të rinj që e bëjnë mirë punën e tyre. Jam vërtet i kënaqur, sepse lojtarët reflektojnë filozofinë time në fushë.
Golit të Likës çfarë note do t’i vinit?
Unë e kam bërë kapiten, e kam vlerësuar pra, ndaj s’ka komente kjo pjesë. Notën e kam dhënë në mënyrë tjetër.
Me këtë fitore, Europa a duket më pranë?
Me fitoren rikthehet qetësia dhe mbi të gjitha harmonia. Europa është e vështirë, sepse siç e shihni jemi një “baby” Tiranë. Por kjo nuk do të thotë se do të dorëzohemi, përkundrazi.
“Tirana po kthehet, fitore me dëshirë”
Për Indrit Fortuzin, fitorja ndaj Skënderbeut, përveçse shumë e bukur dhe e luftuar, erdhi falë dëshirës që bardheblutë dhanë në fushën e lojës. “Më erdhi keq që tifozët nuk panë pjesën më të bukur të kësaj ndeshjeje, pas incidenteve të ndodhura. Megjithatë ajo fitore është për ata. Djemtë sot (dje) treguan se Tirana nuk meriton të jetë aty ku janë në renditje, por më lart. Fituan falë dëshirës, grintës dhe sakrificës që shfaqën për 90 minuta me radhë. Ata i bënë ballë Skënderbeut, i cili duhet pranuar se ka një ekip të konsoliduar. Tirana ka pasur oshilacione në rezultate, por edhe probleme të tjera që njihen, por ndeshje pas ndeshje ky grup po shfaq rritje dhe unë mendoj se do të ecë përpara. Portierin nuk dua ta marr më sysh në fakt, por ka cilësi, i ka ardhur fati dhe duhet të dijë ta mbajë”, – tha anëtari i bordit drejtues. I pyetur për misionin “Europë”, ai sqaron se gjithçka vendoset pas javës së ardhshme kundër Kukësit. “Mendoj se Europa për ne kalon nga Kukësi. Vetëm më pas mund të flasim për objektiva të qartë”, – përfundoi Fortuzi.
“Goli për Ilion Likën, ja si ndryshoi Tirana”
Gola të tillë vetëm ai di t’i shënojë te kjo Tiranë. Dhe jo vetëm kaq, por pikërisht në përballje të këtij tipi dalin në pah edhe cilësitë e një lojtari që, së fundmi, ka marrë në krah edhe përgjegjësinë e një kapiteni. Flasim për Gilman Likën, i cili edhe një herë ka ndihmuar ekipin që të dalë nga fusha me një trepikësh me mjaft vlera, kjo për faktin se erdhi përballë kampionëve në fuqi. I intervistuar nga mediat pas përfundimit të takimit, Gilman Lika ka treguar emocionet e atij goli, të cilin ia dedikon një personi të veçantë: mikut të tij, Ilion Lika, i cili është operuar në gju para disa ditësh dhe e ka mbyllur sezonin me fanellën bardheblu.
Një gol spektakolar, i cili merr vlera të dyfishta në momentin kur edhe skuadra fiton. Ishte i rastësishëm, apo e kërkuat si gjuajtje?
Jo, jo, nuk ishte rastësi. Këto gjuajtje unë i përdor shpesh në stërvitje dhe mundohem që të jem sa më konkret. Sigurisht ka raste që nuk i shënoj dhe ka raste, si sot (dje), që topi përfundon aty ku duhet. Gjithsesi më vjen mirë dhe jam tejet i kënaqur për këtë gol, i cili e ndihmoi skuadrën për të marrë këtë fitore të rëndësishme.
Sot (dje) u pa një Tiranë më e qartë si në mbrojtje dhe në sulm…
Po, e vërtetë. Ekipi ka ndryshuar për mirë kuptohet në javët e fundit. Bëmë një ndeshje të bukur për të gjithë tifozët e pranishëm në stadium, porse besoj se edhe ata që na kanë ndjekur nga televizioni janë kënaqur me këtë fitore.
Në momentin e golit shkuat menjëherë te trajneri Dede për të festuar me atë…
Në fakt nuk është se shkova posaçërisht te Dede. Para këtij takimi ia kisha premtuar Muçollarit (koleg në skuadër) se, nëse do shënoja, të parin që do të takoja do ishte ai.
Pse pikërisht ai?
Sepse gjatë gjithë kohës më thoshte që ndaj Skënderbeut do shënoja. Ndaj shkova te stoli për të festuar me atë dhe të gjithë të tjerët natyrisht dhe, për dreq, nuk ishte aty, nuk e pashë kurrkund. Më pas vërejta se ishte duke bërë nxehjen pas portës sonë, ndaj e takova pak më vonë.
Gjithsesi, vërehet edhe një lidhje e ngushtë mes jush dhe trajnerit Dede, apo jo?
Jo vetëm unë, por në përgjithësi në skuadër ka një frymë pozitive. Normalisht kam një marrëdhënie shumë të mirë me trajnerin, të cilin e vlerësoj edhe për besimin që më ka dhënë edhe kohët e fundit, kur mora shiritin e kapitenit.
Çfarë ndryshoi te skuadra pas humbjes me Flamurtarin?
Nuk di ta them me siguri, pasi analistët dhe të tjerët nga jashtë ndoshta mund të japin një mendim sesi e shohin këtë Tiranë. Personalisht shoh më shumë dëshirë dhe grintë te lojtarët, çka është shfaqur në fushë si në ndeshjen me Kastriotin dhe sot ndaj Skënderbeut.
Tani që Tirana po fiton, ndoshta edhe drejtuesit duhet të impenjohen më shumë financiarisht për këtë skuadër, apo jo?
Besoj se do të ishte momenti perfekt për t’u dërguar një mesazh drejtuesve. Një lajm pozitiv, pasi ne po reagojmë në fushën e lojës me rezultate, ndaj edhe ata duhet të reagojnë jashtë fushës në drejtim të klubit.
Keni ndonjë dedikim të veçantë për golin e sotëm?
Në radhë të parë, goli u takon tifozëve të kësaj skuadre që na mbështesin pa rezerva, ashtu sikundër edhe sot (dje). Së dyti shkon për mikun tim, Ilion Lika (ishkapiteni dhe portieri i Tiranës), duke i uruar shërim sa më të shpejtë.
Josa: Më këto rezultate ia prishëm shijen sezonit
Tri pikët e lëna në kryeqytet nga Skënderbeu, ndoshta nuk do t’ia rrezikojnë kreun e Superiores, por ama kanë lënë një shije të hidhur te kampionët. Një gjë të tillë e konstaton trajneri Mirel Josa në fund të takimit, i cili gjatë një deklarate të dhënë për mediat ka analizuar sfidën dhe objektivat. “Këto rezultate që kemi arritur së fundmi na prishin shijen e një sezoni të mirë. Kemi bërë një kampionat të bukur dhe pritshmëria prej të gjithëve është e madhe. Megjithatë, unë nuk e mendoj kurrsesi se rrezikojmë objektivat tona. Përpos problemeve që kemi hasur, duhet të tregohemi të gatshëm që të lëmë gjithçka pas krahëve dhe të mendojmë për të ardhmen. E ardhmja jonë është ndeshja e radhës kundër Besës, të cilën duhet ta fitojmë dhe të bëjmë kthesën e madhe. Mendoj se ai takim kundër kavajasve është deciziv për fatin e kampionatit”, – tha fillimisht Josa. Kur pyetet për rivalët, ai i anashkalon, teksa thekson se i intereson vetëm ekipi i tij. “Nuk dua të merrem me rivalët, por me ekipin tim. Teuta u ndal, por çfarë bëmë ne. Më vjen keq që ndeshja u vendos nga një episod, pasi ne zhvilluam një ndeshje të mirë, organizuam lojën dhe patëm mundësi të krijonim raste dhe të kishim kontrollin e topit. Por, si sulmuesit dhe dy mesfushorët e krahut nuk bënë atë që duhej dhe atë që ne prisnim prej tyre. Kishim mungesa, por nuk mendoj se është justifikim, pasi edhe lojtarët që ishin në fushë bënë mirë, ata dhanë maksimumin, për çka duhen vlerësuar”, – përfundoi Josa.
Përplasje me policinë, 28 tifozë në rajon
Takimi i djeshëm Tirana-Skënderbeu rrezikoi edhe të mos përfundonte, për shkak të tifozëve. Gjithçka ndodhi në pushim të ndeshjes dhe në fillim të pjesës së dytë. Pas përplasjeve me policinë në stadium, tifozët e Tiranës kërkuan që skuadra të mos vazhdonte ndeshjen, kjo në shenjë revolte ndaj dhunës që, sipas tyre, po ushtrohej nga forcat e rendit. Fakt është se ndoshta edhe policia e kaloi disi cakun, pasi të paktën në 45 minutat e para u vërejt një tifozllëk në limitet e lejuara dhe nuk pati asnjë problematikë të theksuar nga ana e të dyja tifozerive. Sakaq, edhe tifozët duket se e ekzagjeruan me kërkesën e tyre, çka e pohoi më pas edhe trajneri Dede, se në të tilla raste nuk mundet që ata të bëhen shkak për një ndëshkim të klubit të tyre jo vetëm me gjobë (çka me gjasa mund të ndodhë tashmë, në mbledhjen e Komisionit të Disiplinës këtë javë), por nëse Tirana do bojkotonte takimin, normalisht që do ta humbiste në tavolinë. Sakaq, mësohet se tifozët janë përplasur me policinë dhe kjo gjë ka vazhduar edhe jashtë stadiumit. Në fund 28 tifozë të Tiranës janë shoqëruar në komisariatin e policisë për verifikime të mëtejshme. Ndërkohë, forcat e rendit kanë marrë masat që, edhe pas përfundimit të takimit, të mos kishte përplasje mes tifozëve të Tiranës dhe Skënderbeut. Në këtë kontekst, forca të rendit kanë patrulluar gjithë zonën përreth stadiumit, si dhe zonën te rruga e Elbasanit, aty ku edhe startoi nisja e autobusëve dhe makinave të mbështetësve të skuadrës korçare.
PROBLEMET
Ja ku çaloi gjykimi Gjykimi në ndeshjen e djeshme nuk ishte ndër më të mirët dje, edhe pse nuk ndikoi në rezultat. Pati disa episode që krijuan reagime në radhët e pankinës së Tiranës, por edhe nga tifozët. Në minutën e 48-të një dyluftim i Pemës me Orelesin solli një karton të verdhë për sulmuesin vendës, në një kohë që pamjet filmike tregojnë se ai preku vetëm topin dhe nuk pati kontakt me mesfushorin. Veç të tjerave, rastet që krijuan më shumë ovacione ishin faullet. Përpos të gjithave, treshja nga Elbasani që gjykoi supersfidën mes Tiranës dhe Skënderbeun në asnjë moment nuk ndikoi në rezultat.
LAZERI
Pjesa e dytë e ndeshjes mes Tiranës dhe Skënderbeut është shoqëruar nga rrezet e lazerit. Fill pasi u shënua goli i parë i bardhebluve, lazeri u kthye në një shqetësim për lojtarët në fushë, sidomos ata korçarë. Këtyre të fundit shpeshherë u drejtohej në fytyrë ose në sy, megjithatë në momentin që ndodhi diçka e tillë askush nuk u ankua. Ndaj edhe nga ana e gjyqtarëve nuk pati ndonjë reagim.
TERRENI
Terreni i stadiumit “Qemal Stafa” ishte në gjendje të mirë. Fakti që ka dy javë që nuk luhet i ka bërë mirë fushës, gjë që u kuptua dje, teksa u luajt futboll pa probleme. Megjithatë nëse për Tirana-Skënderbeu fusha nuk solli asnjë shqetësim, një gjë të tillë mund ta vuajë sot Partizani, i cili në orën 20:00 do të presë Mamurrasin. Terreni është rënduar, por shpresohet që të mos ketë edhe reshje shiu që ta përkeqësojnë atë.
FEMRAT
Hyrja falas për femrat pati ndikimin e vet në Tirana-Skënderbeu. Në fakt, në ndeshje të kësaj natyre femrat asnjëherë nuk mungojnë, por edhe dje u ndje prania e tyre në shkallët e stadiumit. Nuk kishte vetëm tifoze vendëse, të cilat qenë më të shumta në numër, pasi kishin ardhur edhe nga Korça apo që banojnë në kryeqytet. Klubi kishte pikërisht këtë qëllim, që të shtonte numrin e tyre në ndeshjen e Tiranës.
Shkëmbi në pankinë, Vrapi e Kuli në tribunë
Skënderbeu udhëtoi me mungesa drejt kryeqytetit, teksa trajneri Josa bëri llogaritë e tij pa 6 titullarë. Një mungesë me peshë dhe e sigurt ishte ajo e kapitenit Bledi Shkëmbi, i cili ka probleme muskulore. Por kapiteni dje e pa ndeshjen nga pankina, ndonëse i veshur “civil”. Një tjetër lojtar me probleme ishte Endri Vrapi, që vuan nga një dëmtim në tendinë. Ai ishte në tribunë bashkë me Bekim Kulin për të ndjekur këtë supersfidë. Ky i fundit sikundër dihet të enjten u përjashtua nga ekipi, pas kartonit të kuq që mori kundër Bylisit në kupë. Edhe Renato Arapi ndërkaq nuk është rikuperuar, pas operacionit në muskujt e barkut. Përpos kësaj, ekipit i shtoheshin edhe mungesat e Tomiçit dhe Çaushajt, të cilët ende nuk i kanë lënë pas problemet fizike.
ADELA MERKO / LEONARD KARAJ