“Jemi në bisedime me një supertrajner”. Idrizi ultimatum për pankinën, Flamurtari nuk e pret më Beqirin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2024 | 12:31

“Jemi në bisedime me një supertrajner”. Idrizi ultimatum për pankinën, Flamurtari nuk e pret më Beqirin

Flamurtari nuk e pret më Jeton Beqirin. E diela ishte dita e fundit, ndërsa skadoi afati që ishte vendosur në dispozicion për trajnerin. Sikundër konfirmojnë burime zyrtare pranë klubit vlonjat, Beqiri u kishte kërkuar pak kohë për të zgjidhur kontratën me Shkëndijën ku aktualisht është trajner.

Idrizi

Me sa duket përgjigjja s’ka ardhur dhe Beqiri vijon të përgatisë Shkëndijën e Tetovës për pjesëmarrjen në Europë. Kjo gjë nuk është pritur mirë nga Idrizi, që ka vendosur ultimatumin e prerë. “Panorama Sport”, zbulon se administratori ka zhvilluar dje një takim urgjent me Artim Pollozhanin. Kreu i klubit i ka bërë drejtorit Pollozhani me dije vendimin për trajnerin. “Nuk mund të presim më gjatë Jeton Beqirin. Duhet ta zgjidhte situatën te Shkëndija. Është shumë vonë, nuk ka pritje pafund. Na duhet të shikojmë për një tjetër trajner”, mësohet se i ka thënë kreu i klubit Sinan Idrizi, drejtorit Artim Pollozhani.

I pyetur edhe nga “Panorama Sport”, administratori Sinan Idrizi tha se skuadra është në kërkim të një trajneri të ri, ndërsa duket se ishte i vendosur që Beqirin të mos e priste më. “Edhe pritja ka një kohë…Beqiri ishte një nga kandidatët tanë. Në tha ta prisnim, e pritëm. Tani edhe kaq gjatë…”, u shpreh Idrizi. Për mundësinë e emërimit të Pollozhanit në krye të pankinës, Idrizi e ka mbyllur si pistë. “Jo, nuk besoj se do të jetë një zgjidhje e tillë. Pollozhani ka një tjetër detyrë në klub, është duke bërë merkaton. Do të sjellim një trajner që do të jetë jo dosido. Jemi në bisedime me një supertrajner”, u shpreh Idrizi për gazetën.

MERKATO – Sinan Idrizi ndalet edhe te merkatoja, ku dje ka rinovuar edhe Fabian Beqja. “Kemi afruar 3 të parët, ku i fundit ishte Aldrit Oshafi, një lojtar që ka bërë mirë aty ku ka luajtur. Kemi dëshirë që të afrojmë edhe Ardit Hoxhajn. Atë e kemi djalin tonë. Nuk duhet të përsërisim gabimet e kaluara. Këtë sezon duhet të afrojmë lojtarë të përgjegjshëm dhe të ndjejnë peshën e fanellës. Rinovimet? Çuditërisht Artim Pollozhani më tha emrin e Fjoralb Deliajt, si lojtarin e parë sa i përket rinovimit. Është vlonjat dhe gjatë gjithë këtyre viteve te Flamurtari ka qenë një lojtar korrekt. Pjesë e rinovimeve janë Fabjan Beqja e Fabio Hasa. Për të tjerët do të shikojmë në vijim”, përfundoi Idrizi.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"