Jepini Tiranës atë i takon… Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2013 | 12:48

Jepini Tiranës atë i takon… Tiranës

Fatjon ShehuNGA FATION SHEHU
Pronare me 100% të aksioneve është bashkia, buxheti i klubit vjen nga fondet e taksapaguesve dhe vendimet drejtuese i bën një donator (ndërkohë që dikush tjetër paguhet si administrator). Këto janë paradokset e futbollit shqiptar, ku shembujt e ekipeve me një administrim të çuditshëm, dhe fatkeqësisht aspak rezultativ, po shndërrohen në një “hall” kolektiv të këtij sporti. Klube legjendë si Tirana, që dergjen në vendet e fundit të renditjes, përmenden zyrave të gjykatave për borxhe dhe tifozë që shfryjnë nervat në mënyrë aspak karakterizuese. Për të gjetur problemin, duhet të përplasesh në shumë mure dhe emra, për të mos arritur asgjëkund. Bashkia si pronare ka të faktuar me letra që ka paguar 800 milionë lekë për klubin, po ku kanë shkuar ato?! Të gjithë thonë janë keqmenaxhuar, madje edhe ata që e menaxhojnë. Donatorë që sillen si pronarë dhe pronarë që heshtin. E fundja, vështirë ta gjesh pronarin e vërtetë… Historia e një klubi që po fundoset dita-ditës, për faj të të gjithëve dhe të askujt. Dhe cila do të ishte zgjidhja? Siç ndodh kudo në botë, si në politikë ashtu edhe në sport, do të ishte pikërisht te populli. Nuk është term aspak hiperbolik, por një popull-pronar dhe një shumicë mendimesh do të krijonin një klub që do të merrej shembull edhe nga të tjerët. Ja një zgjidhje, jo e shpikur, por e faktuar si e suksesshme…
Si të privatizohet
Kur u përfol privatizimi i Tiranës, u bë një vlerësim qesharak i aseteve, me vlerë rreth 65 milionë dollarë. Sigurisht, edhe ata që e arritën këtë konkluzion, as vetë nuk e kanë besuar. Gjithsesi, për të evituar mundësinë që aksionet t’i blejë një biznesmen i vetëm, mik ose jo i kryetarit të bashkisë, i suksesshëm ose jo në sipërmarrjet e tij, ka një zgjidhje ideale. Për të evituar që një klub kaq madhështor futbolli të administrohet ashtu siç edhe do të zgjohet në mëngjes pronari i ardhshëm dhe i vetëm i tij, aksionet duhet t’u kalojnë tifozëve, njerëzve të thjeshtë apo sipërmarrësve të ndryshëm. Formula ideale, e provuar në disa klube prestigjioze europiane, por edhe një praktikë nga shitja e aksioneve që u ka bërë shteti francez kompanive të mëdha telefonike (France Telecom në tetor 1997 dhe nëntor 1998) apo energjetike (EDF);
– Bashkia nxjerr në shitje 51% të aksioneve, me një vlerë asetesh të llogaritura nga një kompani e huaj prestigjioze e specializuar në këtë fushë (jo si vlerësimi paradoksal i bërë disa muaj më parë).
– Një përqindje të tyre, 5- 10%, ua jep me të drejtë parablerje bankave në formë aksionesh, me vlerën e tregut. Kjo do i dhuronte më tepër fleksibilitet dhe garanci strukture aksionarëve të klubit, pasi do të kishte edhe një zë specialisti ekonomik.
– Më pas, pjesën e mbetur e hedh në bursën e Tiranës (për kuriozitet bursa është hapur që në vitin 2002), me një ankand kohor prej një ose dy ditësh. Kjo do t’i japë mundësinë çdo personi të mundshëm, shqiptar ose jo, që të blejë aksione te Tirana, për aq kapacitet financiar sa mund të ketë. Kushdo mund të shkojë në bankë dhe të njoftojë se dëshiron të blejë deri në X euro aksione, dhe do të jetë banka ajo që do ta realizojë blerjen, me aq aksione sa mund t’i takojnë, sepse mund të rastisë që totali i të gjitha parave të ofruara për blerjen e aksioneve të tejkalojë vetë vlerën e aksioneve të hedhura në treg. Gjithsesi, për sqarim të thjeshtë, edhe kjo ka zgjidhje, pasi llogaritet matematikisht dhe mund të rastisë që një aksion të llogaritet për shembull 0.7 njësi, për shkak të kërkesave të mëdha. Ideja është që çdo person të ketë të drejtën e tij për të blerë aksione, sado qofshin ato. Duke përdorur këtë praktikë, edhe ai që mund të jetë shumë i pasur dhe në gjendje të investojë qindra mijëra euro për blerje aksionesh nuk do t’i blejë të gjitha, sepse do të ndahen në proporcion dhe nuk do t’ia heqë mundësinë edhe atij që dëshiron të blejë me kapacitet financiar shumë më të ulët. Gjithkush që do të ofrojë, do të blejë aksione, sado qofshin ato. – Nga ana tjetër, bashkia mban si fillim 49% të aksioneve. Por, ekziston mundësia që gjithashtu një përqindje të tyre t’ia japë me të drejtë parablerje një agjencie të huaj, e cila duhet të jetë detyrimisht me eksperiencë në fushën e menaxhimit sportiv. Ky do të jetë një tjetër element garantues, që klubi i futbollit do të ketë një menaxhim modern, tejet rigoroz dhe jashtë aferave të mundshme e fatkeqësisht të shumta të futbollit shqiptar. Një klub sportiv, në duart e qindra apo mijëra aksionarëve, të cilët do të heqin dorë nga mentaliteti i vjetër i bërjes sport nga pushtetarët apo të plotfuqishmit.
Menaxhimi
Në këtë pjesë hyn praktika e klubeve më prestigjioze në botë, Real Madrid dhe Barcelona. Të gjithë aksionarët votojnë një bord drejtues nëpërmjet një asambleje të përgjithshme, me një president të votuar gjithashtu në asamble. Me këtë formulë zgjidhjeje të shitjes së aksioneve nga bashkia në bursë, jo vetëm që i jep mundësinë kujtdo që të jetë aksionar dhe eviton “qokat” ndaj biznesmenëve të afërt, por realizon edhe strukturën e një klubi modern që vazhdon të konfirmohet nga precedentët europianë se është më efikasja, e suksesshmja dhe pak e rrezikuara për të pasur probleme si financat apo keqmenaxhimi. Një praktikë ligjore që në Shqipëri është e mundur dhe dashtë vullneti i mirë i atyre që e kanë në dorë, mund të realizohet…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"