“Jo më Dinamo 1-vjeçare”, ish-kapiteni Poçi: Kompleksi dhe financat janë, nuk kanë pse të vuajnë
Tri janë skuadrat që kanë shënjuar karri erën e tij, por me Dinamon është më i lidhur se me Apoloninë dhe Besën. Artion Poçi, ish-mesfushori i njohur fierak, ka luajtur për shumë vite me fanellën blu, ka mbajtur shiritin e kapitenit në krah dhe ka fituar trofe.
E ndien si pjesë të tijën dhe tani që Dinamo është kthyer në Superiore edhe ai është entuziast dhe si gjithë dinamovitët shpreson për një rikthim ndryshe. Poçi thekson në një prononcim për “Panorama Sport”, se është momenti që kjo skuadër historike të hedhë themele të forta në elitën e futbollit shqiptar dhe jo të ndërtojë një grup vetëm sa për një vit. JO
DINAMO 1-VJEÇARE
“Sigurisht që më bëhet qejfi për rikthimin, si gjithë atyre që kanë luajtur për Dinamon dhe tifozëve të saj. Shpresoj shumë që drejtuesit e klubit të kenë zënë mend dhe t’i bëjnë gjërat ndryshe këtë herë. Unë nuk do të doja më një Dinamo njëvjeçare në Superiore. Është koha që kjo skuadër të hedhë themele të forta dhe të jetë e përhershme në nivelin elitar të futbollit shqiptar. Të ketë një organizim siç ka qenë më parë ky klub, me akademinë e vet, që të prodhojë vetë lojtarë. Pozitiv është fakti që tani ka kompleksin e vet dhe po ashtu dimë që kushtet financiare janë të mira. Kështu që Dinamo nuk ka pse të vuajë. Tashmë blutë duhet të lënë pas atë periudhë të shkëputjes së gjatë nga elita dhe të krijojnë stabilitetin që nevojitet mes më të mirëve të futbollit shqiptar”, shprehet Poçi.
APELI PËR KLUBIN
Ish-futbollisti fierak ka përsëritur apelin për t’u besuar më shumë dinamovitëve. “E kam thënë edhe më parë, se klubi duhet të bazohet te dinamovitët, tek ish-lojtarët e tij, pak rëndësi kanë emrat. Në atë klub duhen njerëz që kanë derdhur gjak dhe djersë për fanellën, që e dinë mirë se çfarë përfaqëson Dinamo. Ata do ta ndihmojnë më shumë se të tjerët për të ecur përpara. Janë afruar disa emra aktualisht, por ka edhe të tjerë”, ka shtuar ish-kapiteni blu, pa u marrë shumë me çështjen e merkatos, pasi dihet që skuadra ka nevojë për përforcime sezonin e ardhshëm.
APOLONIA DHE BESA
Më tej, Poçi ka dhënë një mendim për Apoloninë, skuadrën e tij të parë: “U bënë shumë vite që me pronarin aktual kjo skuadër nuk shfaqet ndonjëherë denjësisht në elitë. Mbaj mend vetëm 2- 3 herë që është ngjitur në Superiore dhe ka rënë prej saj. Është një situatë që dihet, Apolonia konsiderohet si një skuadër për biznes, sepse në të kundërt, të paktën një herë, presidenti i saj do të kishte marrë iniciativën për të bërë diçka ndryshe.
Ka pasur ekipin e të rinjve kampion dy vite, por sërish nuk po bën progres. Dua të theksoj se shikoj edhe një mungesë egoje tek Apolonia, kjo më çudit. Në futboll pa ego nuk mund të ecësh asnjëherë përpara”. Dhe në fund një mendim për Besën, një tjetër skuadër ku Poçi ka lënë gjurmë: “Besa është në një situatë tjetër, ka vështirësi financiare, është e qartë.
Luan në fushë asnjanëse, është për të ardhur keq që në stadiumin e saj kullosin bagëtitë. Të vjen keq kur e shikon. Më vjen sinqerisht keq për Besën, është një skuadër që meriton të jetë pjesë e elitës dhe uroj që të gjejë mbështetje për t’u ringritur.
FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"