Josa dhe MaganiJosa: Nuk bëhemi si Dinamo. Magani: E merituam 100 %

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 6, 2014 | 13:10

Josa dhe MaganiJosa: Nuk bëhemi si Dinamo. Magani: E merituam 100 %

Josa dhe Magani

Mirel Josa shfaq in dinjatën e tij për revoltën e tifozëve dhe sqaron se Skënderbeu nuk do të bëhet si Dinamo e disa viteve më parë. Trajneri gjatë fjalës për “SuperSport” sqaron se ata nuk kanë toleruar dhe se fakti që pësuan një humbje nuk është trup, por të mos dish të rikuperosh. Ai analizon ndeshjen dhe gabimet e bëra, teksa pranon se mbrojtja ishte e pavëmendshme në rastet e golave.
Josa, humbët kundër Tiranas, çfarë ndodhi?
Më vjen realisht keq, jo vetëm për humbjen, por se pësuam dy gola në një moment shumë të mirë për ne. Duhet pranuar se kishim një mungesë vëmendje të theksuar në mbrojtje, këtu i përfshij të gjitha pozicionet. Pësuam gola për të cilat ne kemi punuar, siç ishte ai me goditje standarde.
Shumë akuza nga tifozët, si u përgjigjeni koreve: “E shitët! E shitët!”?
Dua të besoj se ka fituar më i miri, nuk dua që t’u futem problemeve të tjera, pasi në prag kemi një javë të ngjeshur. Si në kupë e kampionat përballemi me Flamurtarin dhe e vetmja gjë që më intereson tani është që ta mbledh sa më shpejt skuadrën dhe të rikthehet te rendimenti që unë kërkoj.
Tifozët hodhën sende në fushë, do të mërziteni nëse Disiplina i dënon për kupën?
Janë vendime që i takojnë Disiplinës, s’më takojnë mua të flas. Mua më intereson vetëm puna që do të bëj me ekipin dhe të rikthehemi te fitoret.
Do të bëhet si Dinamo e disa viteve më parë Skënderbeu, duke qenë se tashmë e ka hipotekuar titullin e katërt radhazi?
Po e nis nga fundi, titulli nuk është hipotekuar ende, pasi në bazë të bisedave që unë kam me drejtues të ekipeve të tjera, ata nuk i kanë humbur ende shpresat për vendin e parë. Kaq mund të them. Nuk besoj se do të bëhemi si Dinamo.
Dy humbje radhazi, mos ndoshta ekipi po vuan nga euforia?
Skuadra s’ka eufori dhe kur nuk kam unë si drejtues i këtij ekipi, e them me siguri edhe për lojtarët e mi. Kemi pësuar dy humbje që rëndojnë, por janë kushtet e atilla që janë zhvilluar këto dy ndeshje që sollën edhe rezultatit, përfshi këtu edhe presionin psikologjik. Pastaj nuk dua të flas për Shkodrën, pasi gjithçka u pa.
Sa rëndon kjo humbje për korçarët?
Nuk është turp të humbësh një ndeshje, por të mos dish të rikuperosh.
Nëse do të takonit një tifoz korçar në rrugë dhe do ju akuzonte, si do i përgjigjeshit?
S’ka të drejtë askush të dyshojë te Skënderbeu. Fakti që humbëm, nuk do të thotë që e shitëm. Ne kemi humbur edhe në shator, edhe një vit më parë. Nëse merremi me këto probleme, atëherë do i bënim keq ekipit, tifozëve, por edhe unë vetes sime.

“Premtimi” i Takajt në mbrëmjen e fundvitit
Ardjan Takaj, në mbrëmjen e fundvitit që u zhvillua nga ana e FSHF-së, “premtoi” se në rast se Tirana do të luftonte për mbijetesë, ata do i toleronin. Një deklaratë të tillë numri një i klubit e tha për televizionin “Top Channel”. Kujtojmë që prej gati një jave pati shumë thashetheme rreth kësaj ndeshje, teksa përflitej për një tolerim, por disa ditë më parë në fakt vetë presidenti tha për “Panorama Sport” se ata nuk do të bëheshin si Dinamo e pak viteve më parë.

MaganiMagani: E merituam 100 % fitoren, por jemi në rrezik
Gugash Magani u kënaqet pikëve të shpresës, megjithatë ende e sheh të rrezikuar Tiranën. Sipas tij, ndeshja ishte e luftuar dhe thekson se u fitua 100 për qind prej bardhebluve. Gjatë deklaratës që dha për “SuperSport”, pas përfundimit të këtij 90-minutëshi trajneri analizoi edhe një herë lojën, duke vënë në dukje edhe gabimet. “Nuk kemi shpëtuar akoma, derisa edhe rivalët tanë kanë fituar. E, për më tepër, kur nesër (sot) luan edhe Vllaznia. Megjithatë, fituam ndaj një rivali shumë të fortë, i cili na vuri në vështirësi. Por skuadra pas rezultatit 3-0 e quajti të mbyllur ndeshjen dhe kjo solli gabime dhe rrjedhimisht pësuam dy gola. Për këtë jam i mërzitur, pasi në 30 minutat e fundit ramë shumë. Kjo në fakt ishte një javë që nisi me probleme për ne, sepse kishim jo vetëm të dëmtuar, por edhe pezulluar. Madje, mungesat e Karabecit dhe Gilbertos u ndjenë ndjeshëm dhe ne nuk e kishim një pikë referimi. Mirëpo, fakti që skuadra shfrytëzoi rastet e krijuara na dhanë edhe fitoren. Janë tri pikë që na japin shumë shpresë. Unë nuk mund të ndihem i qetë, derisa vazhdojmë të notojmë në ujëra të turbullta dhe kur në tre gola të shënuar, pësuam dy. Duhet të jemi më të kujdesshëm, pasi jemi në pozita të vështira”, – tha fillimisht tekniku.
Ecuria – Tirana është ekipi i momentit, pasi në 11 ndeshje ka grumbulluar 11 pikë, por Magani nuk kënaqet, përkundrazi, thotë që ata kanë ende për të ndryshuar. “Kemi grumbulluar 22 pikë, duke rikuperuar gabimet e bëra në pjesën e parë të këtij sezoni. Por që të qëndrojmë në elitë, duhet të vijojmë kështu. Unë kam vite në këtë profesion, por në pozitat që jemi realisht nuk na falet shpërqendrimi edhe hutimi, pasi kjo mund të na rëndonte, – shtoi tekniku peqinas. Më tej ai i falënderoi tifozët për përkrahjen, duke thënë: “Tifozët na japin zemër, janë të jashtëzakonshëm. Unë e kam thënë që ata janë pjesë e shpirtit tonë dhe për rrjedhojë ne jemi një me ata. Mbështetja e tyre e pakushtëzuar, ekipi i krijuar dhe përkushtimi e drejtuesve, pasi duhet thënë që ekipi ynë është i vetmi që likuidohet rregullisht, ka sjellë rimëkëmbjen tonë”.
Akuzat – Rreth akuzave të lëshuara nga tifozët, Magani sqaron se bardheblutë e merituan këtë trepikësh. “Sa u përket akuzave, mendoj se tifozët korçarë presin shumë prej ekipit të tyre, por në fushë u pa që ishte një ndeshje e luftuar dhe në të njëjtën kohë ishte një plus për ne, pasi kur një ekipi i vihen ultrasit kundër, ajo do të ndikojë te lojtarët në fushë. Paçka se ne nuk e shfrytëzuam, sepse çeduam në pjesën e dytë. Ndeshja ishte e fituar 100 për qind nga ne”, – përfundoi tekniku.

Skenderbeu-Tirana-2-3,-VrapTirana triumfon në Korçë, tifozët akuzojnë në kor: E shitët
Tirana mposht 2-3 Skënderbeun në Korçë dhe ngjitet përkohësisht e 8-ta në renditje. Një trepikësh me vlera ky për bardheblutë, jo vetëm për objektivat por edhe për statistikë, pasi tashmë ka thyer tersin 14- vjeçar kundër Skënderbeut në transfertë. Kjo supersfidë, përpos 5 golave që ofroi, u shoqërua me incidente dhe akuza. Pati hedhje të sendeve në fushë nga tribunat përkarshi, ndërsa pas minutës së 40-të, tifozët bardhekuq akuzuan në kor. “E shitët, e shitët!”, ishte kjo thirrja që u dëgjua në sfond për minuta me radhë. Madje, me rifillimin e 45 minutëshit të dytë të lojës, ultrasit vendës braktisën stadiumin dhe rrjedhimisht skuadrën e zemrës në shenjë revolte, pasi dyshonin për tolerim.

SKËNDERBEU-TIRANA 2-3
GOLAT Pejiç 55′, 66’/ Kahata 34’, Morina 40′, Ndikumana 51′
SKËNDERBEU: Shehi, Radas, Bici (Gvozdenoviç 38′), Arapi, Dimo, Muzaka, Shkëmbi, Lilaj, Alikaj (Nimaga 76′), Ribaj (Tahirllari 71′), Pejiç; Trajner: M.Josa.
TIRANA: Lika, Pashaj, Muça, Vrapi, Hoxhallari, Kërçiku (Kaja 77′), Deliç, Taku, Kahata (Peposhi 85′), Ndikumana, Morina (Koreshi 49′); Trajner: G.Magani
KARTONË TË VERDHË: Radas 72′, Dimo 80’/ Pashaj 36′
DELEGAT: Hito Hitaj (Tiranë)
VËZHGUES: Arjan Mali (Patos)
GJYQTARET: L.Alla, D.Koreshi (Lushnjë), I.Tartari (Fier)

MINUTAT
1′ Gabon Arapi, përfiton Ndikumana, i cili kthen topin te Morina, gjuan, por topi përfundon vetëm ngjitur me shtyllën.
5′ Ndikumana pason te Morina, i cili provon me finte, por Shehi pret pa problem.
11′ Ribaj hedh një top në zonë për Muzakën, i cili edhe pse nuk e kontrollon dot, ia pason Pejiçit, por gjuajta e kroatit përfundon vetëm jashtë kuadratit.
20′ Goditje dënimi, Radas ekzekuton, por Lika bënë mrekullinë me një superpritje. 24′ Muça provon nga distanca, por s’e gjen portën.
28′ Lilaj kërcënon Tiranën me një gjuajtje potente nga jashtë zone, mirëpo Lika grushton dhe largon rrezikun.
34′ Goditje këndi, Deliç gjuan në zonë, topi kalon pasqyrën e portës, aty ku Kahata gjuan me të majtën dhe e shtyn në rrjetë dhe 0-1.
40′ Ndikumana i jep një top Morinës në zonë, sulmuesi shmang Dimon dhe e dërgon topin aty ku Arapi dhe Shehi nuk kanë ç’të bëjnë, 0-2.
51′ Kërçiku hedh një kros në zonë nga e djathta për Ndikumanën që gjuan me kokë. Edhe pse me kurriz, topi po i afrohej rrjetës, teksa Shkëmbi, që ndodhej aty, nuk arriti ta largojë dot dhe 0-3.
53′ Ribaj provon nga distanca, por nuk e gjen kuadratin. 55′ Pejiç merr një kros nga mesfusha, futet në zonë, aty ku nuk gjen rezistencë dhe 1-3.
59′ Alikaj rrezikon, por Lika pret gjithçka.
62′ Traversa shpëton Tiranën, Radas ekzekuton mjaft mirë një goditje këndi, por topi i tij ndalet vetëm nga shtylla.
66′ Alikaj kroson për Pejiçin, i cili nuk gjen shqetësimin nga mbrojtja mike, sulmuesi gjuan fluturimthi dhe ngushton shifrat në 2-3.
68′ Kahata tenton të zërë në befasi korçarët, por nuk gjen as kuadratin.
72′ Rast i artë për Skënderbeun, Muzaka në zonë, gjuan me të djathtën, por topi prek vetëm rrejtën e jashtme.
73′ Goditje dënimi për Tiranë, gjuan Deliç, por Shehi pret.
87′ Muzaka tenton me kokë, pret Lika.
88′ Ndikumana merr krahun, i afrohet zonës, gjuan, por pa rrezikuar.
89′ Kundërsulm i vendësve, Pejiç ka rastin të barazojë, por nuk akordohet siç duhet dhe nuk e shfrytëzon këtë aksion.
93′ Nimaga kombinohet me Pejiçin, godet me kokë, pret Lika.

Pjesa e parë Loja nis me Tiranën në sulm, e cila që në sekondat e para kishte shansin që të shënonte. Gabon Arapi, përfiton Ndikumana, i cili kthen topin te Morina, gjuan, por topi përfundon vetëm ngjitur me shtyllën. Janë sërish bardheblutë që kanë kontrollin e topit, teksa në të 5- ën Ndikumana pason te Morina, i cili provon me finte, por Shehi pret pa problem. Rasti më i rrezikshëm vjen nga korçarët. Në të 11-ën, Ribaj hedh një top në zonë për Muzakën, i cili edhe pse nuk e kontrollon dot, ia pason Pejiçit por gjuajta e kroatit përfundon vetëm jashtë kuadratit. Skënderbeu shton presionin, teksa në të 20-ën Radas ekzekuton në mënyrë perfekte një goditje dënimi, por Lika bënë mrekullinë me një superpritje. Ekipi i Maganit mundohet që të fitojë terren, megjithatë tentativat nga distanca nuk përbëjnë rrezik. Në të 28-ën Lilaj kërcënon Tiranën me një gjuajtje potente nga jashtë zone, por Lika grushton dhe largon rrezikun. Megjithatë, atë që s’e bëjnë korçarët, e bëjnë më së miri kryeqytetasit. Në të 34-ën ka goditje këndi. Deliç gjuan në zonë, topi kalon pasqyrën e portës, aty ku Kahata gjuan me të majtën dhe 0-1. Ka festë te bardheblutë dhe ky entuziazëm nuk ndalet, pasi në të 40-ën vjen edhe goli i dytë. Ndikumana i jep një top Morinës në zonë, sulmuesi shmang Dimon dhe e dërgon topin aty ku Arapi dhe Shehi nuk kanë ç’të bëjnë dhe 0-2. Pjesa e parë mbyllet mes zhurmës dhe tensionit të krijuar nga tifozët vendës, të cilët nuk po e kapërdinin dot një rezultat të tillë.
Pjesa e dytë Ky 45 minutësh në fakt nis me gol, ndonëse vlen të theksohet se tempi i lojës ra ndjeshëm. Dalja e Morinës dhe aktivizimi i Koreshit zbehu lojën sulmuese të 24 herë kampionëve të vendit. Por, gjithsesi ata mbetën të kujdesshëm në zonë, duke shfrytëzuar thuajse çdo rast të krijuar. Madje, në të 51-ën gjejnë sërish golin. Kërçiku hedh një kros në zonë nga e djathta për Ndikumanën që gjuan me kokë. Edhe pse me kurriz, topi po i afrohej rrjetës, Shkëmbi ndonëse ndodhej aty nuk arriti ta largojë dot dhe 0- 3. Një pakujdesi në mbrojtjen e vendësve rëndoi jo pak dhe kjo u shoqërua me largimin e tifozëve nga stadiumi. Kur u mendua se gjithçka u mbyll, ndodhi krejt e kundërta. Në të 55-ën Skënderbeu ngushton shifrat, teksa Pejiç merr një kros nga mesfusha, futet në zonë, aty ku nuk gjen rezistencë dhe 1-3. Në të 62-ën vetëm traversa e shpëtoi Tiranën, teksa Radas ekzekuton mjaft mirë një goditje këndi, por topi i tij ndalet vetëm nga shtylla. Përpjekjet e kryesuesve marrin jetë në të 66-ën, teksa Alikaj kroson për Pejiçin, i cili nuk gjen shqetësimin nga mbrojtja mike. Sulmuesi gjuan fluturimthi dhe ngushton shifrat në 2-3. Minutat e fundit u shoqëruan me sulme e kundërsulme, por rezultati 2-3 nuk ndryshoi. Bardheblutë e kthyen në festë, ndërsa te Skënderbeu nuk munguan as lotët.

MË I MIRI
Mario Morina ka qenë në një ditë të mirë dje. Futbollisti, edhe pse në gjendje jo optimale fizikisht, kur futet në fushë askush nuk e ndal. Sakaq, edhe Ndikumana meriton një notë kaluese, pasi ka tërhequr ekipin përpara. Meriton të përmendet për korçarët edhe Radas, i cili luftoi deri në fund të ndeshjes.

MË PAK AKTIVI
Në ndeshjen e djeshme kanë stonuar disa futbollistë të Skënderbeut. Vlen të përmendet mbrojtja me Arapin dhe Dimon, që kishin përgjegjësi te goli i dytë. Pas nuk mbetet as portieri Shehi, i cili mund ta kishte shmangur golin e tretë. Larg formës së mirë ishte edhe Shkëmbi.

Takaj dhe PejicMbledhje urgjente, Takaj: Më bënë dhuratë… humbjen
Pas përfundimit të ndeshjes, presidenti i Skënderbeut Ardjan Takaj, i shoqëruar nga ish-kreu i klubit korçar, Agim Zeqo, u fut në dhomat e zhveshjes dhe për gati 15 minuta ka bërë një mbledhje me lojtarët dhe stafin teknik. Ai ka dashur të normalizojë sadopak situatën në prag të ndeshjes së kupës ndaj Flamurtarit, duke i shprehur mbështetje skuadrës. Burime të sigurta pranë ekipit zbardhën për “Panorama Sport” edhe mesazhin që Takaj i ka dhënë grupit të lojtarëve, pas humbjes me Tiranën. “Nuk diskutohet që jemi të bashkuar në këtë situatë. Futboll është dhe gjithçka ndodh, por unë nuk ju paragjykoj aspak për humbjen. Edhe Barcelona e Reali dështojnë, kështu që nuk është fundi i botës. Do të keni mbështetjen time maksimale. Tani duhet të vazhdojmë punën dhe ju duhet të përqendroheni te ndeshja e kupës, të cilën duhet ta kalojmë me sukses”, – mësohet se u ka thënë Takaj lojtarëve. Ai ka shprehur mbështetjen, me synimin për të hequr barrën psikologjike, në mënyrë që kjo të mos ndikojë në ndeshjen kundër Flamurtarit. Mirëpo, si për ironi të fatit, humbja e djeshme përkoi edhe me ditëlindjen e Takajt, i cili festoi 51-vjetorin. Presidenti i Skënderbeut nuk ka mundur të festojë me fitore, por ka marrë kontestimin e tifozëve. “Kjo ishte dhurata që më bënë për ditëlindje”, – është shprehur Takaj në korridoret e stadiumit, teksa nuk ka pranuar të prononcohet për mediat. Ndërkohë, më i hidhëruari humbjen ka qenë trajneri Josa, i cili është parë tepër i mërzitur në tunel. Ka qenë ish-presidenti Zeqo, që i ka thënë të mos shqetësohet kaq shumë për një humbje në shtëpi. “Mos u mërzit Mirel, janë gjëra që ndodhin në futboll, ka edhe humbje”, – i është drejtuar ish-presidenti trajnerit.

Shkembi dhe MuzakaShkëmbi: U paragjykuam, skuadra luajti ndershëm
Bledi Shkëmbi është shfaqur i zhgënjyer pas ndeshjes për mënyrën sesi rrodhën gjërat gjatë 90 minutëshit kundër Tiranës dhe për më tepër prej reagimit të tifozëve korçarë. Në një intervistë për “Super sport”, kapiteni i Skënderbeut shprehu keqardhje për paragjykimin që i bënë skuadrës tifozët. Sipas mesfushorit, ekipi luajti ndershëm ndaj Tiranës, ndërsa kundërshtari e meritoi fitoren. “Ne u munduam të gjithë të jepnim maksimumin në fushë dhe mendoj se e dhamë, pavarësisht gabimeve, që në futboll ndodhin gjithmonë. Në pjesën e parë, Tirana kishte edhe fatin me vete në ato raste që krijoi. Goli i parë që shënoi kundërshtari ishte pa diskutim për gabimin tonë. Megjithatë, si gjithmonë në Shqipëri ndodh që kur një ekip humbet thonë: ‘e ka shitur’, ndërsa kur fiton: ‘e ka blerë’. Edhe sot (dje) në ndeshjen tonë kjo ndodhi. Mua më vjen keq që tifozët korçarë na paragjykuan direkt pas pësimit të golit të parë, në një ndeshje ku stadiumi ishte i tejmbushur. Gjithsesi, mendoj se do të qetësohemi dhe do të bindim tifozët”, – është shprehur fillimisht Shkëmbi.
Dyshimet – I pyetur se si është ndjerë në momentin kur tifozët kanë thërritur në kor: “E shitën, e shitën!”, kapiteni i Skënderbeut u shpreh: “Duke filluar nga unë si kapiten, presidenti dhe të gjithë të tjerët, e kemi ndërgjegjen shumë të pastër. Për këtë na vjen më shumë keq, pra pse tifozët duhet të silleshin ashtu. Sa i përket anës sportive, mund të them se Tirana e meritoi fitoren dhe kur kundërshtari të mund me meritë, atëherë detyrohesh vetëm t’i japësh dorën dhe të shikosh përpara. Më besoni që në ato momente kur tifozët na paragjykuan, edhe mua më erdhi në mendje fakti që a ia vlen të investohet më për këtë futboll. Asnjëherë nuk e prisnim se tifozët do të na paragjykonin menjëherë pasi pësuam gol. Mendova se si presidenti Takaj investon gjithë ato parà dhe tani duhet të vazhdoj ta bëj këtë, në një kohë që paragjykohet për një humbje sikur shiti ndeshjen. Ne me këtë takim që humbëm, vendosëm në siklet edhe çështjen e titullit kampion. Një njeri i zgjuar dhe që gjykon ftohtë nuk mund të paragjykojë ndeshjen tonë kundër Tiranës”.
Biseda – Në lidhje me diskutimin që u zhvillua në dhomat e zhveshjes, Shkëmbi zbuloi: “Presidenti Takaj erdhi në dhomat e zhveshjes dhe na dha mbështetje si gjithmonë. Ai na shprehur me sinqeritet atë që mendonte, duke na konfirmuar se në këtë moment jemi të bashkuar. Zoti Takaj na tha se nuk na paragjykonte për këtë humbje, por këtë herë ndodhi kështu. Na tha se humbet edhe Barcelona e Reali, kështu që nuk është fundi i botës që ne dështuam këtë herë. Të them të drejtën na erdhi mirë, si mua dhe gjithë skuadrës që presidenti Takaj dhe ish-presidenti Zeqo na qëndrojnë pranë”.

Pejic del nga tuneliPejiç: Morëm goditje prej tifozëve, ata na braktisën
Sulmuesi Pero Pejiç, i cili dje shënoi dy gola, mendon se skuadra mori një goditje të rëndë në momentin kur u braktis nga tifozët. “E nisëm shumë keq lojën dhe pësimi i tre golave ishte një goditje e rëndë. Megjithatë, arritëm të shënonim dy gola dhe me pak fat mund të kishim barazuar në fund. Jam shumë i mërzitur, pasi nuk i dhashë dot as një pikë ekipit. Largimi i tifozëve mendoj se na dha një goditje psikologjike, pasi ndeshja nuk kishte mbaruar, pavarësisht se ishim në disavantazh. Mendoj se nuk duhet ta kishin braktisur ekipin në kohën kur ai reagoi, por duhet të kishin qëndruar deri në fund për të na mbështetur. Tani kemi katër ditë kohë dhe duhet të qetësohemi psikologjikisht pas dy humbjeve. Duhet të reagojmë sa më parë kundër Flamurtarit në kupë”, – ka thënë Pejiç pas ndeshjes për “Panorama Sport”.

Halili, Morina dhe Takaj ne Skenderbeu-Tirana 2-3Halili: Fituam me meritë, Skënderbeu nuk na toleroi
Donatori i Tiranës, Refik Halili, ka hedhur poshtë çdo ide në lidhje me një tolerim të mundshëm nga ana e Skënderbeut në takimin e djeshëm në Korçë. Sipas tij, bardheblutë fituan me meritë, duke zhvilluar një ndeshje ndër më të mirat e këtij sezoni. Halili ka qartësuar sakaq se skuadra ka ndryshuar shumë në raport me pjesën e parë të sezonit, ndaj edhe fitorja në Korçë nuk duhet parë si një dhuratë nga kampionët në fuqi, nisur kjo edhe nga e kaluara mes këtyre dy skuadrave. “Për vetë gjendjen që ndodhemi në tabelën e renditjes, pikët janë me shumë vlerë. Ka qenë një ndeshje tensioni për shumë faktorë, që u ndez edhe pak nga çështja e biletave, por u zgjidh në mënyrë të mirë nga ana e Skënderbeut, natyrisht edhe me ndërhyrjen e Federatës Shqiptare të Futbollit. Tensioni ka qenë i madh dhe për faktin që tifozëritë kanë një rivalitet të madh mes tyre. U desh edhe ndërhyrja jonë që t’i qetësonim disi gjërat. Për sa i përket takimit, kishim ardhur për të fituar, pasi vetëm ajo na bënte punë. Kemi ngritje të madhe karshi fazës së parë, sepse rezultatet tregojnë diçka të tillë. Tirana nuk është ai ekip që erdhi këtu në Korçë, por një skuadër e ndryshuar që po e kap veten”, – ka pohuar fillimisht donatori i bardhebluve. Më pas ai ka prekur edhe temën e shumëpërfolur nga pjesa më e madhe e ambientit sportiv, mbi një tolerim të mundshëm nga ana e kampionëve në fuqi. I pyetur në lidhje edhe me reagimin e tifozëve vendës, të cilët braktisën stadiumin në shenjë revolte ndaj skuadrës së tyre, duke e akuzuar për tolerim të takimit, Halili tha: “Për mendimin tim, ky takim është fituar në fushë dhe nuk ka të bëjë aspak një tolerim ashtu sikundër kontestonin tifozët korçarë. Këto janë sjelljet e tifozëve, pasi po të kishte fituar Skënderbeu në Tiranë e njëjta gjë do të ndodhte me tifozët e Tiranës. Unë gjykoj se nuk është aspak çudi që të fitojë Tirana në Korçë, pasi nuk është hera e parë. Sigurisht, unë e përmenda edhe më lart që, në krahasim me pjesën e parë të sezonit, skuadra ka ndryshuar shumë. Ka pësuar rritje, ndaj edhe kemi marrë fitore edhe në transferta të vështira si kjo e sotmja (dje)”, – ka përfunduar Halili.

Tirana ne stervitje para ndeshjes me Skenderbeun, Vrapi dhe MorinaMorina: S’ka dyshime, korçarët më keqkuptuan
Largohet me polemika nga Skënderbeu te Tirana dhe dje u shënon korçarëve si lojtar bardheblu. Mario Morina ka qenë në një ditë të mirë në përballjen kundër ish-skuadrës, ndërkohë që është kontestuar jo pak nga tifozët korçarë. Sulmuesi realizoi golin e dytë, duke i dhënë Tiranës qetësinë për marrjen e tri pikëve në transfertën korçare. Pas ndeshjes, Morina u shpreh i lumtur për fitoren, ndërsa sqaroi edhe keqkuptimin që sipas tij ndodhi me tifozët korçarë. “Jam i kënaqur për golin. Trepikëshi na motivon më shumë, pasi na duhej kjo fitore. Për mendimin tim, kjo ndeshje u vendos në fushë dhe ne e merituam plotësisht triumfin. Kjo u pa qartë edhe në televizor dhe çdokush mund të gjykojë. Ndeshja u bë e bukur, por këtë reagim të tifozëve e justifikon fakti që ata u mundën dhe normale ishte kjo sjellje e tyre, pasi ishin të mërzitur. I gjithë acarimi në fillim të takimit me tifozët ka qenë një keqkuptim i fjalëve, pasi unë mbështetësit e Skënderbeut i respektoj dhe vazhdoj t’i respektoj edhe pas kësaj që ndodhi. Nuk kam asnjë gjë kundër tyre, pasi për sa kohë kam qenë në Korçë më kanë respektuar”, – ka thënë fillimisht Morina. Më pas, i pyetur për të ardhmen e Tiranës dhe nëse ajo mund të quhet tashmë e mbijetuar, sulmuesi deklaroi: “Nuk jemi akoma të shpëtuar, pasi ka shumë ndeshje para dhe duhet të mendojmë që tani për atë të radhës. Respektojmë çdo ekip që kemi përpara, sidomos Skënderbeun që vitet e fundit është ekipi më i mirë në Shqipëri. Jemi në rrugë të mbarë dhe kjo fitore në Korçë na jep më shumë besim për të ardhmen. Natyrisht, shanset janë të mëdha që ne të mbijetojmë dhe unë kam besim se kështu do të ndodhë. Tirana e meriton të qëndrojë në Superiore, skuadra tashmë ka ndryshuar shumë”.

Pikante nga ndeshja
* Humbjet – Skënderbeu kryesues kishte jo pak, por 7 muaj që pësonte një humbje në shtëpi. E fundit daton më 9 nëntor 2013, teksa u thye 1-3 nga skuadra e Kukësit.
* Goleada – Mbi një vit kishte Tirana që nuk fitonte dot me një rezultat të thellë në transfertë, pra jashtë fushe. E fundit daton më 31 mars 2013, teksa mposhti Kastriotin në Krujë.
* Kartoni – Entonio Pashaj në një moment i është dukur sikur po luante volejboll apo basketboll. Në një dyluftim në mesfushë lojtari e kap topin me dorë, ndaj u ndëshkua me të verdhë.
* Femrat – Nuk kishin sesi të mungonin në stadium në këtë supersfidë, madje prezenca e tyre ishte e madhe. Mjaft femra tifoze kanë ndjekur nga afër këtë përballje.
* Moviola – Rastet për moviolë janë të pakta. Kryesori Laver Alla ka gjykuar në mënyrë korrekte këtë 90- minutësh, përpos ndonjë faulli apo kartoni. Megjithatë, nuk ndikoi në rezultat.
* Dedikimi – Selemani Ndikumana ka shënuar një gol vetëm për djalin e tij, i cili ka disa ditë që ka ardhur në jetë. Lojtari festoi në një mënyrë të veçantë, enkas për të birin.
* Shiriti – Erando Karabeci e ka ndjekur ndeshjen dje si tifoz, meqë nuk mund të zbriste në fushë prej pezullimit. Në mungesë të kapitenit, shiritin e mbajti dje Gentjan Muça.

10155749_474765615958648_482555110176554918_nGurë, ofendime dhe tymuese, ja çfarë ndodhi në Korçë
Një ndeshje ku protagonistë, më shumë se sa lojtarët në fushën e lojës, u bënë tifozët në shkallët e stadiumit “Skënderbeu”. Ashtu sikundër edhe ishte parashikuar, përballja e radhës mes Skënderbeut dhe Tiranës dhuroi ofendime të shumta mes dy tifozërive, përplasje me policinë, të arrestuar para dhe pas takimit, fishekzjarrë e tymuese të panumërta të hedhura në fushë, stola të shkatërruar dhe natyrisht thirrje për tolerim të takimit dhe braktisje të skuadrës vendëse nga ana e tifozëve. Në fakt, kjo sfidë pat nisur që ditë më parë në media, me deklarata e thumbime nga të dyja kampet, por kjo vetëm në teorikë. Praktikisht, gjithçka nisi dje rreth orës 11:00, kur në Korçë u mor vesh zyrtarisht se ishin nisur plot 15 autobuzë nga kryeqyteti. Nën këtë nismë, si për t’iu kundërpërgjigjur homologëve nga Tirana, edhe tifozët vendës kanë shpejtuar në organizimin e gjithë koreografisë në stadium. Kështu, në orën 15:30, filloi marshimi i bardhekuqve drejt stadiumit, e shoqëruar me këngë në kor, ndërsa nuk mungonin ofendimet drejtuar rivalëve. Sakaq, forca të shumta policore ruanin gjithçka, për të evituar në kësi rastesh problematikën që mund të shkaktojnë përplasje mes dy tifozërive. Korçarët hyjnë shumë shpejt në stadium në pritje të tifozëve të Tiranës. Sakaq, këta të fundit mbërrijnë në Korçë 30 minuta para fillimit të sfidës me grupe autobusësh tre e nga tre dhe pikërisht në këtë moment u shënuan edhe shoqërimet e para nga ana e forcave të rendit për në komisariat. Pesë tifozë të Tiranës janë vënë nën pranga nga forcat e rendit pas sjelljeve aspak normale dhe ofendimeve pafund karshi vendësve. Ndërkohë, incidentet u shmangën me shumë kujdes nga ana e forcave të policisë, përfshi edhe ato të ndërhyrjes së shpejtë. Numri i madh i tifozëve bardheblu solli problemet e para, pasi u bë radhë e gjatë pritjeje për të hyrë në stadium, aq sa takimi filloi me 3 minuta vonesë derisa të gjithë tifozët të hynin në tribunën E. Që nga momenti i parë i futjes në stadium dhe deri në fund nuk kam munguar ofendimet në kor mes dy tifozërive. Mirëpo, në minutën e 33-të, do të vinte heshtja e vendësve, kjo pasi Kahata do të shënonte golin e parë. Nuk kalon shumë kohë, vetëm tetë minuta, dhe Morina dyfishon. Kaq është dashur që korçarët të shpërthejnë në revoltë kundër klubit dhe drejtuesve duke hedhur në fushë mjete ndezëse, por edhe prishur e thyer stolat e stadiumit. Në këto momente u dëgjuan edhe thirrjet e para: “E shitët! E shitët!”. Me përfundimin e pjesës së parë regjistrohen edhe daljet e para të tifozëve të Skënderbeut nga tribuna C dhe në këtë kohë drejtohen drejt “Fanatiks”-ve për t’i sulmuar, por gjithçka është vënë nën kontroll pas ndërhyrjes së forcave të FNSH-së. Me fillimin e pjesës së dytë Tirana shënon sërish dhe tifozët acarohen më tepër. Tashmë nuk janë vetëm nga tribuna C që largohen, por nga i gjithë stadiumi. Ofendimet janë të shumta karshi futbollistëve të Skënderbeut, drejtuesve dhe stafit, duke i akuzuar për bashkëpunim me Tiranën për ta shpëtuar këtë të fundit. Në momentin kur Skënderbeu reagon, duke shënuar dy gola të tjerë, një pjesë e tifozëve të dalë në fillim të pjesës së dytë tentojnë të rifuten sërish, por nuk janë lejuar nga punonjësit e kompanisë private për sigurinë në stadiume. Ndërkohë, tifozët nuk kanë kursyer edhe pankinën e Tiranës, në përfundim të ndeshjes. Ka mjaftuar vetëm një provokim nga bardheblutë, që tifozët e mbetur pas pankinës të godisnin me shishe dhe të ofendonin në kor. Por, me kaq mbyllet kjo ndeshje, me vendësit të zhgënjyer nga mënyra sesi skuadra humbi.

10173608_474765672625309_6986426493712543867_nUltrasit: Do bojkotojmë ndaj Flamurtarit
Rebelimi i tifozëve të Skënderbeut vijon edhe pas ndeshjes përmes faqes zyrtare në “Facebook”. Sipas tyre, “profecia” e një tolerimi të mundshëm ndaj Tiranës u vërtetua. Mandej rebelimi vijon me statuse të ndryshme të tipit: “RIP Skënderbeu, mbreti vdiq”. “Na ishte një herë Skënderbeu” apo edhe “Respekte për Bicin, largohet nga teatri duke bërë të dëmtuarin”. Këto ishin disa nga statuset e tifozëve në momentet e para pas ndeshjes kundër Tiranës. Por, kulmi u arrit rreth orës 19:30, kur me anë të një statusi përmes faqes në “Facebook”, tifozët arrijnë deri sa të premtojnë bojkot të ndeshjes kundër Flamurtarit. Këtë e bëjnë përmes një statusi tjetër ku theksojnë se, megjithëse ndeshja është për kupë, është pa nder dhe e kotë të shkosh duke akuzuar për tradhti drejtuesit dhe deri te lojtarët. “Ndeshjen tjetër asnjë tifoz në stadium, edhe pse është për kupë, edhe pse është ndaj Flamurtarit, edhe pse është pa bileta, por është pa nder. Ne për ju zihemi dhe shahemi me kundërshtarët. Ne për ju shkojmë në polici. Ne për ju kemi bërë maksimumin, ndërsa ju na shisni. Korça më shumë do iu mbajë mend për këtë padrejtësi sesa për titujt. Fund i hidhur i një ëndrre të bukur”, – shkruhet në këtë status.

Skënderbeu pritet të luajë pa tifozë ndaj Flamurtarit
Ndeshja e kthimit për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë mes Skënderbeut dhe Flamurtarit pritet të luhet pa tifozë. Takimi është programuar për të mërkurën e javës tjetër, por nisur nga problematika e djeshme në stadiumin e Korçës, bardhekuqtë pritet të dënohen nga Komisioni i Disiplinës. Duke qenë se këtë të mërkurë ka aktivitet, komisioni duhet të mblidhet ditën e martë për të shqyrtuar problematikën e kësaj jave. Sakaq, klubi i Skënderbeut mund të ndëshkohet me një ndeshje pa tifozë në bazë të nenit 66 të KDS-së (Përgjegjësia për sjelljen e spektatorëve). Në të thuhet: “Klubet mikpritëse janë përgjegjëse për sjelljen e gabuar të spektatorëve…. në rastin e hedhjes së mjeteve ndezëse, fishekzjarrëve, gurëve ose sendeve të tjera brenda rrethimit të fushës së lojës, pa shkaktuar akte të dhunës ose ndërprerje të lojës, sanksionohen me dënimin e fushës për të paktën 1 (një) ndeshje pa spektatorë”.
LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"