“Ju tregoj pse nuk luaj për Kosovën”, Karaqi për “Panorama TV”: Ndihem krenar, jam më i miri në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2023 | 21:04

“Ju tregoj pse nuk luaj për Kosovën”, Karaqi për “Panorama TV”: Ndihem krenar, jam më i miri në Europë

Alvi Karaqi fitoi medalje ari në sportin e karatesë në Kampionatin Europian pak ditë më parë. Në një intervistë për “Panorama Sport” në “Panorama TV”, kampioni shqiptar i Europës u shpreh shumë i lumtur për këtë sukses duke treguar edhe objektivat që ka.

KARAQI

“Medalje e arit? Ndihem shumë i lumtur dhe ende nuk jam shkëputur nga euforia. Më vjen mirë që jam më i miri në Europë dhe që Shqipëria ka një kampion Europe në karate pas 20 vitesh. Normal që kur reflekton, kupton se medalja ka vlerë për sportin shqiptar dhe jo vetëm për mua.

Kampion në Europë? Është e vështirë sepse nuk është kultivuar shumë si sport dhe nuk është mbështetur financiarisht dhe ka pasur rënie. Ka pasur rënie kualiteti dhe kur sportistët kalojnë në kategorinë Senior, kanë nevojë për financa dhe nuk janë mbështetur edhe pse Shqipëria ka pasur talente. Durimi është ndalur dhe nuk e kanë vazhduar.

Vështirësia? Ka qenë pjesëmarrja si fillim sepse Lojërat Europiane kanë kualifikim dhe marrin pjesë vetëm më të mirët. Kjo qenë një vështirësi pasi duhej të kualifikohesha mes 7 më të mirëve por e kam respektuar për vete. Kur erdhi puna për garë dhe për të luajtur me më të mirët, duhet koncentrim i madh për t’i mposhtur dhe një ditë me fat. Ishte ditë me fat.

Nuk kam fjalor të pasur të përshkruaj atë që ndodhi. Kam qarë dhe ka pasur shumë rëndësi kjo medalje pas lëndimeve, ndalesave dhe humbjeve që kisha dhe që më ulën moralin. Ky gëzim nuk është vetëm për fitoren por si rezultat i të gjitha viteve,

Dedikim? Ua dedikoj shumë njerëzve por kryesisht familjes, trajnerit, edhe normalisht gjithë Shqipërisë sepse jam ndjerë krenar që kam kënduar himnin kombëtar.

Medalje argjendi? Kam qenë në stres sepse nuk e dija nëse do të kualifikohesha dhe kur kam hyrë në zonën medalje e dija që jam kualifikuar. Kisha shumë emocione dhe shumë orë pushim e ato orë vizualizova fitoren dhe kisha shumë qetësi. Isha i bindur që në gjysmëfinale se nuk mund të më mposhtte askush. E theva akullin.

Luiza Gega? I uroj shumë për fitoren Luizës. Nuk kemi pasur kontakt personal por vetëm me komente dhe shpresoj që të takohemi edhe në jetën e përditshme. Jam gëzuar shumë dhes shpresoj që edhe Alban Beqiri të hyjë në zonën e medaljeve sot.

Shqipëria? Pse jo? Në 2013 kur Kosova ishte ende e izoluar në sport, Bujar Nishani na ka dekoruar disa sportistëve që të përfaqësojmë Shqipërinë dhe të mos jemi peng i politikës. Që në 2014 kam përfaqësuar Shqipërinë dhe isha nënkampion Europe. Kalova një periudhë për Kosovën me marrëveshje dhe nga fundi i 2019 u ktheva për Shqipërinë dhe do të mbyll karrierën këtu.

Ndjej keqardhje për veten sepse në 2 edicione në Baku dhe Minsk kam qenë për Kosovën dhe 3 sekondat e fundit kam humbur medalje. Nuk ishte  e shkruar të fitoja për Kosovën por fati më rezervoi fitore për flamurin kombëtar. Ma kanë uruar edhe Federata e Kosovës dhe ka qenë presidenti me Fidel Yllin. Ka qenë presidenti i Federatës së Kosovës që më dha medalje dhe jam i lumtur që 2 presidentët ishin dëshmitarë të kësaj fitoreje.

Familja? Nuk kanë mundur që të jenë por më kanë mbështetur non-stop. Kanë folur me trajnerin shumë dhe e kam ndjerë shpirtërisht mbështetjen.

Pushimet? Dua të pushoj pak në Dhërmiun e bukur e më pas të shoh se çfarë planesh do të kem për të ardhmen. Të shoh gjendjen e trupit dhe punën që bëj sepse jam mjek. Qëllimi është pjesëmarrja në kampionatin ballkanik në shtator sepse mbahet në shtator. Ballkani ka shumë kampionë dhe kjo do të thotë se do të ketë kampionë të mëdhenj dhe ja vlen të ndiqet nga njerëz që nuk janë pjesë e karatesë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"