Julian Malo largohet nga Partizani
Ishte paralajmëruar se si rezultat i prurjeve të shumta në merkaton e janarit, ishin të pashmangshme largimet dhe huazimet nga radhët e Partizanit. Mbrëmë është mësuar se një nga ata që nuk do ta vazhdojë pjesën e dytë të sezonit është edhe sulmuesi Julian Malo. Ai u bashkua me “demat” janarin e shkuar, duke i ndihmuar ata të riktheheshin në Superiore, teksa në pjesën e parë të sezonit shënoi 4 gola duke qenë golashënuesi më i mirë i skuadrës. “Me vjen keq që po largohem nga Partizani, pasi nuk e dëshiroja një gjë të tillë, por këtë vendim e marr për të mirën e karrierës sime. Për shkak të situatës që u krijua, vendosa ta vazhdoj karrierën diku tjetër, por ndiej keqardhje për këtë largim. Gjithsesi, dua të falënderoj përzemërsisht tifozët e mrekullueshëm të Partizanit për mbështetjen që më kanë dhënë, si dhe dy presidentë e skuadrës me të cilët bashkëpunova, Lulëzim Sallakum dhe Gaz Demin”, – u shpreh për “Panorama Sport” Julian Malo. Me gjasa, Malo mund t’i bashkohet Laçit për pjesën e dytë të sezonit. Lajmin për largimin e Julian Malos e konfirmon edhe zyra e shtypit e Partizanit. “Lojtari Julian Malo nuk do të jetë më pjesë e Partizanit. Klubi mirëkuptoi kërkesën e lojtarit dhe palët gjetën mirëkuptimin për ndërprerjen e marrëdhënieve mes tyre. Klubi e falënderon përzemërsisht për punën e kryer dhe kontributin e dhënë në arritjet e skuadrës gjatë gjithë vitit 2013. I urojmë suksese të mëtejshme në karrierën si futbollist dhe jetën private”, – njoftonte dje zyra për shtyp e Partizanit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"