Ka probleme me kartonin, bllokohet malazezi Deliç. Tifozët e Tiranës në protestë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2014 | 13:30

Ka probleme me kartonin, bllokohet malazezi Deliç. Tifozët e Tiranës në protestë

DelicIvan Deliç ka probleme me kartonin. Mesfushori malazez, i cili të hënën u zyrtarizua si blerje e Tiranës, nuk ka marrë ende lejen e kalimit nga ish-klubi i tij. Kf Grbajl është skuadra që ka kartonin e tij dhe duket se deri dje ata nuk kanë dhënë OK-in për transferimin e Deliç te kryeqytetasit. Një gjë të tillë e konfirmojnë edhe burime të sigurta pranë klubit bardheblu, ku janë në pritje të një përgjigjeje nga ana e ekipit nga Mali i Zi. Në kushte të tilla, lojtari është i bllokuar deri në momentin kur do të zgjidhet ky ngërç. E vetmja gjë e paqartë lidhet me kontratën që mesfushori ka pasur me ekipin nga Radanovici. Pra, nëse ka skaduar, apo ai është lënë i lirë nga malazezët, ndonëse ekziston edhe mundësia që të mos ketë aprovimin e klubit për këtë kalim.
Kontrata Pasditen e së hënës, nën praninë e drejtuesve të Tiranës, Ivan Deliç u prezantua si afrimi i radhës për këtë merkato. Ai hodhi edhe firmën mbi kontratë dhe, sipas informacioneve, ajo është e vlefshme deri në fund të sezonit, por me opsion rinovimi për një tjetër vit. Gjithsesi, duhet saktësuar se klubi ka ruajtur të drejtën që në fund të këtij edicioni të kërkojë ose refuzojë për vijimin e kontratës edhe për 2014-2015. Pra, edhe nëse mesfushori do të ketë dëshirë për të qëndruar me këtë skuadër, në qoftë se drejtuesit e klubit nuk do jenë të këtij mendimi, aventura e tij mbaron në qershor. Kjo natyrisht bëhet edhe për faktin se skuadra gjendet në një pozicion të rrezikuar, për herë të parë në gjithë historinë e vet, drejt rënies nga kategoria.
Përgatitjet Lojtari po vazhdon të stërvitet te Tirana, ndërsa dje ka zhvilluar dy seancat e radhës nën urdhrat e trajnerit Gugash Magani. Cilësitë e tij njihen tashmë, teksa gjatë aktivizimit në të shkuarën me Vllazninë ka lënë shije të mirë jo vetëm në Shkodër. Kjo bëri që edhe bardheblutë të hynin në bisedime me të dhe shumë shpejt të arrinin akordin dhe më tej firmën. Pjesën e parë të sezonit 27-vjeçari ka qenë pjesë e Grbajl dhe është aktivizuar në 15 takime, duke shënuar edhe 7 gola. Megjithatë, gjatë këtyre ditëve ai po stërvitet i diferencuar dhe me program më vete, duke qenë se ka pasur rreth 20 ditë pa përgatitje. Gjithsesi, sipas gjasave, sot ai mund të zbresë në fushë kundër ekipit të të rinjve në një ndeshje miqësore.

Largohet Gilberto, kërkoi 7 mijë dollarë në muaj
Gilberto Fortunato është larguar nga Tirana. Pas disa ditësh në provë, sulmuesi brazilian arriti që të bindte jo vetëm stafin teknik, por edhe tifozët, për rrjedhojë pritej që shumë shpejt ai të prezantohej zyrtarisht si blerja e radhës. Mirëpo gjithçka është sfumuar sa hap e mbyll sytë. Fill pasi lojtari mori OK-in nga trajneri Magani për të qëndruar, hyri në bisedime konkrete me drejtuesit kryeqytetas. Dhe pikërisht këtu nisi ngërçi, si pasojë e kërkesave të larta financiare të Gilbertos. Ai priste që të përfitonte 7 mijë dollarë në muaj prej bardhebluve, mirëpo drejtuesit i kanë ofruar vetëm gjysmën e kësaj shume, pra 3500, të cilat Fortunato nuk i ka pranuar. Në kushte të tilla, futbollisti është larguar, duke mos dalë as në stërvitje pasdite. Por nga sa mësohet, trajneri e ka telefonuar menaxherin e lojtarit dhe i ka kërkuar kohë. Kësisoj, sot pritet një tjetër takim. Gilberto u ka komunikuar drejtuesve që mund ta ulë pazarin deri në 5 mijë dollarë. Nëse edhe sot nuk i jepet zgjidhje, gjasat janë që ai të shkojë te Bylisi. Burime të sigurta zbulojnë për gazetën se braziliani mund të shkojë drejt Ballshit, ku i është ofruar një rrogë prej 5 mijë dollarësh.

Tifozet e Tiranes ne protesteTifozët e Tiranës në protestë, thirrje për të shmangur rënien
Ashtu sikundër kishin paralajmëruar, tifozët bardheblu dolën dje në protestë para bashkisë së kryeqytetit. Afro 300 ultras, të shqetësuar për gjendjen kritike që po kalon ekipi i tyre i zemrës dhe me frikën se edhe ai do të ketë fatin e dy skuadrave të tjera kryeqytetase, si Partizani e Dinamo, ndërmorën një tjetër nismë. Për rreth 30 minuta ata “zaptuan” sheshin “Skënderbej”, me shpesën që reagimi të mos vonojë. Kjo ishte protesta e tretë në radhë, pas atyre që u zhvilluan gjatë muajve të verës. Ndryshe nga ajo që ndodhi në gusht, këtë herë dashamirësit e bardhebluve u shfaqën më të irrituar, pasi veç banderolave të zakonshme, nuk ngurruan që të hidhnin shashka dhe flakadanë. Protesta ka nisur rreth orës 17:30 dhe ka zgjatur deri më 18:00. Edhe këtë herë u vu re mungesa e drejtuesve, apo lojtarëve. Duhet theksuar ndërkaq se gjatë 30 minutave të protestës, asnjë zyrtar i Bashkisë së Tiranës nuk ka dalë që t’i takojë tifozët. Incidente nuk pati, ndonëse në momente të ndryshme, pas hedhjes së flakadanëve e shashkave në mënyrë të pakontrolluar, kanë ndërhyrë forcat e rendit, por pa e ndërprerë nismën e “Tirona Fantics”. Në momentin kur ata kanë kaluar në trotuarin pranë institucionit të bashkisë, duke bllokuar qarkullimin për rreth 1 minutë, u desh sërish ndërhyrja e policisë. Megjithatë, një gjë e tillë nuk e ka penguar qarkullimin normal të makinave. Me të përfunduar protestën, ata u larguan nga bashkia dhe u ndalën për pak minuta para Teatrit të Operës dhe Baletit, ku edhe vendosën se kur do të mblidhen përsëri. Duket se është përcaktuar e premtja, si dita kur do të protestojnë sërish.
ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"