Ka spikatur tek Apolonia, Skënderbeu i vë “syrin” mbrojtësit shkodran

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2024 | 13:00

Ka spikatur tek Apolonia, Skënderbeu i vë “syrin” mbrojtësit shkodran

Merkato do të jetë e hapur për të gjithë lojtarët që janë pjesë e Apolonisë me një kontratë të rregullt. Kjo është edhe strategjia që do të ndjekë ekipi fierak për të vlerësuar më pas gjithçka në varësi të ofertave.

REPAJ SERJAN

Në kushte të tilla duket se sinjalet dhe kambanat po bëhen shumë të shtuara edhe për lojtarë që fillimisht konsideroheshin se ishin të pashitshëm, të paktën edhe për këtë sezon. I tillë është rasti i qendërmbrojtësit Serjan Repaj, i cili së fundmi ka hyrë në “lupën” e merkatos korçare si një përforcim cilësor në prapavijë që mund të vlejë shumë për sezonin e ri.

Burime të sigurta të “Panorama Sport” pranë klubit fierak bënë me dije ekskluzivisht për gazetën se prej pak ditësh kanë nisur edhe bisedimet e para me drejtuesit e Skënderbeut, pasi 23- vjeçari shkodran është nën kontratë me Apoloninë dhe në rast se vendosin të heqin dorë nga lojtari i tyre do të kërkojnë të mbushin mjaftueshëm “arkat”.

Megjithatë, ky interesim ka vënë sigurisht në lëvizje klubin fierak që po punon me përqendrim maksimal për të pritur ndoshta edhe ofertën zyrtare. E nëse diçka e tillë do të jete e konsiderueshme në bazë të pritshmërive që ka vetë klubi fierak, mund të kemi një transferim surprizë të një prej lojtarëve kyç të Apolonisë në sezonin që u mbyll.

Serjan Repaj është pa diskutim një nga lojtarët më të mirë në Kategorinë e Parë në pozicionin e tij. Qendërmbrojtësi falë paraqitjeve shumë të mira të bëra me Apoloninë, veçanërisht sezonin e fundit, ka zgjuar edhe interesin e një prej ekipeve të Superiores, që është Skënderbeu. Pas një sezoni të mirë me Apoloninë, ku në 28 ndeshje shënoi 3 gola, Repaj po mendon rritjen e cilësisë së vet përmes kalimit në Superiore dhe duket se këtë shans mund t’ia japë klubi korçar.

Duke parë edhe faktin se në Korçë është një ambient i qetë, ku mund të shprehesh lirshëm sa i takon aftësive, Repaj do ta kishte lëvizjen e duhur. Në momentet që flasim, burimet tregojnë se kontaktet janë më se konkrete dhe bisedimet mes palëve kanë nisur prej disa ditësh. Me Apoloninë, qendërmbrojtësi Serjan Repaj ka luajtur katër sezone radhazi, ku numëron në total 9049 minuta aktivizimi dhe 6 gola të shënuar.

HILMI SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"