Ka “vrull” rinovimesh te Lushnja, klubi ka blinduar titullarët: Do të jetë një vit krejt ndryshe. Harrojeni kohën kur diskutonim qëndrimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2023 | 23:00

Ka “vrull” rinovimesh te Lushnja, klubi ka blinduar titullarët: Do të jetë një vit krejt ndryshe. Harrojeni kohën kur diskutonim qëndrimin

Lushnja e ka marrë seriozisht. Klubi po nx iton me ndërtimin e skuadrës për sezonin 2023- 2024. Që pas emërimit të trajnerit Gugash Magani, ka nisur një “valë” firmash. Zyrtarisht kanë marrë si përforcime Oltjan Haremin dhe Ronald Dishën, por nuk po mungojnë as rinovimet.

Canka

Veç Skerdilajd Levendit, Ledion Ruços, Ervis Gjylës dhe Altin Kanajat, janë rikonfirmuar edhe dy titullarë. Jemi duke folur për Adriatik Bashën dhe Dejan Andonin, që kanë arritur akordin me drejtorin sportiv Mario Sula dhe pasi kanë nënshkruar kontratat 1-vjeçare, janë prezantuar.

ANDONI

Dejan Andoni e pati paralajmëruar me kohë akordin. Që pasi erdhi trajneri i ri, iu bë më dije që është në plane dhe direkt u ul për të diskutuar për kontratën e re. Nuk ka pasur asnjë pengesë dhe firma erdhi. Mesfushori është shumë i lumtur me kushtet e reja dhe mbi të gjitha me objektivat në rritje të klubit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, 28-vjeçari beson se ky vit do të jetë krejt ndryshe për vedhejeshilët.

Andoni

“I kam pasur kontaktet me Lushnjën që herët dhe këtë e kam deklaruar. Pranova direkt, pasi bëhet fjalë për diçka më të mirë se viti i kaluar. Gjërat janë më mirë këtë vit, ka më shumë vëmendje për ekipin dhe kam idenë që do ta harrojmë kohën kur diskutonim për mbijetesë. Jam i kënaqur që kam firmosur dhe kam rinovuar kontratën. Jam në kushte më të mira dhe besoj te një kampionat i mirë nga ana e Lushnjës. Do të jetë viti i dytë radhazi dhe e ndiej veten më mirë”, deklaroi fieraku, që do të luajë sezonin e dytë radhazi te lushnjarët.

BASHA

Adriatik Basha do të bëhet gati për sezonin e gjashtë radhazi te Lushnja. Ishte titullar stabël në formacion dhe ka bërë vërtetë mirë në mbrojtje, ndaj edhe drejtuesit nuk e menduan dy herë që ta “blindojnë”. Ndihet i vlerësuar për përfshirjen në planet e sezonit të ri dhe është gati që t’ua shpërblejë dhe forma më e mirë është me paraqitje bindëse në fushën e lojës. E dëshiron shumë ngjitjen në elitë dhe shpreson që fundi të realizojë ëndrrën e çdo lushnjari. Edhe pse tregohet i kujdesshëm kur flet për objektivat, e përmend diçka nën rreshta.

Basha

“Kam firmosur zyrtarisht kontratën dhe sapo u prezantova. Kisha besim se do të rinovoja në fakt, nuk e dyshoja këtë pjesë. Jam i angazhuar që t’ua shpërblej drejtuesve gjithë besimin që kanë tek unë. Jemi të angazhuar maksimalisht dhe e dimë se çfarë duam të bëjmë këtë vit. Do të jetë shumë më i mirë nga ai që kaluam.

Ka shkuar si ka shkuar deri më tani, ambiciet janë rritur. Dëshira për të bërë mirë nuk na mungon dhe mendoj se me punën që po bën klubi, rezultatet nuk do të na mungojnë. Po ndërtohet një ekip ashtu siç Lushnja e meriton”, përfundoi 24-vjeçari, që vjet mori 1514 minuta nga 23 ndeshje në fushë.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"