Kacbufi, afrimi i dytë i Flamurtarit. Idrizi “kokë më kokë” me Pollozhanin për merkaton

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2024 | 10:53

Kacbufi, afrimi i dytë i Flamurtarit. Idrizi “kokë më kokë” me Pollozhanin për merkaton

Flamurtari edhe pse ende nuk ka vendosur për “timonierin” e ri, drejtuesit vijojnë punën për përforcimin e skuadrës. Pas Trimror Selimit, vlonjatët kanë kryer edhe “goditjen” e dytë në merkato, pikërisht në qendër të mbrojtjes.

kacbufi flamurtari

Alesndro Kacbufi është lojtari më i ri i Flamurtarit. Mbrojtësi i qendrës është prezantuar një ditë më parë nga djali i administratorit Sinan Idrizi, Ensari që mesa duket po merr “në dorë” frenat e klubit. Kacbufi është 23 vjeç dhe ka lindur në Pavia,  më 13 maj 2001, si dhe ka dy pasaporta, italiane dhe shqiptare. Më parë është aktivizuar me Kombëtaren U-19. Kacbufi e ka filluar karrierën e tij në akademinë e Besës së Kavajës në vitin 2018, për të kaluar te skuadra e parë më 2021-shin. Në sezonin 2021-2023, Alesandro Kacbufi është aktivizuar tek Egnatia. Ndërsa në sezonin e fundit, ai ka qenë pjesë e Erzenit, skuadër të cilën do ta ketë kundërshtare në sezonin e ri në Kategorinë e Parë.

Kacbufi është afrimi më i ri Flamurtarit, i cili përforcon repartin më problematik të vlonjatëve në sezonin e fundit, qendra e mbrojtës. Në mungesë të një mbrojtësi “adapt”, kuqezinjtë kanë adaptuar mesfushorë si qendërmbrojtës në sezonin e shkuar. Me ardhjen e mbrojtësit kavajas shkojnë në dy përforcimet e merkatos së verës në skuadrën vlonjate. I pari që hapi rrugën ishte kosovari Trimror Selimi, i cili më parë ka luajtur me Prishtinën, Ulpianën dhe Llapin.

TAKIMI – Flamurtari nuk ka ndërmend që të ndalet në merkato. Edhe pse nuk e ka zgjidhur çështjen e trajnerit, klubi ka nisur me ritme punën. Dje, administratori Sinan Idrizi është takuar me Artim Pollozhanin. Qëllimi i takimit ka qenë diskutimi për merkaton. Pollozhani i ka dhënë Idrizit një listë me emrat e lojtarëve që kërkon të ketë në skuadër. Mësohet se janë të paktën 10 futbollistë në planet e Flamurtarit për sezonin e ri. Në takimin Idrizi-Pollozhani është folur edhe për rinovimet. Ne plane janë Vasil Shkurtaj, Idriz Batha, Erlis Frashëri, Indio Oliveira, Fjoralb Deliaj, Denis Pjeshka, Lancinet Sidibe dhe Fabio Hasa. Në ditët në vijim pritet që të ketë edhe zhvillime në këtë drejtim, por kureshtja më e madhe lidhet se kush do të jetë trajneri i ri.

 

Skeda

 

Alesandro Kacbufi

Datëlindja: 13.05.2001

Vendlindja: Pavia, Itali

Shtetësia: Shqiptare / italiane

Gjatësia: 1.90 m

Pozicioni: Mbrojtës qendre

Karriera :

2024- Flamurtari

2023 – 2024 Erzeni 

2021 – 2023 Egnatia

2018 – 2021 Besa

 

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"