“Kam besimin e klubit dhe mbështetjen e stafit”, mbrojtësi i Skënderbeut: Sezon fantastik, e përsërisim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2024 | 17:34

“Kam besimin e klubit dhe mbështetjen e stafit”, mbrojtësi i Skënderbeut: Sezon fantastik, e përsërisim

Rrugëtimi sezonal i korçarëve veçanërisht në pjesën e dytë të sezonit ka qenë mbresëlënës dhe tepër i rëndësishëm për Andrea Gërçon, mbrojtësin që u bashkua së fundi me Skënderbeun dhe tregoi vlerat e tij, duke u kthyer në një pikë të rëndësishme të organikës korçare.SKENDERBEUNë një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” mbrojtësi tregon me detaje gjithë këtë eksperiencë një vjeçare te Skënderbeu, duke u përqendruar më shumë te pjesa e dytë e sezonit. Kohë kur luajti si titullar të gjitha ndeshjet duke u kthyer në një pikë të fortë të ekipit.

“Nëse do të flas në aspektin personal ka qenë një sezon i ndarë në dy pjesë. Fillimisht në pjesën e parë të sezonit kam vuajtur shumë me hapësirat e pakta dhe mungesën e përshtatjes, por jam fokusuar gjithmonë të jap maksimumin dhe të bëj me të mirën time në çdo moment. Kam punuar me përgjegjësi dhe në fund gjithçka më është shpërblyer. Në pjesën e dytë të sezonit gjithçka ka ndryshuar dhe jam ndier vërtet pjesë e rëndësishme e ekipit. Kemi zhvilluar një sezon shumë të mirë, duke kaluar pritshmëritë e të gjithëve. Një sezon që vjen si një arritje përmes sakrificës dhe mentalitetit fitues që kemi fituar si ekip. Vendi i tretë në kampionat ka qenë një arritje e rëndësishme për ne dhe duket që të vijojmë me të njëjtën ambicie edhe në vazhdim”, theksoi fillimisht mbrojtësi i Skënderbeut.

E ARDHMJA – I ndalur tek e ardhmja dhe pritshmëritë për sezonin e ardhshëm Gërço ka folur hapur rreth aventurës tek korçarët duke lënë të kuptohet se do të jetë sërish pjesë e Skënderbeut në sezonin e ri duke u munduar që të risë më tej performancën e tij.

“Unë kam një kontratë aktive me Skënderbeun dhe për momentin jam i përqendruar këtu. Ndihem mirë këtu dhe jam pjesë e skuadrës, duke fituar siguri. Normalisht që do të vijoj të punoj fort për të treguar më shumë vlerat e mia si lojtar. Prandaj edhe për këtë pres të filloj me këmbën e duhur sezonin e ri. Jam këtu për të dhënë maksimumin e mundshëm me qëllim që të ndihmoj ekipin në përmbushjen e objektivave. Nuk e mendoj aspak merkaton për momentin, pasi janë të tjerë ata që merren me diçka të tillë unë dua të shfrytëzoj gjithçka në maksimum për të rritur vlerat e mia. Kam besimin e klubit dhe mbështetjen e stafit. Kjo është e rëndësishme për mua në këtë moment”, përfundoi Gërço.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"