“Kam kontratë me Dinamon”, Marku: Duhej ta siguronin me kohë elitën, gabimet na kushtuan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2023 | 10:40

“Kam kontratë me Dinamon”, Marku: Duhej ta siguronin me kohë elitën, gabimet na kushtuan

 Taulant Marku ishte një nga protagonistët e ngjitjes së Dinamos. Me 10 gola të shënuar në 24 ndeshje, i dha jo pak dorë ekipit që të sigurojë misionin final. Në sezonin e parë me fanellën blu, ai ishte sulmuesi kryesor i skuadrës, i mbështetur nga Denison dhe Danaj më së shumti. Në një prononcim për “Panorama Sport”, 28-vjeçari e quan të suksesshëm kampionatin.

taulant marku

E megjithatë, tregohet i sinqertë kur pranon edhe gabimet. Mendon se duhet ta kishin zgjidhur çështjen e Superiore kohë më parë. “Mund të konsiderohet një sezon pozitiv për Dinamon ky që lamë pas, përderisa u arrit objektivi i ngjitjes në Superiore. Ky ishte qëllimi kryesor yni. Do të thosha se Dinamo në fakt duhej ta kishte mbyllur me kohë çështjen e Superiores me skuadrën që ka, por disa gabime që bëmë gjatë rrugës, që as ne vetë nuk dimë si t’i shpjegojmë, na e vështirësuan punën. Megjithatë, rëndësi ka që në fund siguruam ngjitjen një kategori më lart dhe për këtë duhet të jemi të kënaqur”, thekson sulmuesi i bluve.

E ARDHMJA – Dilema për të ardhmen nuk mund të ketë dhe me të drejtë, pasi ka kontratë me Dinamon edhe për dy vjet të tjerë. Për aspektin personal ai shprehet se disa dëmtime e penguan të jepte më të mirën sezonin e fundit. “E nisa mirë kampionatin që përfundoi, po shënoja gati rregullisht në javët e para. Më pas disa dëmtime që kisha kushtëzuan formën time në fushë, në disa ndeshje kam luajtur me sforco, duke sakrifikuar për skuadrën. Mund të kisha bërë më mirë, sigurisht. E ardhmja? Jam pjesë e Dinamos, kam edhe dy vjet kontratë me këtë skuadër”, thotë Marku më tej.

PËRFORCIMET – Sulmuesi me përvojë e di mirë që skuadra do të pësojë ndryshime për Superioren gjatë merkatos së verës. Përforcimet i mirëpret dhe thekson se i bëjnë mirë skuadrës, duke shtuar konkurrencën dhe rrjedhimisht edhe kualitetin. “Dinamos i duhen përforcime për një përfaqësim sa më dinjitoz në Superiore, është e qartë. Mendimi im është se kjo skuadër nuk duhet të luftojë për mbijetesë mes më të mirë të futbollit shqiptar, duhet të bëjë diçka më shumë se kaq, ndaj dhe them se përforcimet janë të nevojshme. Afrimi i lojtarëve cilësorë i bën mirë çdo skuadre, edhe Dinamos, pasi konkurrenca rrit nivelin. Tani të presim dhe të shohim çfarë do të ndodhë, por kam shumë besim se Dinamo do të ketë një përfaqësim ndryshe këtë herë në elitë”, ka përfunduar futbollisti 28- vjeçar. Blutë kanë marrë pushimet që pas ndeshjes me Luzin. Drejtuesit e klubit kanë në plan të bëjnë një analizë të detajuar për të vënë pikat mbi ‘i’ dhe për të shpallur edhe objektivat e sezonit të ardhshëm.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"