“Kampionat që kënaqen vetëm dy skuadra”, Jupi: Asnjëri s’do e mbajë mend këtë titull të Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2023 | 23:20

“Kampionat që kënaqen vetëm dy skuadra”, Jupi: Asnjëri s’do e mbajë mend këtë titull të Partizanit

Sezoni 2022/23 i “Abissnet Superiore” u mbyll me triumfin e Partizanit. Gjithsesi për ish-futbollistin e Kombëtares, Redi Jupi, ishte një kampionat ku vetëm dy ekipe kanë dalë të kënaqura dhe gjithashtu se titulli i Partizani nuk do të mbahet mend, ashtu si ai i Tiranës ose i Teutës para dy vitesh.

jupi

“Urojmë fituesin e kampionatit për këtë garë që u bë. Për mënyrën si u zhvillua kampionati, për atë që përfaqëson ky kampionat, për të gjitha problematikat që ka brenda, kushdo që e fiton e meriton ta fitojë. Këtu përdoret çdo mjet dhe çdo mënyrë për ta fituar kampionati. Por ama unë kam një ide tjetër, pa dashur t’i prish festën Partizanit apo të fus dorë në plagën e Tiranës, apo dhe të gjithë atyre ekipeve të tjera, sepse ky është kampionati i vetëm në botë që janë vetëm dy ekipe të kënaqura. Edhe Partizani vetë që ka dalë kampion nuk është i kënaqur aq sa duhet sepse titulli nuk është i gjithi i tij. dhe këtë nuk ju a them dot, por do t’iu a lë deri këtu. Mundohuni ta nënkuptoni, të lexoni midis rreshtave për këtë që po them.

Ne kemi një Superiore që gjithmonë vetëm dy skuadra janë gjithmonë të kënaqura. Punohet me këto dhe për këto në kurriz të tetë të tjerave. Kemi një Kategori të Parë që është keq e më keq.

Këto skuadra që janë të pakënaqura duhet të lirohen nga kjo skemë. Kampionati në vetvete nuk duhet të ngelet vetëm statistikë. Ne nuk punojmë për statistika, që të thuhet: Tirana ka kaq kampionate, kaq ka Partizani, kaq ka Dinamo. Në vetvete skuadrat tona duhet të krijojnë emocione, duhet të krijojnë tifozë të rinj.

Sa tifozë të rinj ka krijuar ky titull i Partizanit? Sa tifozë të rinj ka krijuar titulli i Teutës? Sa tifozë të rinj ka krijuar titulli i Tiranës para një viti? Zero. Nuk krijojnë emocione, nuk krijojnë frymë. Një titull krijon frymë. Dinamon e 2002 e mbaj mend sot, do ta mbaj mend dhe pas 50 vitesh. E di sa vetë do ta mbajnë mend titullin e Partizanit në 2023? Asnjëri.

Ne duhet të shkëputemi nga kjo dhe të krijojmë vlera. Vlerat krijohen duke krijuar garë. Vlerat krijohen që në fund të kampionatit të mos ketë tetë skuadra të pakënaqura, por të jenë me paqe me veten. Unë nuk po them që ajo që të bjerë nga kategoria të jetë e kënaqur. Ajo të thotë: Unë bëra një garë që isha më i dobëti nga këta që dolën, unë kam marrë atë që kam merituar në fushë.

Nuk e them me inat, por mirë t’i bëhet se janë pjesë e sistemit dhe e kanë pranuar vetë këtë sistem dhe e mbajnë në këmbë këtë sistem. Këta janë votuesit. Përpara disa ditësh u bë Asambleja e zakonshme. Asambleja në një vend me kaq problematika që jemi ne, bëhet në prill, në mars, pa mbaruar kampionati, sepse kur mbaron kampionati krijohen gjithë këto problematika. Përse nuk bëhet kur mbaron kampionati dhe të gjithë këta të shkojnë atje, të përplasen në diskutime, interesa dhe pakënaqësi. Ose në fund të kampionatit, ose në fillim të tjetrit.

Nëse këta janë të pakënaqur dhe nëse këta e mbajnë këtë sistem në këmbë, të pakënaqur qofshin. Nëse këta janë skllevër të kësaj, kanë ngecur këtu, sepse thotë: Çfarë të bëj? Nëse ndihem më hedh nga kategoria. Më jep një dënim në Komision Disipline. Atëherë ne këtu kemi detyrën morale, civile, shoqërore që t’i çlirojmë nga gjithë kjo gjë”, u shpreh Jupi në “Procesin Sportiv”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"