Kamza zyrtarizon afrimin e 5-të në merkato, firmos japonezi Fukui
Kamza nuk ndalet në merkato. Dje, është zyrtarizuar edhe afrimi më i ri në merkato. Bëhet fjalë për sulmuesin japonez Masato Fukui. Lojtari që ka qenë pjesë e Tiranës dhe Skënderbeut, dje është bërë zyrtarisht pjesë e skuadrës dhe sot do të prezantohet. Në këtë mënyrë, Kamza konfirmon edhe një herë se është një prej ekipeve aktive në këtë merkato vere.
JAPONEZI
Sulmuesi erdhi për herë të parë në Shqipëri në verën e 2015-ës duke iu bashkuar Tiranës. Me një eksperiencë 2-vjeçare me Sutjeskën në Malin e Zi, Fukui u konsiderua si një afrim i rëndësishëm i bardhebluve në fillim të atij sezoni. Dhe lojtari ishte një prej titullarëve të skuadrës ku në 34 ndeshje shënoi dy gola.
Një vit më pas u transferua te Skënderbeu, por luajti vetëm në pjesën e parë të kampionatit. Tashmë, japonezi do të provojë një eksperiencë të re te Kamza, ku mbetet sërish në Superiore. Një afrim që konsiderohet shumë i rëndësishëm për repartin e avancuar të skuadrës kamzali.
Kamza deri tani ka bërë pesë afrime. Fillimisht, të martën u prezantuan me ekipin Bruno Arrabal, Alfred Zefi, Argent Halilaj dhe Hektor Idrizaj. Ndërsa, dje u zyrtarizua edhe japonezi Masato Fukui. Ndërkaq, janë larguar 14 lojtarë. Pritet që të jetë një ekip krejtësisht i rinovuar për sezonin e ri. Synimi i Kamzës është mbijetesa në Superiore.
ABDULLA DUSHKU
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"