Kaosi në basketbollin shqiptar/ Shoqata e Arbitrave: Deklarim pasurie, jo vetëm për gjyqtarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2024 | 15:55

Kaosi në basketbollin shqiptar/ Shoqata e Arbitrave: Deklarim pasurie, jo vetëm për gjyqtarët

Vijojnë polemikat në komunitetin e basketbollit me akuza dhe kundër-akuza të forta, ndërmjet presidentit të Teutës, Arqile Gorea dhe Shoqatës së Arbitrave dhe Vëzhguesve.

basketboll gjyqtaret

KRONOLOGJIA – Gjithçka e kishte zanafillën pas gjysmëfinales së dytë të “play off”-it mes Vllaznisë dhe Teutës në Shkodër, takim i fituar nga kuqeblutë. Drejtuesi i durrsakëve akuzoi për arbitrim të njëanshëm, ndërsa me të drejtë e quajti të papranueshëm faktin që komisioneri i ndeshjes, pra personi që jep relacionin mbi arbitrat, të jetë nga qyteti i Shkodrës.

Gorea deklaroi madje se gjyqtarët mund ti kenë “fryrë zarfit” për këtë ndeshje, teksa kishte kontestime të mëdha për gjykimin. Pas këtyre akuzave replikoi Shoqata e Arbitrave dhe Vëzhguesve, duke bërë të ditur ndër të tjera se ka ngritur padi për shpifje për Gorean dhe se gjyqtarët në Shqipëri janë të pavarur nga federata.

Një ditë më parë replikoi sërish Gorea, i cili u shpreh se arbitrat paguhen me taksat e klubeve dhe në vend që të ankohen sipas tij palët e dëmtuara nga arbitrimi, ata që shpenzojnë para për basketbollin, bërtasin pa vend gjyqtarët, me një komunikatë pa emra. Gorea madje kërkoi që gjyqtarët të bëjnë deklarimin e pasurisë në momentin që nisin e këtë profesion, duke e shprehur se një pjesë e tyre e fillojnë karrierën me biçikleta me goma të shpuara dhe e përfundojnë me makina luksoze.

Së fundmi ka reaguar sërish Shoqata e Arbitrave dhe Vëzhguesve, me anë të një tjetër deklarate për “Panorama Sport”.  Shoqata i përgjigjet Goreas me një komunikatë ku nuk mungojnë notat e ironisë, por gjithashtu as akuzat personale në drejtim të presidentit të Teutës. Ndonëse, sërish nuk ka asnjë emër konkret në deklaratë, shoqata bën të ditur se funksionin në normalitet të plotë me kryetar dhe kryesi. Më poshtë ju pasqyrojmë deklaratën e plotë.

REAGIMI – “Pasuria dhe pasuritë që po tundin basketbollin. Ndoshta paskemi qenë të verbër apo ‘budallenj’ që në asnjë moment nuk e kemi kuptuar mundësinë që të dhënka basketbolli (arbitrimi në rastin konkret) për t’u bërë i pasur. Gjithmonë e kemi parë si një detyrë që më së shumti e kemi kryer nga dëshira dhe pasioni, por edhe nga interesi financiar. E përmendim të fundit punën e financave, pasi dihet nga të gjithë sa janë vlerat monetare për shpërblimet e çdo kategorie ndeshjesh.

‘Pasuria’ e vënë nga arbitrimi paska qenë kaq e madhe sa ka futur në zili individë, që për pasurinë e tyre nuk kanë dhënë kurrë llogari dhe s’kanë bërë kurrë transparencë. Përkundrazi, janë përpjekur me çdo formë të legjitimojnë të pa ligjshmen, të mbulojnë abuzimet e shumë viteve më parë të denoncuara dhe nga KLSH-ja me mënyra nga më të ndryshmet, përfshirë këtu shitje fiktive apartamentesh për të justifikuar çka thamë më lart. Me çfarë morali akuzojnë të akuzuarit?

Ju kujtojmë se arbitrat janë të punësuar në punë të tjera dhe janë të gatshëm të bëjnë deklarim pasurie për çdo qindarkë që hyn në llogaritë e tyre bankare dhe ta bëjnë transparente situatën e tyre financiare. Po ju? A do të kemi dhe ne mundësinë të shohim deklarimin tuaj të pasurisë si ish kryetar bashkie i një qyteti me resurse të mëdha ekonomike apo si ish drejtor i Postës Shqiptare?

Ju ftojmë të shkojmë së bashku në ILDKPKI për të qetësuar një herë e mirë shpirtrat e trazuar e ziliqarë që nuk gjejnë rehati dhe vjellin vrer sa herë u duhet për të dalë nga situata të sikletshme ku e fusin veten. Detyrim sqarimi: Shoqata e Arbitrave dhe Vëzhguesve funksionon në normalitet të plotë, ka president dhe Kryesi. Për cilindo që kërkon të dhëna rreth kësaj, lutemi të na kontaktojë”, shkruhet në deklaratën e Shoqatës së Arbitrave dhe Vëzhguesve të basketbollit, shoqatë që ka si kryetar Arben Kasmin.

Nëse Shoqata e Arbitrave ka reaguar për herë të dytë, Federata Shqiptare e Basketbollit ende nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare në lidhje me këto polemika që kanë ndezur sportin e koshit.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"