Kapiteni i ekipit shqiptar i jep lamumirën futbollit në moshën 27-vjeçare, ja arsyeja
Turbina po vazhdon përgatitjet në kryeqytet, duke sfiduar në njëfarë mënyre edhe temperaturat e larta. Një lajm i keq vjen nga kampi cërrikas në këtë moment të vështirë. Kapiteni i skuadrës, Xhulio Jaupi, i ka dhënë lamtumirën futbollit në moshën 27- vjeçare.
Mbrojtësi elbasanas, me një përvojë të gjatë, ka bërë të ditur se nuk do të jetë më pjesë e Turbinës në takimet e mbetura të kampionatit. Jaupi pret të shkojë këto ditë në Itali, për t’u bashkuar me familjen e tij. Ky vendim ka qenë shumë i vështirë për kapitenin Jaupi, ndërkohë që largimi i tij ka pezmatuar së tepërmi drejtuesit e klubit të Turbinës.
Gjithsesi, këta të fundit e kanë falënderuar dhe i kanë uruar një jetë sa më të mirë në Itali. Edhe Jaupi ka falënderuar klubin cërrikas dhe shokët e ekipit për mbështetjen që i kanë dhënë gjithmonë për sa kohë ka veshur fanellën e Turbinës.
Xhulio Jaupi, përveç Turbinës, ka luajtur edhe për disa skuadra të tjera në vend, siç janë Elbasani, Shkumbini dhe Korabi. Për cërrikasit është një humbje e madhe në 9 ndeshjet e mbetura, ku vendoset qëndrimi në Kategorinë e Parë.
Mariglen Miraka – Panoramasport.al
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"