Karabeci te Kukësi, huazim për Europën. Mesfushori do të zëvendësojë Musollin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2013 | 13:25

Karabeci te Kukësi, huazim për Europën. Mesfushori do të zëvendësojë Musollin

karabeci-me-kupe-frediKukësi e ka gjetur menjëherë zëvendësuesin e Besar Musollit për dy ndeshjet e turit të dytë të Ligës së Europës ndaj Sarajevos. Mesfushori u ndëshkua me karton të kuq në sfidën e së enjtes ndaj Flora Talin dhe në këtë mënyrë nuk mund të luajë në ndeshjen e parë ndaj boshnjakëve. Përveç kësaj, ai rrezikon dënim me më shumë se një ndeshje nga Komisioni i Disiplinës pranë UEFA-s, që mësohet se do të marrë në shqyrtim ndërhyrjen e Musollit në ndeshjen ndaj Florës. Erando Karabeci do të luajë në vend të Musollit në dy ndeshjet e ardhshme në Ligën e Europës. Mesfushori i Tiranës ka lënë dje Pukën, ku ishte i grumbulluar me ekipin për fazën përgatitore dhe është bashkuar me kuksianët në stërvitjen që kanë zhvilluar në Kamzë. Konform rregullores së UEFA-s, që i lejon klubit të marrë edhe një lojtar tjetër, Kukësi ka arritur marrëveshjen me Tiranën për huazimin e mesfushorit për dy ndeshjet ndaj Sarajevos. Karabeci është një prej lojtarëve më të mirë aktualisht në kampionatin shqiptar në rolin e tij dhe kuksianët kanë zgjedhur pikërisht atë si zëvendësuesin e Musollit. Përveç kësaj, lojtari i Tiranës ka luajtur edhe më parë në Kupat e Europës dhe ka njëlloj eksperience.
Karabeci Mesfushori zhvilloi dje stërvitjen e parë me Kukësin dhe për pjesëmarrjen e tij me këtë skuadër në dy ndeshjet e Ligës së Europës, shprehet: “Ndihem mirë që kam vlerësim maksimal nga drejtuesit e Kukësit për të luajtur me këtë skuadër në Europë. Ata kanë besuar tek aftësitë e mia dhe unë do të jap maksimumin tim në të dyja takimet. Do të bëj gjithçka në fushë për të arritur rezultate pozitive që mund të na kualifikojnë për më tej. Është diçka historike për atë ekip dhe unë ndihem mirë që do të jem pjesë në këto dy sfida. Shpresojmë të arrijmë kualifikimin në turin e tretë, që do të ishte diçka historike”. Është thjesht një çështje huazimi apo mund të ketë diçka më afatgjatë me Kukësin? “Unë do të jem pjesë e skuadrës kuksiane vetëm për këto dy ndeshjet e Europës, pasi jam nën kontratë me Tiranën. Se çfarë mund të ndodhë më pas, nuk e di”, mbyll prononcimin e tij mesfushori Erando Karabeci. Lojtari është një prej më të mirëve aktualisht në rolin e vet në Shqipëri dhe nuk përjashtohet mundësia që skuadra kuksiane të kërkojë ta ketë pjesë të saj edhe për sezonin e ardhshëm. Megjithatë, nëse do të ketë diçka konkrete në lidhje me këtë çështje, ajo do të diskutohet pas ndeshjeve të Ligës së Europës ndaj boshnjakëve të Sarajevos. Ndeshja e parë mes Kukësit dhe ekipit nga Bosnjë-Hercegovina do të luhet të enjten.

Gjici nuk përmbahet, kërkon turin e tretë
Te Kukësi nuk ka më asnjë dyshim se kalimi i turit të dytë në Ligën e Europës është objektivi i radhës dhe shumë serioz për verilindorët. Në mbledhjen e djeshme të presidentit Safet Gjici me stafin teknik dhe administratën e klubit, është analizuar ndeshja me Flora Talin. “Mos kaloni në eufori. E kaluam turin e parë me lojë të ndershme dhe kështu do të vazhdojmë. E kemi nisur ndershëm dhe do ta mbyllim ndershëm. Kalimi i turit të dytë është objektiv tejet i rëndësishëm për ne dhe duhet arritur. Ne ju kemi mbështetur dhe do t’ju mbështesim maksimalisht në rrugën drejt turit të dytë. Asgjë nuk do të mungojë nga ana ime si president që të arrijmë në turin e tretë”, u ka thënë Gjici lojtarëve dhe stafit. Presidenti i verilindorëve ka tërhequr vëmendjen se pret ndaj Sarajevos një lojë sulmuese, por pa pësuar gol, por dhe kujdes në mosmarrjen e kartonëve. Gjici ka garantuar se do këtë shpërblim për kalimin në turin e dytë, por pa precizuar shumën dhe kohën kur do të jepet.

Musolli gjobitet me 1000 euro
Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, ka zhvilluar dje me skuadrën analizën e ndeshjes të së enjtes ndaj Flora Talin dhe arritjen e kualifikimit në turin e dytë të Ligës së Europës. Ndër të tjera, në mbledhje është diskutuar edhe për kartonin e kuq që ka marrë Besar Musolli në sfidën e së enjtes. Për këtë çështje lojtari është gjobitur me 1000 euro gjobë, ndërkohë që Komisioni i Disiplinës pranë UEFA-s të marrë në shqyrtim rastin, ku pritet edhe dënim me më shumë se një ndeshje. Në këtë mënyrë, lojtari nuk do të ketë mundësi që të jetë pjesë e skuadrës për dy ndeshjet ndaj Sarajevos. Pas përfundimit të takimit ndaj Florës, Musolli nuk i ka përmbajtur dot lotët në dhomat e zhveshjes. Një ditë më parë ai u kërkoi falje drejtuesve, stafit teknik, lojtarëve dhe në veçanti tifozëve që u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë ekipin me 10 futbollistë në fushë.

Një sulmues në provë, vjen Kushtrim Berisha
Me Kukësin është bashkuar dje në stërvitje edhe kosovari Kushtrim Berisha. 19-vjeçari luan në Itali në kategoritë inferiore të moshave, por pritet që të shihet me imtësi nga stafi teknik i Kukësit. Të dhënat e tij flasin për një sulmues tipik që i nevojitet skuadrës kuksiane. Ai është 1.84 metra i gjatë dhe depërtues me topin. Gjithashtu i përdor shumë mirë të dyja këmbët. Berisha do të jetë në provë gjatë kësaj jave dhe do jetë fusha e lojës ajo që do tregojë për aftësitë e tij, nëse do ta bindë stafin kuksian për të qenë pjesë e tij apo jo. Lojtari do të shihet në ditët në vazhdim dhe më pas do të ketë një vendim përfundimtar. Aktualisht, reparti ofensiv i skuadrës është në lartësinë e duhur dhe këtë e ka treguar jo vetëm gjatë kampionatit të kaluar, por edhe në dy ndeshjet e turit të parë të Ligës së Kampioneve ndaj Flora Talin.

Biletat
Ndeshja e parë e turit të dytë të Ligës së Europës ndërmjet Kukësit dhe Sarajevos do të zhvillohet në stadiumin “Qemal Stafa” më 18 korrik. Edhe për këtë takim, çmimet e biletave do të jenë të njëjta si në sfidën ndaj Flora Talin. Kështu, një biletë në tribunën kryesore do të kushtojë 3000 lekë të rinj, në atë D2 1000 lekë të rinj dhe në D1 dhe D3 800 lekë të rinj. Ndërsa një biletë mbrapa portës kushton 500 lekë.

Gjyqtarët
Sfida e së enjtes ndërmjet Kukësit dhe Sarajevos do të arbitrohet nga një 3-she gjyqtarësh zviceranë. Kryesor do të jetë Adrien Jakotet, i cili do të ndihmohet nga dy asistentët e tij, Rafal Zeder dhe Atefan Almeida. Delegat i UEFA-s do të jetë Beni Jakobsen nga Danimarka, ndërsa vëzhgues Jon Skjervold nga Norvegjia. Sfida do të luhet të enjten më 18 korrik në Tiranë.

Nga barelat te kondicioneri, humor gjatë Kukësi-Flora
Jo çdo gjë ka shkuar mirë përpara dhe gjatë ndeshjes së kthimit të turit të dytë të Ligës së Europës ndërmjet Kukësit dhe Flora Talin. Për sa i përket lojës, gjithçka ka shkuar perfekt, pasi kuksianët kanë arritur të kualifikohen. Ndërsa në nivel organizativ disa gjëra kanë çaluar. Megjithëse UEFA-s i ishte bërë e qartë se do të ishin të gatshme dy barela përpara sfidës, delegati i ndeshjes, Sergio di Cesare, ka parë se ishte vetëm një e tillë. Në këtë moment ai ka nisur të debatojë me punonjësit e stadiumit duke u kërkuar që të sillnin edhe një barelë tjetër, pasi takimi nuk mund të niste. “Si do t’ia bëjmë nëse ka një përplasje kokë më kokë dhe duhet të shoqërohen jashtë fushës të dy lojtarët?”, – ka qenë pyetja e delegatit italian për punonjësit e impiantit. Por, përgjigjja e shqiptarëve ka qenë e menjëhershme: “Këtu erdhi Norvegjia dhe nuk u kërkuan dy barela, jo më tani!”. Por, humori dhe batutat nuk përfundojnë këtu. Kondicionerët në ambientet e brendshme të stadiumit ishin një tjetër pikë qesharake. Për shkak të amortizimit të tyre, ato janë vënë në punë jo nëpërmjet pulteve, por duke përdorur disa… pinca. Punonjësve u është dashur të ngjiten në pjesën e sipërme të mureve ku qëndron kondicioneri për t’i vënë në punë. Edhe një herë, del në pah fakti që stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” ka shumë probleme dhe nuk i përmbush plotësisht standardet për ndeshje ndërkombëtare.
JONUZ HALLACI

sarajevo-zeljeznicar-2012-manijaci-1Kukësi përçan boshnjakët, ndizet derbi i Sarajevës
Kukësi ndez derbin e Sarajevës, Zeljezniçar-Sarajevo. Skuadra kuksiane nuk e kishte menduar asnjëherë se që në debutimin e parë në Europë, jo vetëm që do të kalonte turin e parë, por do të shndërrohej në shkëndijë për të nxehur gjakrat ndërmjet dy ekipeve rivale të përjetshme në Bosnjë-Hercegovinë.
Mbështetja Sapo kanë mësuar lajmin se ekipi rival i tyre në qytet, Sarajevo, do të përballet me Kukësin në turin e dytë të Ligës së Europës, tifozët e Zeljezniçar kanë nisur menjëherë kërkimet. Dhe nuk e mendonin se motivi për të mbështetur Kukësin do të ishte më i madh. Ata zbulojnë se një prej idhujve të tyre dikur me Zeljezniçar, Lazar Popoviç, tashmë është pjesë e kuksianëve. Pa humbur kohë, ultrasit boshnjakë arrijnë të kontaktojnë me sulmuesin serb. “Do të mbështesim ty dhe skuadrën e Kukësit në përballjet që do të luani ndaj rivalë tanë të përjetshëm, Sarajevos, në Ligën e Europës. Në ndeshjen që do të luani në Bosnjë, të garantojmë se do të jemi 5000-6000 tifozë për t’ju mbështetur. Por, me shumë mundësi do të vijmë edhe në Tiranë. Na keni një mbështetje të madhe për të kaluar në turin tjetër dhe për të eliminuar Sarajevon”. Ky ka qenë pak a shumë mesazhi që i kanë transmetuar ultrasit e Zeljezniçar sulmuesit serb të Kukësit. Këtë lajm e ka konfirmuar edhe drejtori sportiv i Kukësit, Sulejman Starova në “News 24”. Popoviç ka qenë pjesë e Zeljezniçar për dy sezone, 2009-2011, duke u shndërruar shumë shpejt në një prej idhujve të tifozëve të asaj skuadre. Gjithashtu, mësohet se lojtari i ka treguar stafit teknik të Kukësit për mënyrën e lojës së Sarajevos dhe për mentalitetin e tyre.
Derbi Derbi i Sarajevës ndërmjet Zeljezniçar dhe Sarajevos është një prej më të nxehtëve në Ballkan. Përballja e këtyre ekipeve është përjetuar historikisht si një luftë e vërtetë, jo vetëm në fushë, por më shumë në shkallët e stadiumit mes tifozerive. Në mjaft raste ka pasur plagosje dhe përplasje të ashpra ndërmjet tifogrupeve respektive. Përplasja e këtyre dy ekipe vjen edhe për faktin se tifozët e tyre kanë ndarje etnike dhe fetare me njëri-tjetrin. Këto ekipe i luajnë ndeshjet në stadiumin olimpik “Asim Ferhatoviç” të Sarajevës që ka kapacitet 34.630 vendesh dhe në thuajse të gjitha rastet kur ka derbi, impianti është i mbushur plotësisht.

Popoviç ndihmon kuksianët me DVD
Sulmuesi serb i Kukësit, Lazar Popoviç, ka qenë pjesë e skuadrës boshnjake të Zeljezniçar për dy sezone, 2009-2011. Ai ka luajtur 48 ndeshje dhe ka shënuar 12 gola për këtë ekip duke u bërë shumë shpejt një prej të preferuarve të tifozerisë së kësaj skuadre. Zeljezniçar është kundërshtari i përjetshëm i Sarajevos, ekip me të cilin Kukësi do të përballet në turin e dytë të Ligës së Europës. Përveçse i ka treguar stafit teknik të kuksianëve për mënyrën e lojës që bëjnë boshnjakët dhe për mentalitetin e lojës së tyre, mësohet se Popoviç nëpërmjet disa miqve të tij në Bosnjë- Hercegovinë do të sigurojë disa DVD të ndeshjeve të Sarajevos. Sfida e parë ndërmjet Kukësit dhe boshnjakëve do të luhet më 18 korrik në “Qemal Stafa”.
BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"