Kastrioti “ndez motorët” për sezonin e ri, drejtori Vogli ndalon largimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 24, 2024 | 14:15

Kastrioti “ndez motorët” për sezonin e ri, drejtori Vogli ndalon largimet

Më në fund edhe Kastrioti bëhet aktiv. 25 korriku është përcaktuar si dita e startit të përgatitjeve për sezonin e ri në kampin krutan. Klubi ka reaguar në lidhje me “hemorragjinë” e lojtarëve, duke sqaruar edhe situatën shumicës që ka vetë deklaruar.

kastrioti stervitje

Pra një pjesë e mirë e lojtarëve që ishin menduar të larguar rezultojnë nën kontratë me Kastriotin edhe për sezonin e ri 2024-2025. Drejtori i Kastriotit, Gazmend Vogli, për “Panorama Sport” konfirmon se  lojtarë të larguar zyrtarisht nga krutanët janë: Livio Malaj, Xhuljo Mehmeti, Eneid Kodra, Henri Zuna, Dejvid Kapllani dhe Enes Kuka. “Janë plot 11 titullarë që do vijojnë të jenë pjesë e ekipit edhe për sezonin e ri. Lojtarët nën kontratë janë kapiteni Neziri, Musaj, Doseh, Zhoao, Hoxha, Hodo, Arapi, Marinaj, Mehmetllari, Çela, Allamani” u shpreh Vogli.

Pra, këta lojtarë do të vijojnë të jenë pjesë e Kastriotit edhe për sezonin e ri 2024-2025. Ndërkaq, deri në këto momente të afruar janë vetëm dy futbollistë, portieri Bruno Puja dhe mbrojtësi Gëzim Krasniqi. Zyrtari i krutanëve thotë se është në bisedime edhe me disa futbollistë të tjerë dhe pritet që ata t’i bashkohen skuadrës së shpejti. Ndërkohë, sot pritet të zyrtarizohet dhe trajneri i Kastriotit të sezonit të ri. Me fillimin e punës do të mësohet nëse do të vazhdojë punën trajneri Ramadan Ndreu, apo do të kemi një “timonier” të ri te Kastrioti.

SHKËLQIM HASANI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"