Kastrioti nuk dorëzohet, tenton sulmuesin e Luftëtarit
Kastrioti ka shfrytëzuar kompleksin e Kamzës për t’u stërvitur pasdite vonë duke sfiduar rrjedhimisht temperaturat që këto ditë kanë qenë në afro 40 gradë celsius. Edhe pse seanca e djeshme është kryer nën dritën e projektorëve dhe me ngarkesa të larta.
Me këtë ritëm do të vihet deri në fundjavë, ku pritet që të bëhen edhe seleksionimet e rastit dhe konfigurimi i grupit me të cilët do të përballojnë garën. Rreth datës 20 gusht pritet që ekipi të niset për fazë përgatitore me një skuadër të reduktuar. Destinacioni nuk është vendosur ende, por janë disa pista që klubi po i studion.
MERKATO
Merkatoja mbetet në “vendnumëro”. Pas mesfushorëve Xhulio Mehmeti e Arbër Basha, si edhe mbrojtësit Taulant Sefgjinaj, klubi nuk ka bërë më afrime. Pavarësisht këtij ngërçi, stafi teknik po punon që deri në fundjavë të zyrtarizojë edhe tri blerje të reja që vijnë nga Kategoria Superiore.
Emrat e të cilëve mbahen të fshehtë për shkak se aktualisht lojtarët janë me kontrata me skuadrat ku ata ndodhen, e megjithatë në vijim do të mësohet diçka më shumë. Në dëshirat e krutanëve vijon të jetë edhe sulmuesi Realdo Fili. Ndonëse lojtari u kthye në Gjirokastër, drejtuesit e Kastriotit shpresojnë ende. Ata kanë pasur kontakte të vazhdueshme, por për momentin janë të “ngrira”. Sulmuesit fillimisht i duhet që të zgjidhë disa çështje me Luftëtarin dhe më pas mund të vijojë negociatat me krutanët.
MIQËSORET
Kastrioti ka qenë skuadra që ka zhvilluar një numër të konsiderueshëm miqësohesh, konkretisht 4 të tilla. Mirëpo, duket se nuk do ta lënë me kaq, pasi brenda kësaj jave kanë projektuar edhe dy të tjera. Sot, do të masin forcat me Shënkollin dhe takimi do të luhet në Kamzë, në orën 17:30. Ndërsa për fundjavën ende nuk e kanë fiksuar axhendën, pasi po përpiqen që të gjejnë ndonjë kundërshtar nga elita.
Bujar Balliu
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"