Kastrioti shpërthen në merkato, merr Abrahamin dhe I.Likën
Drejtuesit e klubit të Kastriotit duket se nuk do të ndalen në këtë merkato, teksa dje kanë bërë dhe tri afrime të rëndësishme. Kështu, dje në mesditë ka mbërritur nga Brazili, pas një udhëtimi të gjatë thuajse 15 orë, Denis da Silva, lojtarë ky që e njeh shumë mirë Kategorinë Superiore dhe mentalitetin e saj. Kështu që të paktën në sensin e adaptimit nuk do të ketë asnjë problem për lojtarin. Ndërkohë që i është bashkuar kontingjentit krutan dhe do të jetë pjesë e kësaj skuadre për sezonin e ardhshëm futbollistik edhe portieri Ilion Lika, një tjetër element i sigurt dhe i mirënjohur për cilësinë e tij. Në fakt, emri i Likës ishte konfirmuar prej ditësh, si një nga objektivat e merkatos së Kastriotit, por vetëm ditën e djeshme ai ka mbërritur në kampingun e Kastriotit, duke u vënë në urdhrat e stafit teknik. Ndërkaq, i ardhuri i tretë, që u është bashkuar krutanëve dje në kampingun e Pogradecit, është përsëri një i huaj. Fjala është për Abrahamin, lojtar ky me pasaportë nigeriane, por që prej vitesh është stabël në kampionatin shqiptar dhe ka luajtur në skuadrat më të mira të vendit. Ky i fundit i është bashkuar skuadrës nga Tirana, që është vendbanimi i tij prej shumë vitesh. Skuadra e fundit ku është aktivizuar Abraham ka qenë Besa, ekip ky me të cilin krutanët u përballën të martën në një ndeshje miqësore.
Synimet Një sulmues dhe një mesfushor janë synimet e drejtuesve të Kastriotit për të përmbyllur merkaton. Kësisoj, ata do të jenë në lëvizje deri më 31 gusht. Të paktën, kështu ka konfirmuar trajneri i skuadrës krutane, Ramazan Ndreu nga Pogradeci, vend ky ku ekipi po zhvillon fazën përgatitore. Aktualisht në Pogradec, kontingjenti i krutanëve përbëhet nga thuajse pjesa më e madhe e lojtarëve të konfirmuar, por klubi krutan vazhdon të jetë aktiv në merkato, në mënyrë të veçantë për një sulmues të nivelit të lartë, sepse ky është reparti që nuk konsiderohet ende i plotësuar.
Klubi insiston për Fataki
Nevoja për një sulmues ka bërë që drejtuesit e Kastriotit të vihen në lëvizje. Kështu, krerët krutanë janë në kontakte me ish-sulmuesin e tyre të sezonit të kaluar, Albert Fatakin. Francezi ndodhet në Tunizi për një provë dhe ende nuk ka kthyer një përgjigje definitive, nëse do të jetë apo jo pjesë e kësaj skuadre për sezonin e ri. Gjithsesi, duket se klubi nuk do të heqë dorë për të pasur dhe edicionin e ardhshëm futbollistik shërbimet e francezit. Sezonin e kaluar, 24-vjeçari ishte një nga lojtarët kyç në formacionin krutan. Në 20 ndeshje që u aktivizua, arriti të gjente 3 herë rrugën e rrjetës.
MURAT ARUÇI