Kastrioti zyrtarizon tri afrimet e radhës, vjen mbrojtësi i kombëtares së Kenias
Kastrioti e nisi 2018- ën me fitore dhe tashmë pas fitores ndaj Tërbunit, skuadra e Samuel Nikajt ka filluar të arratiset në tabelën e klasifikimit.
Kur është mbyllur java e 13-të e kampionatit, skuadra krutane ndodhet +7 pikë nga vendi i dytë që mbahet nga Egnatia.
Largimet e disa lojtarëve që nuk gjetën hapë- sira, u hapën rrugë afrimeve të reja në skuadër dhe ashtu siç edhe pritej, krutanët nuk kanë ndenjur “duarkryq”, por pasi kanë parë disa futbollistë ditë më parë, më në fund kanë vendosur dhe në dy ditët e fundit kanë arritur që të afrojnë në skuadër 5 futbollistë që janë mjaft cilësorë.
Merkato e krutanëve nisi fillimisht me dy talentet nga Kosova, Argjend Xhafa dhe Erblind Mula, të cilët që të martën u bënë zyrtarisht futbollistë të Kastriotit duke firmosur kontrata 18-mujore me krutanët.
ZYRTARIZIMET Pas afrimit të dy talenteve nga Kosova, dje me krutanët ka firmosur edhe sulmuesi Jurgen Vatnikaj, i cili është një lojtar mjaft i njohur dhe në karrierën e tij ka veshur fanellat e shumë skuadrave si Partizani, Tërbuni dhe së fundmi Bylisi.
Krahas tij, po dje, me krutanët ka firmosur edhe Erik Otieno, futbollisti kenian që njihet ndryshe me nofkën Marçello.
Për afrimin e këtij futbollisti, krutanët fituan “betejën” me Partizanin, ku dhe ky i fundit e kërkonte këtë lojtar prej ditësh. Bëhet fjalë për një mbrojtës të majtë 21 vjeç, i cili luan edhe në mesfushë po në të njëjtin krah.
Otieno është njëkohësisht edhe pjesë e Kombëtares së Kenias. Lojtari së fundmi ishte pjesë e Kolkheti Poti në Superligën e Gjeorgjisë, ku ka luajtur titullar duke u aktivizuar në 19 ndeshje.
Jo vetëm kaq. Drejtuesit e Kastriotit kanë arritur të huazojnë nga Tirana futbollistin Samson Iliasu, i cili prej ditësh i ishte bashkuar skuadrës bardheblu dhe madje edhe fazën përgatitore e ka kryer me kryeqytetasit në Antalia.
Ende nuk dihet në do të ketë ndonjë lëvizje të fundit, megjithatë me këto afrime Kastrioti bëhet i frikshëm.
Ndërkaq, Kastrioti do të udhëtojë këtë fundjavë drejt Peshkopisë, aty ku dy vite më parë u shua shpresa për t’u ngjitur në Superiore. Kjo ndeshje po përgatitet me mjaft kujdes nga stafi teknik.
LIRIDON PASHA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"