Kategoria e Parë, Lushnja thyen mallkimin 44-vjeçar në Fier
Ishte kthyer në një mallkim të vërtetë, por më në fund, Lushnja ka arritur të dalë me tri pikë nga stadiumi “Loni Papuçiu” i qytetit të Fierit. Lushnjarët nuk fitonin në atë stadium prej 44 vitesh ndaj Apolonisë, por e kanë bërë një gjë të tillë sot, duke përforcuar pozitat e tyre në kreun e klasifikimit të Grupit B të Kategorisë së Parë.
Ekipi i Artan Banos fitoi 2-0 në këtë “derbi” i cili u drejtua nga gjyqtarët maltezë që kanë zbarkuar në vendin tonë si pjesë e projektit të bashkëpunimit mes FSHF-së dhe homologes së saj në Maltë. Një gol i ish-it Canka në pjesën e parë i dha qetësinë e duhur Lushnjës, që e kishte më pas të thjeshtë të dominonte ndeshjen, sidomos pas minutës së 66 kur Braka la vendasit me 10 futbollistë në fushë pasi u ndëshkua me karton të kuq.
Taullau dhe Çela goditën shtyllën para se Branica të dërgonte topin në rrjetë për të realizuar golin e dytë dhe për të vulosur sfidën. Kësisoj, janë ruajtur 6 pikët e diferencës me Bylisin e vendit të dytë që fitoi një ditë më parë ndaj Sopotit.
Ndërkaq, në Grupin A ka shkuar në 12 pikë diferenca mes Kamzës së vendit të parë dhe ndjekësit më të afërt. Kamzalinjtë fituan minimalisht 1-0 ndaj Ilirisë me golin e Rezit për të vazhduar ecurinë e tyre të shkëputur ndjeshëm nga të tjerët. Pas tyre, në vendin e dytë është ngjitur Erzeni, që mundi Tërbunin e fundit të tabelës me rezultatin 2-1, në pritje të Besëlidhjes që luan nesër.
NDESHJET
GRUPI A
Kastrioti-Shënkolli 3-0
14′ (p), 17′ Kabiru, 90′ Cutra
Mamurrasi-Besa 0-0
Erzeni-Tërbuni 2-1
25′ Lleshi, 72′ (p) Pasha / 26′ Saliaj
Kamza-Iliria 1-0
30′ Rezi
GRUPI B
Pogradeci-Elbasani 2-1
12′, 21′ Shkulaku / 56′ Luta
Apolonia-Lushnja 0-2
34′ Canka, 90′ Branica
Turbina-Shkumbini 2-1
2′ Sallaku, 35′ Berdufi / 12′ Ramazani