Kategoria e Parë në letargji/ Besa për rekord, 9 ekipe pa asnjë afrim në merkaton e verës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2024 | 14:20

Kategoria e Parë në letargji/ Besa për rekord, 9 ekipe pa asnjë afrim në merkaton e verës

Kur ka kaluar më shumë se një muaj nga mbyllja e sezonit, pjesa dërrmuese e skuadrave të Kategorisë së Parë vijojnë të shijon pushimet të shoqëruara me shikimin e ndeshjeve të Kampionatit Europian. Vetëm tre nga 12 skuadrat, që do marrin pjesë në sezonin 2024-2025 në Kategorinë e Parë, kanë nisur zyrtarisht punën në merkato.

BESA, MAZREKAJ GOXHAJ

Në këtë proces më avangardë është Besa, ku drejtuesit e klubit dhe pushtetit vendor duket se e kanë marrë seriozisht, që pas një dekade të kthejnë futbollin kavajas në elitën e futbollit shqiptar. Fillimisht, Besa afroi një trajner kampion dhe me përvojë në futbollin shqiptar, Mirel Josa, i cili më pas u pasua me prezantimin e tetë futbollistëve të rinj, ku spikasin elementët me përvojë në Superiore.

Mentor Mazrekaj, Jurgen Goxhaj, Donald Mëllugja, Bind Maxhuni, Erduan Ibrahimi, Jurgen Mehidri, Andri Stafa dhe Erlis Frashëri janë 8 afrimet e kryera deri tani nga kavajasit. Pas Besës vjen Vora, që pas emërimit të Arian Bellait si trajner ka gjetur akordin me katër lojtarë të rinj. Dy janë zyrtarizuar, Griseld Lika dhe Segerso Geci, ndërsa dy të huaj, Evans Aneni dhe Manfredas Ruzgis, do të prezantohen me 1 korrik.

Skuadra e tretë e së Parës që ka nisur zyrtarisht punën për edicionin e ri është Flamurtari. Ndërtimin e grupit ia ka ngarkuar Artim Pollozhanit, që do të jetë drejtori i ri sportiv i vlonjatëve. Flamurtari ende nuk ka vendosur për trajnerin e ri, ndonëse klubi ka prezantuar Trimror Selimin, Alesandro Kacbufin dhe Aldrit Oshafin. Mesa duket, këto tre ekipe do të jenë kandidatë kryesorë për ngjitjen në Superiore, pasi 9 klubet e tjera po shijojnë pushimet mes shumë pikëpyetjeve.

Flitet se në disa klube ka lëvizje, siç është Burreli, por mungon aspekti zyrtar. Madje, ka edhe klube që mbartin mbi supe enigma dhe pikëpyetje, që nga mënyra e funksionimit, për të vijuar më pas me stafe teknike dhe lojtarë. Erzeni dhe Kukësi, dy skuadrat që zbriten nga elita, po përmenden në këtë kohë vetëm për “eksodin” masiv të lojtarëve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"