Katër sezone pa Europë, ja dështimet e Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2016 | 10:30

Katër sezone pa Europë, ja dështimet e Tiranës

Tirana është matematikisht jashtë zonës së Europës, edhe pse kanë mbetur edhe dy javë për t’u zhvilluar. Hera e fundit që ka luajtur në arenën ndërkombëtare ka qenë në vitin 2012 përballë Alesundit. tiranaSkuadra kryeqytetase kishte edhe një shans të artë këtë fundjavë, pasi Teuta dhe Kukësi u ndalën të dyja në barazim dhe në rast të një fitoreje të mundshme në Vlorë mund të kishte realisht shanse për ta arritur.

Mirëpo, nëse kthen sytë nga statistikat e këtij sezoni për ndeshjet e bardhebluve, ka fakte që rëndojnë ecurinë e 24 herë kampionëve, por në të njëjtën kohë edhe shpjegojnë renditjen aktuale të Tiranës për 24 javë kampionat. Nëse bëhet një kategorizim me skuadrat e zonës së Europës, me ato të mesit të tabelës dhe fundit të klasifikimit, kryeqytetasit nuk kanë në asnjë prej këtyre ndarjeve pikë të plota.

Kreu

Skënderbeu e ka mundur katër herë, ndërsa përballë Partizanit Tirana numëron dy barazime e dy humbje. Pra vetëm dy pikë nga 12 të mundshme. Ndryshe është situata ndaj Kukësit e Teutës. Me këta të fundit, Tirana numëron 3 barazime pa gola dhe një fitore 2-0, pra gjashtë nga 12 pikë të mundshme. Me Kukësin janë luajtur vetëm tre takime, dy nga të cilat janë fituar nga ekipi kryeqytetas dhe një ka përfunduar barazim. Totali, 7 pikë të grumbulluara nga nëntë.

Mesi

Në këtë klasifikim, për momentin mund të renditen Vllaznia dhe Laçi, përballë të cilave statistikat e kryeqytetasve janë të ndryshme. Përballë kuqebluve, ndeshjen e katërt do ta luajnë këtë fundjavë, ndërkohë që në tri të parat kanë grumbulluar vetëm dy pikë me barazimet 0-0 dhe 1-1, ndërkohë që në sfidën e fazës së tretë janë mundur 3-1. Përballë kurbinasve, 24 herë kampionët numërojnë tetë pikë, pas dy barazimeve e dy fitoreve.

Fundi

Tërbuni është e vetmja skuadër ndaj së cilës Tirana ka fituar të katërta përballjet. Më pak pozitiv është bilanci me Bylisin, ndaj së cilës bardheblutë kanë lënë katër pikë, me dy barazime 0- 0. Tetë pikë me skuadrën që po lufton për mbijetesën nuk janë mjaftueshëm.

Në total, katër pikët e lëna ndaj ballshiotëve dhe po kaq përballë kuqebluve duket se kanë bërë që Tirana për të katërtin vit radhazi që të mos luajë në Kupat e Europës.

Dështim i madh për 24 herë kampionët, gjithashtu edhe rëndesë për financat e klubit, pasi nuk do të arkëtojë asgjë nga ky sezon, në të cilin shpenzimet kanë qenë kolosale, për shkak të infrastrukturës së rinovuar, borxheve të likuiduara dhe që janë në proces, apo edhe vetë organikës me lojtarë “me emër”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"