Kavajasi i vetëm në ekip, Perja: Besa më dhemb më shumë sesa të tjerët, të shmangim të keqen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 3, 2024 | 15:01

Kavajasi i vetëm në ekip, Perja: Besa më dhemb më shumë sesa të tjerët, të shmangim të keqen

Nuk e kishin menduar, por ja që është fakt i kryer. Mbijetesa e kavajasve varet nga sfida me Apoloninë. Një humbje e tyre dhe një fitore e Luzit në Vlorë, do të thotë lamtumirë për kavajasit nga Kategoria e Parë. Si i vetmi kavajas në formacionin verdhezi, Skerdjan Perja që refuzoi çdo ofertë në vite, u shpreh qartë se Besa i dhemb të gjithë futbollistëve, por atij pak më shumë sesa të tjerët.

perja duke festuar golin te Besa

“Ju e dini që nuk kam pranuar të ndërroj fanellë gjatë gjithë karrierës time dhe dashuria e vetme si kavajas ka mbetur uniforma verdhezi. Nëse të gjithë shokëve në ekip u dhimbset Besa dhe natyrisht që do bëjnë maksimumin për ta shpëtuar nderin e saj, mua më dhimbset pak më shumë. Askush përveç meje nuk lëviz nëpër Kavajë e ndeshet me kritikat, sytë e zemrat e tifozëve tanë. Të gjithë të tjerët ikin në hotel ose në banesat e tyre. Prandaj e ndiej më shumë peshën e situatës në të cilën ndodhemi, si kurrë më parë në historinë e këtij klubi”, u shpreh fillimisht mbrojtësi. Ndërsa për transfertën e Fierit, Perja shprehet se në duele të tilla janë të mundshme të tria rezultatet. Besa luan vetëm për 1 fitore apo barazim, ndaj humbja do ishte fatalitet për të ardhmen e kavajasve.

“Në një ndeshje të vetme mund të ndodhin të gjitha, të fitosh, barazosh, por edhe të humbasësh. Dallimi qëndron në motivin që ka secili ekip, e në këtë rast Besa ka një të tillë shumë më të fortë se fierakët, të cilët e kanë ‘luksin’ të luajnë për vendin e katërt në klasifikim. Unë rikthehem pas 3 javësh mungesë e po ashtu edhe Ramilli e Balla pas mungesës kundër Korabit. Duke qenë një ekip i plotë, nëse sakrifikojmë në fushë mund dhe do t’ia dalim. Të paktën e keqja më e vogël është të mos humbasim. Personalisht, besoj te forca jonë dhe mundësia të prodhojmë të paktën një ndeshje pozitive. Kujtoj se morëm 4 fitore rresht, dy prej të cilave në transfertën e Beratit dhe Burrelit”, u shpreh në fund Skerdjan Perja.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"