“Kemi bërë afrime cilësore, objektiv rikthimi në elitë”, Josa, i kënaqur nga Besa: Miqësoret do të tregojnë ku jemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 23, 2024 | 12:07

“Kemi bërë afrime cilësore, objektiv rikthimi në elitë”, Josa, i kënaqur nga Besa: Miqësoret do të tregojnë ku jemi

Besa e sezonit 2024-2025 me shumë mundësi do të ketë një fytyrë ndryshe nga ajo që kemi parë në dekadën e fundit. Falë bashkëpunimit të kryebashkiakut të Kavajës, Fisnik Qosja, dhe presidentit Nexhat Bizhdili, shpresohet që vera e 2025-ës ta gjejë Besën në Kategorinë  Superiore.

JOSA QOSJA

Pasi zhvilluan plot 10 ditë stërvitje në stadiumin e Luzit, verdhezinjtë prej datës 19 korrik janë shpërngulur në qytetin e Ersekës për të vijuar fazën intensive përgatitore. I pyetur mbi ecurinë e deritanishme të përgatitjeve, trajneri Mirel Josa shprehet i kënaqur për kushtet dhe angazhimin e lojtarëve gjatë kësaj periudhe. “Këtu në Ersekë kemi kushte të mira stërvitore, duke parë çfarë temperaturash po mbizotërojnë në Shqipëri. Deri më sot, konstatoj me kënaqësi që ka një seriozitet e angazhim maksimal të secilit futbollist në stërvitje. Zhvillojmë nga 2 seanca stërvitore në ditë dhe fatmirësisht nuk kemi asnjë dëmtim, duke dëshmuar se përtej ngarkesave të larta fizike, futbollistët po e përballojnë më së miri këtë fazë”, u shpreh fillimisht trajneri Josa për “Panorama Sport”.

Në krah të Mirel Josës janë edhe dy ndihmësit e tij, kosovari Fidaim Haxhia dhe kavajasi Ylli Teliti. Mësohet, se kavajasit në fundjavë do të luajnë edhe miqësoren e parë kundër Pogradecit. Me sa kuptohet, trajneri Josa nuk ka dëshirë të ngutet, përtej çdo vlerësimi maksimal për grupin. Kur pyetet se si e çmon forcën e skuadrës që ai drejton, trajneri kryeqytetas i verdhezinjve u përgjigj: “E citova më lart se jam i kënaqur nga angazhimi dhe dëshira e lojtarëve në stërvitje. Gjithsesi, vlerën e secilit prej futbollistëve do pres ta shikoj në miqësoret që do zhvillojmë përpara fillimit të sezonit. Normale që kemi bërë një merkato të madhe, ku kemi afruar lojtarë cilësorë, por edhe pjesa tjetër e grupit ka treguar vlera.

Duke ditur objektivin e vetëm që kemi këtë sezon, që mbetet rikthimi në Superiore, do të zhvillojmë sa më shumë miqësore për të kolauduar sa më mirë grupin dhe mënyrën se si do luajmë. Ditët kalojnë shpejt, ndaj po me këtë seriozitet do të vijojmë të çmojmë çdo ditë që kemi në dispozicion”. Në fakt, te Besa ende nuk ka një sulmues “race” dhe me sa duket tratativat me sulmuesin e kombëtares ganeze nuk u konkretizuan. Në dispozicion të Josës nuk ka asnjë qendërsulmues dhe besohet se presidenti Bizhdili vijon të kërkojë një sulmues të tillë. Në janar u afrua Mustafa Ba nga Trepça, por qendërsulmuesi u kthye sërish në Kosovë, pasi duket se nuk i përligji pritshmëritë.

FERIZ FERIZAJ- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"