“Kemi ekip solid dhe ‘uri’ për fitore”, Alla: Jam gati për Teutën, por nuk më pëlqejnë “premtimet”
Albi Alla zgjodhi të vijojë karrierën te Teuta, teksa në dy ditët e fundit ka nisur edhe stërvitjen me skuadrën durrsake. Sezonin e fundit ai ishte pjesë e Laçit, teksa tashmë është transferuar te bregdetarët, ku do të synojë të kthehet në ditët e tij më të mira.
30-vjeçari po punon intensivisht për të kapur formën maksimale fizike. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Alla tregoi pse zgjodhi të vijojë karrierën te Teuta, ambientin që është në skuadër dhe objektivat e sezonit.
Albi, si ndiheni fizikisht? Jeni gati për këtë aventurë të re?
Gjatë verës jam stërvitur me trajner personal, prandaj nga ana fizike ndihem mirë, por dua pak kohë që të ambientohem me ekipin e me fushën, sepse është diferencë e madhe të stërvitesh vetë dhe të stërvitesh në grup.
Sa mendoni se mund ta ndihmoni Teutën me eksperiencën tuaj brenda vendit, por edhe jashtë?
Shpresoj që të jem gati t’i shërbej klubit sa më shpejt dhe të jap edhe unë kontributin tim që ekipi të arrijë synimet që ka. Nuk dua të flas para kohe për atë që unë mundem të jap në ekip. Për këtë mund të përgjigjem në fund të majit, kur edhe do të mund të bëjmë bilancin final të të gjithë vitit.
Kur do të mund të jeni i gatshëm për t’u kthyer në fushë?
Shpresoj sa më shpejt, po përgatitem dita-ditës me ekipin dhe shpresoj që deri në fund të javës së ardhshme të arrij formën optimale dhe të jem në gjendje të zbres në fushë për të ndihmuar ekipin.
Deri ku mund të arrijë ky ekip, sipas opinionit tuaj?
Ekipi ka një grup shumë të uritur për sukses nga çfarë kam parë ditët e para, prandaj shpresoj që në këtë vazhdimësi të mundemi të shohim sa më lart në vijimësi të sezonit.
Çfarë ambienti keni gjetur në Durrës?
Kam gjetur një ambient shumë të mirë, kisha edhe shokë ekipi, që kemi luajtur më përpara në ekipe të tjera bashkë, kështu që ishte shumë kollaj për mua të ambientohem.
E ndoqët ndeshjen e fundit ndaj Tiranës, si e patë ekipin nga jashtë?
Po, e ndoqa ndeshjen me Tiranën, me pëlqeu rikthimi i ekipit pas pësimit të golave dhe paraqitja e çunave. Teuta tregoi që me ardhjen e trajnerit të ri dhe të lojtarëve të ri, ka punuar shumë dhe ka arritur në pak kohë të bëhet një grup solid. Shpresojmë të jemi të gjithë të shëndetshëm që të punojmë akoma më shumë.
ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"