Kërcënohet me jetë, Fejzo Shenaj lë futbollin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 25, 2014 | 9:26

Kërcënohet me jetë, Fejzo Shenaj lë futbollin

Shameti-me-ShenajnFejzo Shenaj kërcënohet me jetë dhe lë futbollin. Lajmi tronditës është konfirmuar dje ekskluzivisht për “Panorama Sport” nga familjarët e vetë futbollistit. Ish-mesfushori i Luftëtarit, Shkumbinit, Kastriotit dhe së fundmi Dinamos, mësohet se ka disa muaj që është “zhdukur” nga Shqipëria. Të njëjtat burime treguan dje për gazetën se persona të paidentifikuar kanë dërguar një letër kërcënuese në familjen e futbollistit. Madje çështja ka shkuar deri në Komisariatin e Policisë së Gjirokastrës. Dyshohet se futbollisti kohët e fundit ka pasur shumë borxhe dhe kësisoj mendohet se kërcënimi me jetë ka ardhur për këtë shkak. Gazeta u mundua dje të kontaktonte me vetë lojtarin, por numri i tij i telefonit ishte i padisponueshëm. “Fejzo ka kohë që nuk ndodhet në Shqipëri, ai bashkë me bashkëshorten është larguar jashtë vendit, pasi ka pasur kërcënime serioze për jetën. Dyshojmë se ka pasur borxhe, të cilat e kanë sjellë deri në këtë pikë, që të mendojë largimin nga futbolli”, – tregojnë të afërm të futbollistit gjirokastrit. Në pjesën e parë të këtij sezoni, Shenaj është aktivizuar për Dinamon në Kategorinë e Parë. 29-vjeçari luajti vetëm 6 ndeshje me fanellën blu. Ai ka debutuar në Kategorinë Superiore me Luftëtarin afro një dekadë më parë, ndërsa për katër sezone është aktivizuar me Shkumbinin. Për pjesën e dytë të këtij sezoni, mesfushori u federua për llogari të Luftëtarit në FSHF, por nuk luajti në asnjë takim dhe mendohet se ka gati 3 muaj që nuk ndodhet në Shqipëri. Shenaj nuk figuron as në sistemin e FIFA-s si i federuar për llogari të ndonjë skuadre të huaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"